Mali i Zi merr pjesë për herë të parë në Samitin e NATO-s, një vit pas anëtarësimit në Aleancë

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Bruksel dhe kjo është hera e parë që ky shtet merr pjesë si anëtar me të drejta të plota i Aleancës...

Mali i Zi merr pjesë për herë të parë në Samitin e NATO-s, një vit pas anëtarësimit në Aleancë

Mali i Zi merr pjesë për herë të parë në Samitin e NATO-s në Bruksel

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, po merr pjesë në Samitin eNATO-s në Bruksel dhe kjo është hera e parë që ky shtet merr pjesë si anëtar me të drejta të plota i Aleancës. Krahas Presidentit Gjukanoviq, në Samit të pranishëm janë gjithashtu ministri i Jashtëm, Srgjan Darmanoviq dhe ai i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviq. Fillimisht Presidenti i Malit të Zi mori pjesë në pritjen që e organizoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, për shefat e shteteve dhe qeverive të Aleancës Veriatlantike. Bëhet e ditur se në këtë samit do të shqyrtohen çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe në këtë kontekst forcimi i sigurisë si garant i stabilitetit dhe qetësisë.  Në këtë samit do të sillen vendime të rëndësishme për avancimin e kapaciteteve dhe aftësive të Aleancës në kuadër të fushave prioritare. Ndërkaq, për Malin e Zi thuhet se ky është një rast i mirë që një vit pas anëtarësimit në NATO të vërtetojë përkushtimin e plotë të tij për vlerat e përbashkëta dhe interesave kolektive të sigurisë. Gjukanoviq ne fjalën  e tij tha se Mali i Zi do të dërgoj ushtarët e tij në misionet paqeruajtëse. Ai gjatë punimeve të këtij samiti ka pasur takime me burrështetas dhe kryetarë të qeverive pjesëmarrëse në këtë samit. Kur është fjala për çështjen e mbrojtjes dhe sigurisë, Mali i Zi ka një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me Republikën e Turqisë. Vizitat e zyrtarëve të lartë ministrorë dhe ushtarakë tashmë janë të shpeshta dhe kjo përcillet dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve. Zyrtarët turq vlerësojnë rezultatet pozitive që Mali i Zi ka arritur në sistemin e mbrojtjes dhe fushën e industrisë ushtarake.

Në Podgoricë nderohen viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës

Në Mal të Zi përkujtohen viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës. Njëzetetre vjet më parë, forcat serbe vranë mbi 8 mijë myslimanë në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës. Kjo masakër u cilësua si akti më i keq i gjenocidit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në përkujtim të kësaj masakre, nderime u bënë edhe në Podgoricë. Ambasadori i Turqisë  në Mal të Zi, z. Serhat Galip, mori pjesë në ceremoni dhe vendosi  kurora me lule në nderim të viktimave të Srebrenicës.

Ambasada e Republikës së Turqisë në Mal të Zi shënon përvjetorin e përpjekjes së dështuar të grusht shtetit

Në organizim të Ambasadës së Turqisë në Mal të Zi edhe këtë vit do të shënohet përvjetori i përpjekjes së dështuar të grusht shtetit në Turqi më 15 korrik të vitit 2016. Në këtë aktivitet janë ftuar të marrin pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë së Malit të Zi, përfaqësues të korpusit diplomatik dhe të ftuar nga bota akademike dhe kulturore që veprojnë në Mal të Zi. Ambasadori Sehat Galip tentativën për grusht shteti e pati cilësuar si kërcënim ekzistencial për Turqinë, respektivisht si aktin terrorist më të përgjakshëm në historinë e Republikës së Turqisë.

Provokon mitropoliti malazez, Amfillohije - Bekimi i kishave shqiptare si serbe sjell tensione etnike në Ulqin                                           

Njëzetedy kilometra larg qytetit të Ulqinit, në trevën e Anës së Malit, gjendet qyteti mesjetar i Shasit, apo siç quhet ndryshe, “qytet i vdekur”, sepse prej shekullit të 16-të është braktisur nga banorët dhe është shndërruar në gërmadhë. Legjenda thotë se qyteti kishte 360 kisha. Pikërisht në rrënojat e këtij qyteti të shpallur e mirë kulturore e kategorisë së parë me rëndësi nacionale, në të cilin janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike, Kisha Ortodokse Serbe e prirë nga Mitropoliti i kësaj kishe, Amfillohije, erdhi për të mbajtur një liturgji në objektin i cili ka karakter të veprimtarisë muzeale. Kjo gjë shkaktoi indinjatë tek banorët autoktonë të Anës së Malit, të cilët ketë veprim të Kishës Ortodokse Serbe e cilësuan si provokim dhe sulm ndaj trashëgimisë kulturore e historike të banorëve të kësaj ane. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të policisë, u ndalua incidenti që mund të kishte përmasa të mëdha të përleshjes midis banorëve të Anës së Malit dhe ithtarëve të Kishës Ortodokse Serbe. Banorët e këtushëm thonë se njerëzit qëllimmirë dhe vizitorët janë të mirëseardhur në ketë lokalitet, por jo për ata që vijnë me qëllime të dobëta për përvetësimin e objekteve historiko-kulturore, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Këtë veprim të Kishës Ortodokse Serbe e kanë dënuar subjektet politike shqiptare në Mal të Zi, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, Kuvendi i Ulqinit, etj.  Ndërkaq, përkrahje këtij veprimi të mitropolitit Amfillohije i kanë dhënë partitë proserbe në Mal të Zi, ndërkohë që klerikët e kësaj kishe kanë thënë se i njëjti aktivitet do të zhvillohet edhe vitin e ardhshëm.

Universiteti i Prishtinës kuotë të veçantë prej 3% për studentët shqiptarë nga Mali i Zi

Studentët shqiptarë nga Mali i Zi, për vitin akademik 2018/2019 do të kenë kuota të siguruara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës. MASHT-i në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës kanë përcaktuar kuotë të veçantë prej 3% për studentët nga Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Kurse studentët nga Shqipëria dhe Maqedonia do të kenë kuotën e përcaktuar prej 2%. Kjo erdhi si rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë për të Drejtat Njeriut dhe Pakicave dhe Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi dhe KKSH-së.

Në Ulqin organizohet manifestimi letrar “Muzat e Alpeve 2018”

Në Ulqin u mbajt edicioni i gjashtë i Manifestimit Letrar Ndërkufitar “Muzat e Alpeve 2018”, organizuar nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Amerikë dhe me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Klub” nga Ulqini. Ky edicion vuri në fokus krijimtarinë që la pas vetes poeti dhe studiuesi i ndjerë, Basri Capriqi, për nder të së cilit shkrimtarët dhe artistët e Teutës dhe të Art Klubit mbajtën orë letrare. Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, tha se manifestimi i cili zhvillohet në Ulqin ka kaluar fazat rajonale. Ai citoi fjalët e shkrimtarit të mirënjohur malazez, Jevrem Bërkoviq, i cili me rastin e pranimit të çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”, pati thënë se  “Miqësia e popujve fillon nga shkrimtarët dhe se manifestimet si ‘Muzat e Alpeve’ bashkojnë njëri-tjetrin dhe kulturat e tyre”.  Z. Nrekiq tha po ashtu se “jam tejet i lumtur që ky aktivitet zhvillohet edhe në qytetin e Ulqinit, kultura e të cilit daton që 2500 vjet dhe vazhdon të nxjerrë artistë e shkrimtarë, të cilët me krijimtarinë e tyre zënë vend të rëndësishëm në letërsinë mbarëshqiptare. Për ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi, kjo është më e mira që mund të ndodh. “Takime dhe komunikime të artit, të kulturës dhe të shkencës na duhen më shumë se çdo gjë tjetër. Ne tashmë kemi një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet dy ministrive të Kulturës, Kosovë-Mal i Zi”, tha z. Durmishi duke shtuar se ky aktivitet është një hap i madh në avancimin e këtij bashkëpunimi. Laureat paraprak të çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” ishin shkrimtarët e mirënjohur shqiptarë dhe malazezë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Moikom Zeqo, ndërkohë që këtë vit çmimi “Muzat e Alpeve 2018” iu akordua shkrimtarit Nazmi Rrahmani.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi – Përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme