• Video galeri

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 40-të)

Pasqyrimi në shtypin turk i bashkëpunimit greko-serb kundër bashkëpunimit turko-shqiptar (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 40-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 40-të)

Greqia, e cila ishte në pozicionin e pushtuesit të përbashkët në Anadoll dhe Shqipëri fillon e ankohet në çdo platformë për bashkëpunimin turko-shqiptar dhe mundohet të tërheqë vëmendjen e Anglisë duke i emërtuar ushtarakët dhe nëpunësit që kishin shkuar nga Anadolli në Shqipëri si “Oficerët e Qemalit” ose “Nëpunësit e Qemalit”. Kështu Greqia bën llogari se Anglia do të arrijë të parandalojë dërgimin e ndihmave turke në Shqipëri. 

Objektivi parësor i Greqisë është të pushtojë një herë e përgjithmonë Anadollin dhe pastaj të bëjë të vazhdueshëm edhe pushtimin e saj në Shqipëri. Për të realizuar këtë objektiv Greqia kërkon që të mbahet fortë edhe në Anadoll duke përdorur të gjithë forcën që ka, por nga ana tjetër synon të vazhdojë të ruajë edhe pushtimin në Shqipëri. E shtrënguar në mes nga bashkëpunimi turko-shqiptar Greqia në veçanti, sipas lajmit të gazetës “Vakit” nuk do që të hapë një front të ri lufte me Shqipërinë, për arsye se ka qenë e angazhuar me fushatën ushtarake në Anadoll[1]

Në këtë periudhë Greqia nga njëra anë kërkon një zgjidhje brenda mundësive të veta për çështjen e Shqipërisë, por nga ana tjetër ajo bën përpjekje për ta ekuilibruar bashkëpunimin turko-shqiptar me bashkëpunimin greko-serb. Kjo situatë e vështirë për Greqinë buron nga që qeveria e Athinës nuk ka dëshirë që një pjesë të forcave që ka dërguar në Anadoll ti zhvendosë në kufirin me Shqipërinë. 

Gazeta“Hakimiyeti Milliye” në një lajm që boton duke u mbështetur në shtypin grek të Stambollit shkruan se kabineti grek mban mbledhje të njëpasnjëshme ditë e natë me rend dite çështjen e Shqipërisë[2]. Gazeta në fjalë njofton se Parlamenti Grek është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme dhe ka marrë vendim për dërgimin e trupave ushtarake në kufirin me Shqipërinë dhe një divizion grek me forca rezerviste ka marrë urdhër për të shkuar në Janinë. Kështu Greqia ka nisur luftën kundër Shqipërisë, shkruan gazeta “Hakimiyeti Milliye” e datës 31 maj 1921[3].

Gazeta “Hakimiyeti Milliye” e datës 13 qershor në lajmin me titull “Po Merr Zjarr Çështja Shqiptaro-Greke” njofton se pas provokimeve të shqiptarëve në Epir dhe Maqedoni (Greqia veriperëndimore) kryeministri i Greqisë ka thirrur urgjent në Athinë prefektët e Epirit dhe Maqedonisë. Konflikti ndërmjet dy vendeve vazhdon të ashpërsohet gjithnjë e më shumë, shkruan gazeta dhe si burim të informacionit që ndan me lexuesit tregon lajmet e fundit të gazetave. Sipas gazetës “Hakimiyeti Milliye” pavarësisht angazhimeve dhe iniciativave të Greqisë brenda dhe jashtë vendit, shqiptarët kërkojnë të garantojnë plotësisht interesat e tyre kombëtare. Ata kërkojnë lirimin e shqiptarëve që mbahen në burgjet e Epirit, në të kundërtën deklarojnë se do të bëjnë rezistencë. Qeveria shqiptare për të shtrënguar Greqinë publikon edhe një deklaratë përmes të cilës fton nën armë 5 specialitete të reja me rezervistë dhe një gjë e tillë i shkakton natyrshëm kokëçarje Greqisë[4].

Në këtë periudhë duke qenë se edhe pjesa veriore e Shqipërisë është e pushtuar nga serbët, ashtu si Greqisë edhe Serbisë nuk i vjen mirë për ndihmat turke që i bëhen Shqipërisë dhe për zgjimin kombëtar në Shqipëri. Qeveria e Serbisë situatën e vlerëson në këtë mënyrë, një Shqipëri e çliruar nga pushtimi grek do të rezistojë me të gjitha fuqitë ndaj saj dhe si rrjedhim fillon bisedimet me Athinën duke i dhënë të drejtë Greqisë lidhur me shqetësimet që shfaqte për bashkëpunimin turko-shqiptar. 

Sipas lajmit të gazetës “Vakit” ndërkohë që në Shqipëri po krijoheshin dy formacione të reja ushtarake kryeministri i Greqisë bisedon me ambasadorin serb në Athinë mbi politikën që do të ndiqet lidhur me çështjen e Shqipërisë[5]. Gazeta “Vatan” në numrin e datës 30 maj 1921 përcjell deklaratat që ambasadori i Serbisë në Athinë kishte bërë për një gazetë greke. Sipas ambasadorit serb çështja e Shqipërisë është aq e rëndësishme sa që për të ndërmjet Greqisë dhe Serbisë mund të bëhet edhe një marrëveshje e posaçme[6]. Vetëm se reagimet ndaj bashkëpunimit greko-serb të sapokrijuar fillojnë e shfaqen menjëherë. Me shtimin e reagimeve ndaj deklaratave të Ambasadorit Serb, Athina zyrtare detyrohet të përgënjeshtrojë lajmet mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Greqisë dhe Serbisë kundër Shqipërisë[7].

Sipas gazetës “Peyamı Sabah” të datës31 maj 1921 ministri grek i luftës jep një deklaratë, ku thotë se qeveria serbe nuk do të lejojë aspak prishjen e paqes dhe qetësisë në Ballkan, ndërsa shton se do të pengohet aktiviteti i çetave shqiptare. Ministri grek thotë se mosmarrëveshja shqiptaro-greke do të zgjidhet me tërheqjen e Shqipërisë pas rikthimit të kishës ortodokse greke në Korçë[8].

Sipas gazetës “Peyamı Sabah” të datës 1 qershor shtypi athinas i kushton shumë rëndësi takimit të ambasadorëve serb e rus në Athinë. Sipas gazetave të Athinës ambasadorët thonë se çetat e krijuara si rezultat i entuziazmit të turqve dhe bullgarëve, të cilët kishin përfituar nga angazhimi i grekëve me Anadollin, përpiqen të shkaktojnë trazira në Ballkan. Përveç kësaj shtypi grek shkruan se serbët dhe rusët kanë ndërhyrë pranë qeverive të Sofjes dhe Tiranës dhe u kanë përcjellë shqetësimet e tyre në lidhje me situatën[9]. Sipas lajmit me titull “Greqia me Serbinë kundër Shqipërisë”, të gazetës “Vakit” të datës 7 qershor 1921 me propozimin e qeverisë së Beogradit Greqia me Jugosllavinë kanë marrë vendim për të bërë një ndërhyrje të përbashkët të fuqishme pranë qeverisë së Tiranës me qellim për ti dhënë fund kërcënimit shqiptar në Epir[10].

Sipas gazetës “Hakimiyeti Milliye” Kryeministri grek çështjen e Shqipërisë e bisedon në një takim që realizon me ambasadorin serb në Athinë[11].Sipas lajmit të gazetës “Anadolu’da Yeni Gün” të datës 15 qershor 1921 qeveria greke thërret në ministrinë e punëve të jashtme ambasadorët e Serbisë dhe Rumanisë për të biseduar mbi çështjen e Shqipërisë. Pra me këto lëvizje Greqia mundohet të fitojë aleancën dhe mbështetjen e Serbisë dhe Rumanisë në lidhje me këtë kokëçarje që i shkaktonte Shqipëria[12]. Kurse gazeta “Hakimiyeti Milliye” e datës 2gusht 1921 shkruan se qeveritë greke dhe serbe po bëjnë përpjekje për ta zgjidhur çështjen e Shqipërisë sipas interesave të tyre[13].

Sipas shkrimit me titull “Një Sulm i Përbashkët Kundër Shqipërisë” të gazetës “Hakimiyeti Milliye” të datës9 nëntor 1921 territoret shqiptare janë shkelur në veri nga serbët, ndërsa në jug nga grekët. Të ndodhur në një situatë të tillë shqiptarët nga njëra anë marrin masa serioze ushtarake, ndërsa nga ana tjetër u kanë dërguar nota proteste të gjitha shteteve[14].

Si përfundim turqit dhe shqiptarët, vendet e të cilëve ishin të pushtuara, iu drejtuan bashkëpunimit ushtarak kundër Greqisë, e cila ishte pushtues i përbashkët tek të dyja vendet. Përballë këtyre zhvillimeve Greqia u detyrua të preferojë bashkëpunimin me Serbinë, me të cilën ishin në pozicionin e pushtuesit të përbashkët në Shqipëri dhe kjo situatë zuri një vend të gjerë në shtypin turk të kohës. Javën e ardhshme do të shikojmë trajtimin e çështjes së Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe reflektimin e konfliktit shqiptaro-serb në shtypin turk të atyre viteve. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

-       Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 27 maj 1921, 31 maj 1921, 2 qershor 1921,13 qershor 1921, 1 gusht 1921, 9 nëntor 1921.

-       Gazeta “Peyamı Sabah”, 31 maj 1921, s.1,1 qershor 1921.

-       Gazeta “Vakit”, 26 maj 1921, 30 maj 1921, 5 qershor 1921,7 qershor 1921,

-       Gazeta “Yeni Gün”, 15 qershor 1921.

 


[1]Gazeta “Vakit”, 5 qershor 1921, fq.1.

[2]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 27 maj 1921, fq.2.

[3]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 31 maj 1921, fq.2

[4]  Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 13 qershor 1921, fq.1.

[5]Gazeta “Vakit”, 26 maj 1921, fq.1.

[6]Gazeta “Vakit”, 30  maj 1921, fq.1.

[7]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 2 qershor 1921, fq.1.

[8]Gazeta “Peyamı Sabah”, 31 maj 1921, fq.1.

[9]Gazeta “Peyamı Sabah”, 1 qershor 1921, fq.1.

[10]Gazeta “Vakit”, 7 qershor 1921, fq.1.

[11]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 13 qershor 1921, fq.1.

[12]Anadolu’da Yeni Gün Gazetesi, 15 qershor 1921, fq.1.

[13]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 1 gusht 1921, fq.1.

[14]Gazeta “Hakimiyeti Milliye”, 9 nëntor 1921, fq.1.



Lajme të ngjashme