Ruçi: PABSEC-ja, hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes vendeve themeluese

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryesuesi i radhës së Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), Gramoz Ruçi, tha se themelimi i PABSEC-së ishte një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit midis vendeve themeluese...

Ruçi: PABSEC-ja, hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes vendeve themeluese

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryesuesi i radhës së Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), Gramoz Ruçi, tha se themelimi i PABSEC-së ishte një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit midis vendeve themeluese, por edhe më gjerë.

Në fjalimin e tij gjatë Samitit të Krerëve të Parlamenteve, me rastin e 25-vjetorit të PABSEC-së, Ruçi shprehu kënaqësinë se janë mbledhur në Stamboll. 

"Themelimi i PABSEC-së ishte një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit midis vendeve themeluese, por edhe më gjerë. Duke e përfaqësuar një pjesë të botës me kultura, me besime, me histori, me tradita të ndryshme zhvillimi, organizata jonë ka qenë dhe mbetet për bashkëpunim edhe më të gjerë. Ky proces nisi si nismë qeveritare dhe më vonë parlamentare dhe gradualisht u shndërrua në një bashkëpunim të gjithanshëm midis gjithë vendeve tona. Qeveritë dhe parlamentet hodhën gurët e themelimit të organizatës duke iu përgjigjur kështu aspiratës së popujve tanë për bashkëpunim, miqësi, paqe në këtë pjesë të botës ", u shpreh Ruçi. 

Vizioni i PABSEC-së është miqësia, mirëkuptimi, respekti reciprok dhe mosndërhyrja në punët e brendshme, tha Ruçi duke shtuar: "Problemet që kanë lindur gjatë këtij çerekshekulli të parë të jetës së organizatës, janë të zakonshme për një rajon si ky i yni, i ngarkuar me kaq shumë histori". 

Duke theksuar se mund të avancojnë nëpërmjet ekonomive të fuqishme dhe zhvillimit, ai shprehu më tej dëshirën që të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi mes shteteve anëtare të organizatës. 

"Vlera kryesore e rajonit janë njerëzit" 

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i PABSEC-së, Asaf Hajiyev, duke falënderuar për mikpritjen kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, tha se rajoni i Detit të Zi ka luajtur gjithmonë rol të rëndësishëm në politikën botërore. 

Ai tha gjithashtu se vlera kryesore e këtij rajoni janë njerëzit duke theksuar se rajoni në fjalë është i pasur nga burimet e energjisë. 

Hajiyev më tej informoi të pranishmit në lidhje me strukturën dhe aktivitetet e PABSEC-së. /AA



Lajme të ngjashme