Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 44-ët)

Pikat e marrëveshjes së fshehtë të firmosur ndërmjet Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Qeverisë së Shqipërisë. (vijon nga numri i kaluar).

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 44-ët)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 44-ët)

Pikat e marrëveshjes sekrete të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Qeverisë së Shqipërisë janë këto[1]:

1. Qeveria turke (TBMM) do të sigurojë mbështetjen e nevojshme materiale dhe morale që Shqipëria të realizojë synimet e saj kombëtare.

2. Qeveria turke (TBMM) pranon dhe zotohet se ushtarakët dhe nëpunësit me origjinë shqiptare me detyra në Shtetin Turk do të shërbejnë në Shtetin Shqiptar. 

3. Qeveria e Shqipërisë merr përsipër të krijojnë të paktën brenda një viti ose brenda një kohe më të shkurtër një ushtri të formuar nga tre divizione. 

4. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Qeverisë së Ankarasë premton dërgimin e një delegacioni ushtarak për trajnimin e ushtrisë në fjalë. 

5. Qeveria e Shqipërisë pranon që njërin nga këta tre divizione ta pozicionojë në kufirin serb, një në kufirin me Greqinë dhe të tretin ta përdorë për sigurinë e brendshme. 

6. Qeveria e Shqipërisë zotohet se do të formojë çeta të armatosura dhe do ti dërgojë ato brenda tokave greke. 

7. Qeveria e Shqipërisë pranon që 90% e parlamentit shqiptar të përbehet nga deputetët myslimanë, duke qenë se myslimanët përbëjnë 2/3 e popullsisë së Shqipërisë. Zotohet për të mos ua dhënë të krishterëve në asnjë mënyrë postet e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. Gjithashtu pranon të vendosë shtetas myslimanë në vendbanimet me shumicë greke. 

8. Në Parlamentin e ri që do të mblidhet të Shqipërisë do të përcaktohet çështja e regjimit dhe do të bëhet çdo lloj kujdesi për të siguruar pushtetin popullor. 

9. Në qoftë se nuk do të arrihet vendosja e pushtetit popullor atëherë do të shkohet në votim popullor për të zgjedhur një princ mysliman dhe deputetët e populli mysliman do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme në këtë drejtim. 

10. Qeveria e Shqipërisë do të bëjë të gjitha përpjekjet që tregtia të kalojë në duart e myslimanëve dhe për këtë qëllim do të nxjerrë edhe ligje të posaçme. 

11. Kur të jetë siguruar paqja të dyja shtetet në bashkëveprim do të caktojnë delegacione për të vendosur marrëdhëniet politike dhe për të lidhur marrëveshje tregtare. 

12. Pikat pas nenit 6 do të zbatohen pasi të jetë arritur paqja[2].

Para se të analizojmë pikat e marrëveshjes duhet të ndalemi pak mbi datën e mundshme të nënshkrimit të saj, pasi marrëveshja e fshehtë nuk përmban datë. Mihalopulos marrëveshjen sekrete e ka pranuar si marrëveshjen e vitit 1922 duke u nisur nga fakti që përkthimi në greqisht i marrëveshjes i është dërguar Athinës nga Stambolli më datë 3-16 nëntor 1922. Në kumtesën e tij Mihalopulos thotë se “...pavarësisht se data e qartë/saktë e nënshkrimit të marrëveshjes nuk dihet, mundësia që ajo të jetë nënshkruar aty nga fundi i vitit 1922 është e lartë. Sepse shkresa që Meletopoulos i ka dërguar Forcave Detare Greke mban datën 3/16 nëntor[3]. Kjo datë mund të jetë data kur Meletopoulos ka arritur të sigurojë një kopje të marrëveshjes dhe kur e ka përkthyer atë në gjuhën greke. Data 3 nëntor mund të pranohet si data e shtënies në dorë të kopjes së marrëveshjes dhe data e dërgimit nga Stambolli, kurse data 16 nëntor mund të pranohet si datë kur raporti bashkë me tekstin në greqisht të marrëveshjes kanë mbërritur në Athinë. 

Aty nga mesi i muajit shtator të vitit 1921 (d.m.th. aty nga fundi i Luftës së Sakarya-s) Greqia heq dorë nga pushtimet dhe pretendimet në Shqipëri. Dhe një vit më vonë (në 18 shtator 1922) ushtria greke ishte dëbuar përfundimisht nga tokat e Anadollit. Mirëpo gjashtë pikat e para të marrëveshjes kanë të bëjnë me pushtimet greke në Turqi dhe Shqipëri, të cilat përfshijnë vitet 1919-1921. Veç kësaj Selahattin Beu (Selaudin Shkoza)[4], një nga nënshkruesit e marrëveshjes në emër të Shqipërisë, në datën 9 dhjetor 1920 kishte marrë porosi nga Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) Mustafa Qemal Pashai dhe në datën 8 janar 1921 kishte mbërritur në Shqipëri. 

Nënshkruesi tjetër i marrëveshjes së fshehtë në emër të Shqipërisë, Sulejman Fehmi (Delvina) ka kryer gjimnazin Zosimea në Janinë dhe ka marrë pjesë aktive në veprimet kundër politikës që ndiqnin ndaj Shqipërisë Komiteti Bashkim dhe Përparim (İttihat ve Terakki Cemiyeti) dhe qeveritë fqinje me Shqipërinë. Në korrik të vitit 1911 ai udhëhoqi manifestimin e studentëve shqiptarë në Stamboll me qëllim për të mbështetur alfabetin e Kongresit të Manastirit dhe kërkesat e lëvizjes kombëtare. Delvina ishte një nga nënshkruesit e thirrjes së 18 nëntorit 1912 dorëzuar përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkohej të njiheshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve[5]. Pasi diplomohet në vitin 1898 për administrim publik në Stamboll (İstanbul Mülkiye) Delvina fillon punë si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe pastaj më vonë punon në Kryeministri. Ndërkohë Sulejman Fehmi Delvina punon edhe si mësues letërsie në Liceun “Galatasaray” dhe Liceun “Vefa”. Falë bibliotekës së pasur të Liceut “Galatasaray” Delvina informohet mbi shkencat perëndimore. Për një kohë ai punon si burokrat në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe më pas Drejtor i Punëve me Vilajetet pranë kësaj ministrie[6]. Në prill të vitit 1919 ai shkon në Konferencën e Paqes në Paris si delegat i Shoqatës Ndihmëtare Shqiptare në Stamboll (Arnavut Teavün Cemiyeti) për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e Shqipërisë[7]. Patriotët shqiptarë për shkak të ndikimit të dobët të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris detyrohen të mbledhin në Lushnjë një kongres kombëtar me qëllim për të rifituar edhe një herë pavarësinë e vendit të tyre[8]. Në 30 janar 1920[9], kur ishte në Paris për Konferencën e Paqes, Kongresi i Lushnjës e emëron Sulejman Fehmi Delvinën kryeministër të Shqipërisë[10].

Kurse Jusuf Kemal (Tengirşek) Beu, i cili kishte firmosur marrëveshjen në emër të Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), për një kohë të caktuar kishte punuar si këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, në Dhomën e Ulët të parlamentit osman ai zgjidhet deputet i Kastamonusë dhe si pasojë e shpërndarjes së parlamentit për shkak të pushtimit të Stambollit në 2 prill të vitit 1920 shkon në Ankara[11]. Jusuf Kemal Beu në 3 maj 1920 zgjidhet deputet për ekonominë dhe ditën e 11 majit 1920 bashkë me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të kohës Bekir Sami Beun largohen nga Ankaraja për të biseduar me autoritetet e Bashkimit Sovjetik. Pasi qëndron për një copë kohë në Erzurum, më 19 korrik 1920 ai mbërrin në Moskë dhe në 11 tetor 1920 kthehet sërish në Ankara[12]. Në 21 tetor 1920 me urdhër të delegacionit përfaqësues shkon në Kastamonu dhe pushon disa ditë[13]. Në 30 nëntor Jusuf Kemal Beu kthehet prapë në Ankara dhe bashkë me Dr. Riza Nurin shkojnë në Bashkimin Sovjetik dhe në datën 16 mars 1921 nënshkruan Marrëveshjen Turko-Sovjetike dhe më 6 qershor 1921 kthehet në Ankara. Në 16 maj 1921 Jusuf Kemal Beu zëvendëson Bekir Sami Beun dhe bëhet Ministër i Punëve të Jashtme[14]. Në 7 shkurt 1922 ai niset nga Ankaraja për në Paris për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Shteteve të Antantës[15] dhe në fillim të shkurtit përmes Stambollit shkon në Evropë[16]. Kur kthehet nga Evropa kalon në Bullgari, prej këtu në Inebolu dhe pastaj vjen në Ankara. Në gusht të vitit 1922 kalon një operacion të rëndë në hemorroide dhe detyrën e tij e ushtron Rauf Beu. Pas përfundimit të Luftës Nacionalçlirimtare jep dorëheqjen nga detyra si zv.ministër i Punëve të Jashtme për arsye shëndetësore. Pastaj pushon për një copë kohë në Karamürsel, por plaga e operacionit nuk i shërohet. Me aprovim të Mustafa Qemal Pashait dërgohet për trajtim mjekësor në Evropë[17].

Në kërkimet që janë bërë në dokumentet arkivore në shtypin turk dhe shqiptar të kohës nuk është rastisur në ndonjë informacion mbi kthimin në Stamboll apo në Turqi të Selahatin Shkozës dhe Sulejman Delvinës, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen në fjalë në emër të Qeverisë Shqiptare. Kurse Jusuf Kemal Beu, nënshkruesi i marrëveshjes në emër të Turqisë ndërsa ishte në udhëtim (korrik 1920) duke shkuar në Moskë mëson vendimin e Qeverisë së Stambollit, e cila e kishte dënuar atë me vdekje[18] dhe në Stamboll, nga i cili ishte larguar më 27 mars 1920, do të kthehet në 15 shkurt 1922 për të shkuar në Evropë[19] . (vazhdon)

 

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

Burimet dhe literatura kryesore:

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Kristalina-KH, Tiranë, 2008.

 DELVİNA Sherif dhe KALOÇİ Dashnor, “Roli i Sulejman Delvinës si atdhetar dhe Kryeministër i Shqipërisë”, Gazeta Shqip, 19 prill 2008 fq.18-19., 20 prill 2008.

MİHALOPULOS, Dimitris, / Selanik “Prospatheies gia Simbraksi Alvanias kai Kemalikis Tourkias: İ Mistiki Simfaniatou 1922”, E’Panellinio Istoriko Sinderio Praktika, Thessaloniki, 1984, fq. 93-108.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

PAPADOPOULOS, Aleksandros K., Apeiros” Khora O Oikoumenikos Ellenismos kai o Albanikos Ethnikismos, Nea Synora-A.A. Livanis, Atina, 1992.

T.Selenica, Shqipria e Ilustruar L’albanıe Illustrëe, Albumi i “Shqipris më 1927, Tiranë, 2008.

AKDAĞ, Ömer, “Millî Mücadele Şahsiyetlerinden Yusuf Kemal Bey (TENGİRŞENK)”, http://www.atam.gov.tr/index.php?Page=DergiIcerik&IcerikNo=460 18.07.2011.

TENGİRŞENK, Yusuf Kemal, Vatan Hizmetinde, Bahar Matbaası, İstanbul, 1967.

TENGİRŞENK, Yusuf Kemal, Vatan Hizmetinde, Kültür Bakanlığı Cumhuriyet Kitapları, Ankara, 2001.

http://www.mfa.gov.tr/_disisleri-bakanlari-listesi.tr.mfa, 20.07.2011.

YALÇIN, E.Semih, “Yusuf Kemal Tengirşenk (Hayatı ve Eserleri)”, Tezë Mastei e Papublikuar (Yayınlanmamış Yüksek Lisans Tezi), Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Ankara, 1986.

 

[1] Aleksandros K. Papadopoulos, Apeiros” Khora O Oikoumenikos Ellenismos kai o Albanikos Ethnikismos, Nea Synora-A.A. Livanis, Athinë, 1992, fq.152-153., Dimitris Mihalopulos/Selanik “Prospatheies gia Simbraksi Alvanias kai Kemalikis Tourkias: İ Mistiki Simfaniatou 1922”, E’Panellinio Istoriko Sinderio Praktika, Thessaloniki, 1984,  fq.95-96.

[2]Mihalopulos, po aty, fq.96. 

[3] Mihalopulos, po aty, fq.96.

[4] Për më shumë informacion mbi Selahattin Beun (Shkoza) shikoni në: Halil Özcan, ”Emekli Erkânıharp Miralay Selahattin Bey’in II.Meşrutiyet’in İlânına Katkısı”, Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü Atatürk Yolu Dergisi, Bahar 2010, fq.83-102. Si dhe në Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri, fq.59 dhe në vijim.

[5] Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Kristalina-KH, Tiranë, 2008, fq.437.

[6] Sherif Delvina dhe Dashnor Kaloçi, “Roli i Sulejman Delvinës si atdhetar dhe Kryeministër i Shqipërisë”, Gazeta Shqip, 19 prill 2008 fq.18-19., 20 prill 2008, fq.18-19.

[7] Delvina dhe Kaloçi, “Roli i Sulejman Delvinës si atdhetar dhe Kryeministër i Shqipërisë”, Gazeta Shqip, 19 prill 2008.

[8] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.44.

[9] T.Selenica, Shqipria e Ilustruar L’albanıe Illustrëe, Albumi i “Shqipris” më 1927, Tiranë, 2008.fq.384-387).

[10] T.Selenica, po aty, fq.384.

[11] Ömer Akdağ, “Millî Mücadele Şahsiyetlerinden Yusuf Kemal Bey (TENGİRŞENK)”, http://www.atam.gov.tr/index.php?Page=DergiIcerik&IcerikNo=460 18.07.2011.

[12] Yusuf Kemal Tengirşenk, Vatan Hizmetinde, Bahar Matbaası, İstanbul, 1967, fq. 145-189.

[13] Tengirşenk, po aty, fq.194.

[15] E.Semih Yalçın, “Yusuf Kemal Tengirşenk (Hayatı ve Eserleri)”, Yayınlanmamış Yüksek Lisans Tezi, Ankara Üniversitesi Türk İnkılâp Tarihi Enstitüsü, Ankara, 1986.

[16] Tengirşek, po aty, fq.194.

[17] Yusuf Kemal Tengirşenk, Vatan Hizmetinde, Kültür Bakanlığı Cumhuriyet Kitapları, Ankara, 2001.

[18] Yusuf Kemal Tengirşenk, Vatan Hizmetinde, Bahar Matbaası, İstanbul, 1967.

[19] Tengirşenk, Vatan Hizmetinde, (2001) fq.255.



Lajme të ngjashme