SHBA-të optimiste se marrëveshja historike mes Kosovës e Serbisë arrihet këtë vit

ShBA-ja vazhdon të kërkojë nga krerët e Kosovës heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, gjë që është kërkuar edhe në vizitën e Presidentit Hashim Thaçi në Uashington.

Kosova_Priştine hapishanesi müzeye dönüşüyor.jpg
Kosova_Makedonya demiryolu_anlaşma.jpg
Kosova_Priştine havalimanı uçuş iptal.jpg
Kosova Cumhurbaşkanı Hashim Thaçi_Sırbistan-la müzakereler hakkında.jpg
Kosova_Kijeve-Zahaq_otoyolu.jpg
Kosova Başbakanı_Ramush Haradinay_basın açıklaması.jpg

SHBA-të optimiste se marrëveshja historike mes Kosovës e Serbisë arrihet këtë vit

Presidenti Hashim Thaçi pas kthimit nga Uashingtoni, ka kërkuar pezullimin e taksës 100% për mallrat serbe, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Ai këtë porosi e ka sjellë pas kthimit nga SHBA-ja kur mori pjesë në Lutjet e Mëngjesit. Ai tha se kjo është kërkuar nga zyrtarët amerikanë, me të cilët tha se ka pasur takime të shkurtra. Prandaj, Thaçi tha se duhet të reflektojnë të gjitha subjektet politike, në mënyrë që ti jepet mundësi dialogut. 
“Ky këshillë definitivisht nga institucionet e vendit duhet të respektohet, jo për t’u hequr taksa, por për ti dhënë mundësi përmes një pezullimi të përkohshëm një procesi të një angazhimi të gjithanshëm ndërkombëtar”, tha Thaçi.
Thaçi tha se duhet të vazhdohet me ruajtjen dhe kultivimin e partneritetit strategjik me SHBA-në. Sipas tij në dukje shihet se Serbia po dëmtohet në rrafshin ekonomik për disa dhjetëra milionë euro, por theksoi se nuk ka çmim që mund ta paguaj dobësimin e raporteve të Kosovës me SHBA-në.
“Mbi çdo çmim është ky relacion për t’u ruajt dhe ecur përpara”, tha Thaçi.
I pyetur nëse janë zgjedhjet zgjidhje, në rast se nuk hiqet taksa, presidenti tha se kjo është në vullnetin e partive politike. Ai njëherit ftoi të respektohen afatet kushtetuese dhe ligjore për zgjedhje.

Thaçi tha se duhet secili t’i jap mbështetje angazhimeve të delegacionit shtetëror të Kosovës në bisedimet me Serbinë. E sa i përket çështjes së kufirit me Serbinë, Thaçi tha edhe me këtë shtet duhet të ndodhë e njëjta që ka ndodhur me zyrtarizmin e kufirit me Maqedoninë e Malin e Zi.
Thaçi foli edhe për Ligjin për pagat që u miratua ditë më parë në Kuvend, duke thënë se ka marrë dhjetëra ankesa dhe shkresa, të cilat zyra ligjore do t’i shqyrtojë dhe do të vendos në përputhje me interesin e qytetarëve, nëse do ta nënshkruaj apo do ta kthej prapa në Kuvend.
***

Skot dhe Kosnet: Koha është për marrëveshje

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet dhe ai amerikan në Serbi, Kajl Skot, përmes një teksti autorial, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut dhe të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike. “Nëse të dy palët nuk e shfrytëzojnë këtë shans, rrezikojnë të humbin rastin për një gjeneratë të tërë”, shkruajnë Skot dhe Kosnet.

“Është koha që Kosova të heqë taksën dhe që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive. Është koha që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut që po udhëhiqet nga BE dhe që të dyja palët të përcaktohen për paqe afatgjate”.

Kështu thuhet në tekstin autorial të përbashkët, të shkruar nga ambasadori amerikan në Serbi, Kajl Skot, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet, për gazetën “Politika” në Beograd dhe gazetën “Zëri” në Prishtinë.

"Nëse veproni kështu, jemi optimistë se marrëveshja historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, do të arrihet më 2019”, shprehen mes tjerash Kosnet dhe Skot në tekstin e përbashkët autorial.

“Për këtë, Kosova dhe Serbia do ta kenë mbështetje e plotë të SHBA-së për formësimin dhe zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thonë Kajl dhe Kosnet.

“Natyrisht një udhëheqësi politike e kthjellët dhe me vizion mund të sjellë te kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku në epiqendër të saj do të ishte njohja e ndërsjellë”, thuhet aty, ndërsa shtohet se “ky sukses do të ishte bazë për një ardhmëri dhe përparim për të gjithë popujt dhe rajonin.”

Kosnett dhe Skot, gjithashtu përmendin letrën e presidentit Trump, e cila sipas tyre “është në funksion të arritjes së kësaj marrëveshjeje dypalëshe gjithëpërfshirëse dhe historike”.

Ata citojnë letrën e presidentit Trump ku thuhet se “do të ishte për keqardhje të humbet ky rast i veçantë për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik”, ndërsa kujtojnë ftesën e presidentit Trump për presidentët Thaçi dhe Vuçiq, që këtë sukses ta kurorëzojnë në Shtëpinë e Bardhë.

"Besojmë se marrëveshja është e mundur dhe do ta festojmë së bashku me ju, ashtu siç po festojmë guximin e treguar nga udhëheqësit grekë dhe maqedonë”, thuhet në tekstin autorial. 
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë dhe nuk do të predikojnë se si do të duket kjo zgjidhje, por besojnë se ajo do të duhej të zbatohet si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia dhe se ajo duhet të sjellë stabilitetin afatgjatë në rajon”, porosisin në tekstin e tyre autorialë të dy ambasadorët amerikanë: Kajl Skot dhe Filip Kosnett.

“Nëse të dy palët nuk e shfrytëzojnë këtë shans, rrezikojnë të humbin rastin për një gjeneratë të tërë”, thonë Skot dhe Kosnett.

***

Anulohet vizita e komandantit Amerikan në Kosovë, shkak taksa ndaj Serbisë

Rezistenca për të pezulluar taksat ka shkaktuar anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjenerali majorit Timothy Orr. Bëhet e ditur se zyrtarë të ambasadës amerikane e kanë njoftuar komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, se vizita e gjeneralit Orr, e planifikuar të realizohet më 16-18 shkurt, në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – është anuluar. 

Në një letër informuese, të cilën gjenerali Rama ia ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të premten e kaluar, thuhet se në takimin që komandanti i FSK-së e ka pasur atë ditë me atasheun ushtarak të SHBA-së, majorin Kristopher Connor, është njoftuar për anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr, dhe se anulimi është bërë si “rezultat i shprehjes së pakënaqësive ndaj vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës”.

Po ashtu, sipas informatës së gjeneralit Rama, “major Connor ka paralajmëruar se programet trajnuese, edukative, dhe vizitat ushtarake të anulohen në ditët në vijim, në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton lidhur me vendimin e saj”.

***

BIRN publikon raportin e monitorimit të Prokurimit Publik në komuna

Rrjeti Ballkanit për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka prezantuar raportit vjetor të monitorimit të prokurimit publik, në bashkëpunim me USAID-in, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kreshnik Gashi, redaktor përgjegjës në BIRN, tha se për vite me radhë kanë punuar në hartimin e raporteve që kanë pasur identifikimin e problemeve të prokurimit publik.

“Ne i kemi monitoruar ato që siç ne i quajmë vrimat e prokurimit përmes së cilave vidhet  buxheti i shtetit. Ne kemi gjetur shumë prej këtyre dhe për fat të mirë shumë prej tyre vrimave janë mbyllur”, shtoi Gashi.

Ndërkaq, redaktori i Gazetës Jeta në Kosovë, Visar Prebreza tha se raporti i prokurimit përfshin periudhën kohore tetor 2017 – tetor2018.

“Fokus kanë qenë të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa përzgjedhja e tenderëve është bërë në disa mënyra dhe kryesisht me rastet e ankesave nga operatorët ekonomik. Si BIRN kemi dashur t’i testojmë dy prej ndryshimeve  ligjore në 2016: Kërkesa për rishqyrtim, si dhe e kemi testuar transparencën e institucioneve publike”, theksoi ai.

Prebreza shtoi se në raport është konstatuar se ka një  paqartësi tek autoritetet kontraktuese se kush duhet t’i shqyrtojë ankesat.

***

KRrPP dhe OShP: Raporti i BIRN-it udhërrëfyes për draftimin e Ligjit

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Sami Uka, tha se të dhënat nga raporti vjetor i BIRN-it në monitorim të prokurimit publik, do t’i shërbejnë shumë këtij mekanizmi. 

“Është nis ndryshimi i legjislacionit dhe shpresojmë që të përfundohet gjatë këtij viti për shumë arsye. Raporti është shumë i rëndësishëm. Këto të dhëna kanë me na shërby sidomos në periudhën e draftimit të ligjit dhe ankimimin jemi të vendosur ta shqyrtojmë shumë seriozisht edhe me OSHP-në”, tha ai.

Kurse, Agim Sheshiri nga Organi Shqyrtues i Prokurimit publik, tha se nuk është në ngjarje të flasë më shumë për anulimin e shumëfishtë të tenderit në Dragash që ka pasur të bëjë me furnizim me ujë.

“E di që ai rast është stërzgjatur dhe e keqja është që qytetarët po mbesin pa ujë. Për shkak të kritereve të përzgjedhjes dhe vlerësimit po anulohen procedurat e prokurimit”, theksoi ai.

Sipas Sheshirit, në OSHP vitin e kaluar ka pasur 553 ankesa, ndërsa tash i ka 776 ankesa dhe shtoi se kjo është një rritje enorme e numrit të ankesave.

***

Burgu i Prishtinës, shndërrohet në muze 

Me kërkesë të Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Burgu i Prishtinës pritet të shndërrohet në Muze.

Ky propozim, i cili u votua me vota unanime, pritet t’i dërgohet kryetarit të Kuvendit, ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për ta bërë një gjë të tillë.

Propozimi i vënë në rend dite nga kryesuesja e Komisionit, Duda Balje, mori përkrahje nga anëtarët e Komisionit.

***

Paralajmërohen çrregullime në Aeroportin e Prishtinës për shkak të grevës

Të mërkurën, do të ketë çrregullime të trafikut ajror në Kosovë, nëse Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës e mban grevën e paralajmëruar. Sipas një komunikate për media, thuhet se “Prej orës 8 deri në orën 9 Kontrolli i Trafikut Ajror do të jetë në detyrë, por nuk do të pranojë trafik komercial”. 

Kurse për shkak se janë institucion i shërbimit jetik, ligji i obligon për çka edhe do të ofrojnë vetëm shërbime për aviacionin ushtarak apo fluturimet ambulatore.

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror pas shprehjes së vullnetit të mirë për të zgjidhur problemin nga ministri i Transportit, Pal Lekaj, pezulloi ofrimin e shërbimit bazik me të cilin shkaktoheshin vonesa të aeroplanëve për rreth 20 minuta. Tani shërbimi ofrohet i plotë, por është vendosur për grevën një orësh. Pakënaqësitë e punëtorëve rrjedhin nga përfshirja e Kontrollorëve të trafikut ajror në Ligjin e pagave.

***

Fillojnë punimet në linjën hekurudhore Kosovë-Maqedoni

U nënshkrua marrëveshja për rehabilitimin e segmentit të parë hekurudhor të linjës hekurudhore 10 në Kosovë, e cila do të financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të mendohet edhe një linjë e re hekurudhore që e lidh Kosovën me portin e Durrësit.

Marrëveshja u nënshkrua mes krye-shefit të rrjetit të hekurudhave të Kosovës, “Infrakos”,  Agron Thaçi, me përfaqësuesin e zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.

Krye-shefi Thaçi tha se do të ndërtohet një rrjet tejet cilësor dhe i cili i plotëson edhe kriteret evropiane.

Segmenti i parë hekurudhor që e lidh Fushë Kosovën me Hanin e Elezit, është në gjatësi prej 65 kilometrash.

Kurse përfaqësuesi i zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se ky projekt do të gjenerojë edhe vende të reja të punës.

E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e cilësoi si ditë madhështore, theksoi se punimet e këtij segmenti hekurudhor pritet që të përfundojnë në fillim të vitit 2021.

Haradinaj tha se do të shihet mundësia edhe e një linje të re hekurudhore e cila e lidh Kosovën me portin e Durrësit.

Ndryshe, linja hekurudhore 10 përfshin tri segmente, nga Hani i Elezit në Fushë Kosovë, nga Fushë Kosova në Mitrovicën Jugore dhe segmenti i tretë është ai nga Mitrovica Jugore në kufi me Serbinë, e cila aktualisht menaxhohet nga Beogradi. Vlera e kontratës së tretë është rreth 40 milionë euro, ndërsa dy segmentet e para të linjës 10 priten të kushtojnë mbi 200 milionë euro.



Lajme të ngjashme