Maqedonia do të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s

Me nënshkrimin më 6 shkurt në Bruksel nga përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare të NATO-s të protokollit është rruga zyrtare drejt anëtarësimit të plotë të Maqedonisë.

Makedonya_NATO_Jens Stoltenberg_Zoran Zaev.jpg
Jens Stoltenberg_Nikolla Dimitrov_2.jpg
Makedonya savunma bakanı Radmila Şekerinska.jpg
Nikola Gruevski_Facebook mesaj_NATO.jpg
Ali Ahmeti_BDI lideri_Makedonya.jpg

Nënshkruhet protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO

-Ditë historike dhe e posaçme për Maqedoninë

Me 6 shkurt Përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare të NATO-s hodhën firmën në protokollin për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë, si anëtarja e 30-të, me çka Aleanca Veriatlantike edhe zyrtarisht i hapi rrugën e anëtarësimit Maqedonisë.

 

Këtë akt Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka vlerësuar si një ditë historike dhe të posaçme për Maqedoninë, por edhe për NATO-n dhe rajonin në përgjithësi.

Me nënshkrimin e protokollit pason mbështetja e plotë e vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa Maqedonia do të duhet të ndjekë politikat e Aleancës dhe të ndajë vlerat e njëjta evropiane, ka theksuar mes tjerash Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Me nënshkrimin e protokollit fillon procesi i ratifikimit, i cili pres që të kalojë lehtë. Nga sot, përfaqësuesit tuaj do të na bashkohen në këtë tavolinë. Bashkërisht do të sjellim vendime. Akti i sotëm historik tregon se NATO ka derën e hapur për të gjitha demokracitë që janë të gatshme dhe të përgatitura të vazhdojnë qëllimet e Konventës së Uashingtonit dhe për të mbajtur përgjegjësitë e anëtarësimit”, ka deklaruar në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

-Rezultat i shumë gjeneratave 

Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.

“Përmbushëm atë për të cilën ishin angazhuar anëtarët e parë të Parlamentit tonë. Ky akt sot është rezultat i punës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave dhe përgjegjësi e gjeneratës sonë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Me nënshkrimin e protokollit përmbushet një pjesë e rëndësishme e procesit të aderimit. Anëtarësimi i plotë në NATO do të ndodhë pas ratifikimit të dokumentit për anëtarësim nga të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s. Në fazën e tanishme, Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha formatet kyçe të Këshillit Euroatlantik, por pa të drejtën e votës.

Në Qeverinë e Maqedonisë nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në NATO është vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Ky akt dhe anëtarësimi i plotë që pason, sipas Qeverisë, realizon synimin kryesor të qytetarëve të Maqedonisë, për të qenë pjesë e familjes euroatlantike, në të cilën garantohet siguri, prosperitet dhe zhvillim ekonomik.

“Është një ditë historike për të gjithë qytetarët tanë. Sot, u ulëm krah për krah me aleatët tanë, në të njëjtën tryezë . Jemi të lumtur, sepse ne kemi siguruar stabilitet të qëndrueshëm për vendin tonë, siguri dhe paqe.”,- ka shkruar në rrjetin social Facebook, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

-Ish-kryeministri në arrati e ka kritikuar Marrëveshjen me Greqinë

Përmes një postimi po në Facebook ka reaguar edhe ish-kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, duke kritikuar Marrëveshjen me Greqinë. 

Vendosja e një qeverie marionete në Maqedoni ka rrënuar konceptin për ndjeshmëri, një marrëveshje të drejtë dhe kompromis të arsyeshëm. Maqedonia në kontestin me emrin ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat. Greqia ka fituar gjithçka”,- ka shkruar, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Presidenti i shtetit dhe opozita maqedonase kritikuan duke përkujtuar se për të arritur në këtë ditë historike, Maqedonia hoqi dorë nga emri kushtetues dhe identiteti.

Shqiptarët kanë përshëndetur nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO. 

“E jashtëzakontë!  Sot po korrim atë që kemi mbjellë gjatë dekadave pas nesh, bashkë dhe të palëkundur nga qëllimi”,- ka shkruar lideri i BDI-së Ali Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Ndërsa opozita shqiptare duke përshëndetur aktin përkujton pushtetin se anëtarësimi do të thotë që vlerat euroatlantike duhet të vlejnë në të gjitha segmentet të jetës.

Marrëveshja për emrin me Greqinë ishte vendimtare për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

-Përgatiti për TRT Shqip, Nazmie Pacolli, Shkup



Lajme të ngjashme