Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 45-të)

Pikat e marrëveshjes së fshehtë të firmosur ndërmjet Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Qeverisë së Shqipërisë II. (vijon nga numri i kaluar)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 45-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 45-të)

Në kuadër të informacioneve që dhamë javën e kaluar në lidhje me nënshkruesit e marrëveshjes, çështjes, që kjo marrëveshje sekrete është firmosur në Stamboll dhe në vitin 1922, ashtu edhe siç shkruan shtypi i kohës, i duhet përqasur pak me rezerva. Pasi duke parë zbatimet e çështjeve që kanë të bëjnë me elementët ushtarakë dhe që zënë vend në 6 pikat e para të marrëveshjes dhe po të kemi parasysh ndihmat që kanë shkuar nga Turqia në Shqipëri, atëherë mund të flasim për probabilitetin që kjo marrëveshje të jetë nënshkruar para shtatorit 1920. Një diçka tjetër që na shtyn ti afrohemi me rezerva opsionit të nënshkrimit të marrëveshjes në Stamboll[1] është që Jusuf Kemal Beu, i cili ka hedhur firmën mbi këtë marrëveshje në emër të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), në datën 27 mars të vitit 1920 është larguar nga Stambolli dhe në muajin korrik të të njëjtit vit Qeveria e Stambollit merr kundër tij një vendim për dënim me vdekje, kurse për herë të parë në Stamboll ai është rikthyer në shkurt të vitit 1922. Pas këtij vlerësimi mbi datën dhe vendin ku është firmosur marrëveshja në fjalë tani le të shikojmë më nga afër përmbajtjen e saj. 

Pika e parë e marrëveshjes ka të bëjë me mbështetjen materiale dhe morale që Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë (TBMM) do ti japë Shqipërisë, në mënyrë që kjo e fundit të realizojë objektivat e saj kombëtare. Ataturku ka qenë interesuar nga afër me pavarësinë e Shqipërisë. Sipas gazetës “TheDaily Telegraph” të datës 10 maj 1921 Mustafa Qemal Pashai kishte thënë se po “interesoheshin me problemet e shqiptarëve myslimanë dhe besonin se shqiptarët prisnin ndihmë prej tyre (turqve) kundër sulmeve greke”[2]. Gjithashtu sipas historianit grek, Mihalopulos, përgjatë vitit 1921 përkrahësit e Mustafa Qemalit dhe shqiptarët pro-turq dhe miq të turqve kishin bërë përpjekje serioze për një bashkëpunim të mirëfilltë turko-shqiptar[3] dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi në Shqipëri kishte filluar të vihej re një admirim dhe miqësi (turqizëm) proturke, madje turqishtja ishte shndërruar në një gjuhë të Shqipërisë[4]. Gjatë analizës që do t’u bëhet pikave të tjera të marrëveshjes do t’u kushtohet vend ndihmave që Turqia i ka bërë Shqipërisë në atë periudhë.  

Me anë të pikës së dytë të marrëveshjes “Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë pranon dhe merr përsipër që ushtarakët dhe nëpunësit me detyrë në shtetin turk t’i shërbejnë shtetit shqiptar”. Gazeta “The Christian Science Monitor” në nëntor të vitit 1920 do të shkruante që Qeveria e Shqipërisë kërkon të fusë në vendin e saj një formacion ushtarak të përbërë nga gjeneralët, oficerët dhe ushtritë e Qemalit (Ataturkut) duke synuar kështu të fitojë forcë në të ardhmen përballë Greqisë dhe Serbisë[5]. Gazeta londineze “The Daily Telegraph” e majit 1921 publikon në faqet e saj një pjesë të fjalimit të Mustafa Qemal Pashait. Sipas kësaj gazete në 10 maj 1921 Mustafa Qemal Pashai flet për marrëdhëniet turko-shqiptare. Sipas lajmit të gazetës angleze Mustafa Qemal Pashai i pranon dhe i miraton me kënaqësi kërkesat e oficerëve shqiptarë me detyrë në ushtrinë e tij që kërkonin leje për të shkuar në atdheun e tyre për të organizuar njësitë luftarake kundër grekëve. Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (Ataturku) ishte shprehur se po interesoheshin nga shumë afër me çështjet e shqiptarëve dhe mendonte se Shqipëria kishte nevojë për ndihmën e Turqisë për të sprapsur agresionin grek, ndërsa kishte deklaruar se për ata ishte një detyrë e shenjtë të ndihmonin bashkëfetarët e tyre[6]. Kurse sipas gazetës “Jurnal d’Orient”[7] me një qarkore që kishte publikuar Mustafa Qemal Pashai u kishte rekomanduar të gjithë oficerëve dhe ushtarëve me origjinë shqiptare që shërbenin në ushtrinë (turke) të Anadollit të shkonin në atdheun e tyre dhe ti shërbenin atij[8].

Me këto deklarata Mustafa Qemal Pashai kishte synuar të parandalonte propagandën që kishte nisur në Evropë, sipas të cilës ndërmjet turqve dhe shqiptarëve nuk kishte asnjë lidhje, gjë që bëhej me qëllim për të parandaluar një bashkëpunim të mundshëm turko-shqiptar, dhe e kishte parë të nevojshme t’u bënte të ditur Evropës dhe Greqisë se fronti i Shqipërisë do të qëndronte i fortë. Dhe si rrjedhim i kësaj Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) e detyroi Greqinë që të ndajë forcat luftarake dhe të dislokojë një numër më të madh trupash në frontin me Shqipërinë

Zhvillimet në cilësinë e konfirmimit të lajmeve të gazetave “Jurnal d’Orient” dhe “The Daily Telegraph” janë pasqyruar edhe në letërkëmbimet e autoriteteve drejtuese të shtetit shqiptar. Këshilli i Naltë (Këshilli Kombëtar-Senati)[9], organi që përfaqësonte Shqipërinë në nivelin më të lartë, në datën 18 qershor 1921 ka mbajtur një mbledhje, ku është diskutuar për lejen që Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë (TBMM), pra qeveria turke e Ankarasë u kishte dhënë oficerëve me origjinë shqiptare me detyrë në ushtrinë turke për të shkuar në Shqipëri. Këshilli i Naltë kënaqësinë që ndjente nga ky zhvillim e kishte shprehur duke thënë se traditat 500-vjeçare i kishin lidhur shpirtërisht popujt turk e shqiptar me njëri-tjetrin. Këshilli kërkoi njëzëri nga Qeveria e Shqipërisë që të përgënjeshtrojë përmes shtypit pretendimet sikur ndërmjet popullit shqiptar dhe atij turk nuk ekziston asnjë lidhje dhe këtë përgënjeshtrim ta publikojë në formën më të mirë dhe më të shpejtë edhe në shtypin evropian[10].

I kënaqur nga ndihma e qeverisë turke Këshilli i Naltë e shikon si të nevojshme që shtetasit me orgjinë shqiptare që kishin ardhur nga Turqia të ndërprisnin lidhjet me Turqinë dhe të kalonin sa më parë në shtetësinë e përhershme shqiptare. Me këtë vendim ishte menduar se shqiptarët me cilësi të larta dhe të mirëpërgatitur që kishin ardhur nga Turqia do të kishin një ndikim më të madh në sigurimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në ruajtjen e stabilitetit të vendit. Pas vendimit që kishte marrë Këshilli i Naltë Kryeministri i vendit merr miratimin e parlamentit duke vlerësuar rëndësinë që kishte bërja e një deklarate të tillë për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe brenda të njëjtës ditë (18 qershor 1921) i bën të ditur me shkrim Këshillit të Naltë (senatit) se do ti zbatojë vendimet e mësipërme.[11].

Çështja e ushtarakëve dhe nëpunësve civilë, që kishin shkuar nga Turqia në Shqipëri në bazë të pikës së dytë të marrëveshjes, kishte zënë vend shpesh në shtypin e kohës dhe vendet e rajonit, sidomos Greqia ishte ankuar me çdo rast, madje për ti ndërlidhur këta nëpunës me Mustafa Qemalin dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke (TBMM) i kishte cilësuar ata si “Nëpunësit e Qemalit” (Kemaliyetmemurları) ose “Nëpunësit qemalistë” “Kemalî memurlar” me synimin për të tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e shteteve evropiane, në veçanti të Anglisë[12]. Gjithashtu Ambasadori i Greqisë në Londër, D. Kaklamanos pak kohë më parë i kishte komunikuar ministrit britanik të Punëve të Jashtme, Lordit Curzon se një grup oficerësh xhonturq ishin transferuar me anije italiane për në Shqipëri[13].

Në pikën e tretë të marrëveshjes zë vend dispozita sipas të cilës “Qeveria e Shqipërisë pranon dhe angazhohet që brenda një viti ose një kohe më të shkurtër të formojë një ushtri të përbërë nga tre divizione”. Afati që përmendet këtu është i rëndësishëm sepse viti 1921 është viti kur Qeveria e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), pra qeveria turke e Ankarasë, me ushtrinë e rregullt që kishte organizuar në frontin Perëndimor luftonte në Anadoll kundër Greqisë. Ka mundësi që synimi këtu ka qenë ndarja e fuqisë së ushtrisë greke duke hapur njëkohësisht front të përbashkët kundër Greqisë, e cila tek të dyja vendet ka qenë në pozicionin e pushtuesit. Aty nga fundi i shtatorit të vitit 1920 në Elbasan ka shkuar nga Anadolli koloneli me orgjinë shqiptare Hamdi Beu. Kolonel Hamdi Beu sapo mbërrin në Shqipëri bashkë me ekipin që e shoqëronte fillon e punon menjëherë me Kryeministrin Sulejman Delvina, i cili është personi që ka hedhur firmën në emër të Shqipërisë në marrëveshjen e fshehtë, dhe bëhet shefi i shtabit të ushtrisë shqiptare[14]. Lidhja e drejtpërdrejtë e Hamdi Beut me Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Mustafa Kemal Pashain nuk është përcaktuar dot. Por këtu është e mundur që në kuadër të marrëveshjes të vlerësohet edhe bashkëpunimi i Hamdi i Beut me Kryeministrin Sulejman Delvina, nënshkruesi i marrëveshjes në emër të palës shqiptare[15] dhe bërja e tij më pas komandant i përgjithshëm i ushtrisë shqiptare. 

Pas shkuarjes së Selahattin Beut (Selaudin Shkoza) në Shqipëri është përmbushur edhe pika e tretë e marrëveshjes sekrete, që parashikonte organizimin e një ushtrie të përbërë nga tre divizione. Selaudin Shkoza kishte krijuar formacione ushtarake moderne, të vendosura në vende të ndryshme[16]. E para nga këto njësi ushtarake e kishte qendrën në Korçë, e dyta në Tiranë dhe e treta në veri, në Shkodër. Divizionin e parë e kishte krijuar mbi bazën e sistemit tresh (regjiment-batalion-kompani), çdo regjiment kishte një kompani mitraljerësh dhe një bateri artilerie. Përveç këtyre në kufi ishin krijuar batalione të posaçme, të cilat vareshin direkt nga Ministria e Luftës[17].

Duke qenë se Selaudin Shkoza si uniformë të ushtrisë që kishte krijuar (për ushtarët dhe oficerët shqiptarë) kishte zgjedhur një uniformë që i ngjasonte shumë uniformës së Forcave Kombëtare Turke, shtypi turk i kohës kishte ndërtuar një lidhje ndërmjet Forcave Kombëtare Turke dhe atyre në Shqipëri duke i emërtuar me të njëjtin emër “Kuvayı Milliye” edhe forcat kombëtare të Shqipërisë. Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün” në një lajm të saj shkruan se konflikti ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë vazhdon të ashpërsohet gjithnjë e më shumë, ndërsa u bën të ditur lexuesve se Forcat Kombëtare të Shqipërisë janë duke bërë përgatitje dhe mobilizim të madh. Kështu ishin përmbushur 3 pikat e para të marrëveshjes së fshehtë të nënshkruar në atë periudhë ndërmjet Qeverisë së Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM) dhe Qeverisë së Shqipërisë. Javën e ardhshme do të vazhdojmë të trajtojmë pikat e tjera të marrëveshjes në fjalë. (vazhdon)

U përgatit nga:Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga:Serdar HÜSEYNİ 

 

Burimet dhe literatura kryesore:

Gazeta “Anadolu’da Yeni Gün”, 29 maj 1921

Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH)- Fon:146, viti:1921, Dosje 30, fq.1.

MİHALOPULOS, Dimitris, /Selanik “Prospatheies gia Simbraksi Alvanias kai Kemalikis Tourkias: İ Mistiki Simfaniatou 1922”, E’Panellinio Istoriko Sinderio Praktika, Thessaloniki, 1984, fq. 93-108.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

PAPADOPOULOS, Aleksandros K., Apeiros” Khora O Oikoumenikos Ellenismos kai o Albanikos Ethnikismos, Nea Synora-A.A. Livanis, Atina, 1992.

Gazeta “Peyamı Sabah”, 11 maj 1921

SONYEL, Sâlahi R., Türk Kurtuluş Savaşı ve Dış Politika II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 2003.

 

 

[1] Dimitris Mihalopulos , /Selanik “Prospatheies gia Simbraksi Alvanias kai Kemalikis Tourkias: İ Mistiki Simfaniatou 1922”, E’Panellinio Istoriko Sinderio Praktika, Thessaloniki, 1984, fq.98.

[2] Sâlahi R. Sonyel, Türk Kurtuluş Savaşı ve Dış Politika II, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 2003,fq. 233.

[3] Mihalopulos, po aty, fq.103.

[4] Mihalopulos, po aty, fq.100.

[5] Mihalopulos, po aty, fq.100.

[6] Mihalopulos,  po aty, fq.103.

[7] Gazeta “Peyamı Sabah”, 11 maj 1921, fq. 1.

[8] Mihalopulos, po aty, fq.103.

[9] Halil Özcan, Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri në Kohën e Ataturkut (Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri1920-1938), Qendra e Studimeve të Ataturkut (Atatürk Araştırma Merkezi), Ankara, 2011, fq. 46-47.

[10]Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH.) Fon:146, viti:1921, Dosje: 30, fq.1.

[11]AQSH. Fon:146, viti:1921, Dosje:30, fq.1.

[12] Özcan, po aty, fq.74-89.

[13] Aleksandros K., Papadopoulos, Apeiros” Khora O Oikoumenikos Ellenismos kai o Albanikos Ethnikismos, Nea Synora-A.A. Livanis, Athinë, 1992, fq.155.

[14] Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri…, fq. 59.

[15] Gazeta “Peyamı Sabah”, 11 maj 1921,fq.1.

[16] Özcan, po aty, fq.74-84.

[17] Özcan, po aty, fq.74-84.



Lajme të ngjashme