Bushati dhe Çavusoglu u takuan në SHBA

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka takuar në Nju-Jork Ministrin e Republikës së Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të vizitës në SHBA, për sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

türkçe kursu.jpg
Osmanlica kursu ARN.jpg
Plumbi Cami.jpg

Bushati dhe Çavusoglu u takuan në SHBA

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka takuar në Nju-Jork Ministrin e Republikës së Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të vizitës në SHBA, për sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në një njoftim nga MEPJ e Shqipërisë thuhet se ministri Bushati është takuar me ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare.

Gjithashtu theksohet se në takimin Bushati-Çavuşoğlu, është diskutuar edhe për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Ministri Bushati u takua gjithashtu me homologen nga Ruanda, ministrin e Jashtëm të Shtetit të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al-Thani, ministrin e Jashtëm të Gambias, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Moldavisë.

-Presidenti i Shqipërisë Meta merr pjesë në sesionin e AP të OKB-së

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta merr pjesë në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila po zhvillohet në Nju-Jork të SHBA.

Kryetarët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrës në këtë veprimtari të rëndësishëm e të përvitshme botërore do të diskutojnë rreth çështjeve dhe problemeve të ndryshme që kanë lidhje me paqen dhe sigurinë globale, të drejtat e njeriut dhe kontributit e përgjegjësive kolektive të OKB-së në ndërtimin e shoqërive paqësore dhe të drejta.

Kreu i Shtetit shqiptar do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të Sesionit të 73-të, duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Gjatë vizitës zyrtare në Nju-Jork, presidenti i Republikës do të zhvillojë takime dypalëshe më homologë të ndryshëm, me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane dhe me përfaqësues e anëtarë të shumtë të bashkësisë shqiptaro-amerikane që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

-Shkëmbimet tregtare Shqipëri – Turqi, në rritje progresive

Shqipëria dhe Turqia kanë rritur shkëmbimet tregtare mes dy vendeve duke shënuar një rritje progresi nga muaji në muaj, por edhe krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet me Turqinë në muajin gusht 2018 arritën shifrën 280 miliardë lekë kundrejt 195 miliardë lekë që shënuan në vititn 2017.

Krahas rritjes vjetore të eksporteve u rritën ndjeshëm edhe importet gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti me pothuaj 34 miliardë lekë në krahasim me 32 miliardë lekë në janar-gusht të 2017.

Ndër grupet e mallrave që kanë kryesuar shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë “tekstile dhe këpucë, materiale ndërtimi, produkte kimike, makineri” dhe artikuj prej lëkure.

Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, Turqia është një ndër vendet partnere kryesore me të cilin Shqipëria realizon shkëmbime tregtare në nivele të larta. 

-Në Shqipëri rihapën kurset e gjuhëve të huaja, turqisht  si dhe kursi i osmanishtes

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2018 – 2019, Fondacioni “ALSAR” ka rihapur kurset e mësimdhënies së gjuhëve të huaja turqisht dhe anglisht, në përmbushje të programit dhe misionit të tij arsimor në kuadër të ofrimit të asistencës shumëplanëshe ndaj fëmijëve jetimë.

Në funksion të këtij programi janë ngritur 4 kurse me një pjesëmarrje të përgjithshme të 120 fëmijëve. Kurset drejtohen nga profesorë të aftë nga Turqia dhe të specializuar që të punojnë me këtë grupmoshë dhe metoda bashkëkohore të ndërthurura me programe audio vizivë për t’i bërë këto kurse sa më atraktive dhe të plotësuara me elemente që lehtësojnë përvetësimin e dijes në mënyrë sa më efikase nga kjo grupmoshë.

Këto kurse ofrohen falas. Këta fëmijë nëpërmjet këtyre kurseve marrin një formim shtesë në lëndët përkatëse që do t’iu shërbejnë atyre në jetë, dhe do të jenë gjithashtu dhe elementë formues ndihmës, nëse do të duan të vazhdojnë studimet e tyre jashtë Shqipërisë, në programet e studimit të ciklit të mesëm apo të lartë.

Nga ana tjetër, në institutin turk “Yunus Emre”, Shkodër ka filluar për herë të parë kursi otoman.
Kursi otoman, që jepet në nivelin bazë, është falas. Instruktori kryesor i kursit otoman është drejtori i Departamentit të Shërbimeve të Restaurimit të Republikës së Turqisë,  Ali Tokoz.

-Në qytete të ndryshme të Shqipërisë përkujtohet Dita e Ashures

Me rastin e Muajit Muharrem, muajit i parë i vitit hënor mysliman, në Ditën e Ashures në Shkodër në selinë e teqesë së “Alije Rifai-Haxhi Sheh Ali Kruja” është organizuar pritje për autoritete vendore por edhe për qytetarë të shumtë të cilët kanë uruar për këtë ngjarje të rëndësishme të besimit islam.

Në këtë ditë të shënuar, ndër shumë autoritetet e pranishëm, fetare dhe civile,  ishte edhe kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, e cila ka uruar  Festën e Ashures në teqenë e tarikatit islam. Kryebashkiakja Ademi është pritur dhe ka bashkëbiseduar me udhëheqësin e këtij tarikati, Shejh Sadedin Kruja.

Në fjalën e saj, para mediave përcolli mesazhin duke theksuar se mbështetja për këtë manifestim për te paraqet kënaqësi të madhe…

“…Me rastin e festës së Ashures,  dua të uroj të gjithë besimtarët myslimanë, kryesisht ata në Shkodër që festojnë Ditën e Ashures, tarikatin e Rifaive, të cilët, sot kanë hapë dyert e teqesë për me na pritë të gjithë ne, në këtë ditë të rëndësishme të besimit. Kjo festë që festohet për besimtarët është një rikthim në historinë e fesë islame. Përmes martirizimit dhe besimit në Zot demonstrohet vullneti për me shërby dhe për me mbajt jo vetëm fjalën e Zotit, por në emër të Zotit me përçu atë si një të mirë për shoqërinë. Prandaj, mendoj që ky mesazh është i mirë jo vetëm për besimtarët, por është një mesazh i mirë për gjithë shkodranët. E me zemër të gjithëve, ju uroj gëzuar  e përshumëvjet festën e Ashurës e bashkë me të gjithë paçim ditë më të mira për Shkodrën…”.

Po ashtu, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë është shënuar Dita e Ashures, ku janë organizuar ceremoni kushtuar kësaj dite.

Ndryshe fjala “Ashure” e ka origjinën nga gjuha arabe dhe vjen nga fjala “ashr”, që në gjuhën arabe nënkupton “dhjetë”. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharrem dhe në këtë ditë përkujtohet shpëtimi i Profetit Musa nga agresioni i Firaovnit, ngjarja e Qerbelasë, martirizimi i imam Hysejnit r.a, e ndodhi të tjera në historinë islame.

Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit të ri hënor dhe një nga muajt e shenjtë për besimtarët myslimanë.

-Inspektim Xhamisë së Plumbit në Shkodër, para restaurimit nga qeveria turke

Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë së bashku me specialistë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, realizuan një inspektim në Xhaminë e Plumbit, në kuadër të projektit “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit”, i cili pritet të nisë së shpejti.

Projekti i hartuar nga studio “Ecolimarlik” me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi, parashikon zgjidhjen përfundimtare të problematikës kryesore, asaj të drenazhimit dhe sistemimit të ujërave të territorit përreth, por dhe ndërhyrje konservuese, restauruese dhe ndriçim të objektit.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ajo është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku, të rrethuar me harqe në formë galerie, që rrallë ndeshet në xhami të tjera.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-



Lajme të ngjashme