Irak – Rritet tensioni ushtarak në Kirkuk

Agjencia e Sigurisë e administratës rajonale kurde të Irakut (KRG) pretendon se ushtria irakiane dhe Hashdi Shabi kanë dislokuar forca ushtarake në Kirkuk dhe po planifikojnë të kontrollojnë puset e naftës dhe aeroportin ushtarak në Kirkuk.

Irak – Rritet tensioni ushtarak në Kirkuk

Në një postim në Twitter Agjencia e Sigurisë shkruan se "është konstatuar që ushtria irakiane dhe Hashdi Shabi kanë transportuar tanke, topa, autoblinda (Hummer) dhe armë të tjera të rënda në fshatin Beshir dhe qytezën Tazehurmatu në jug të Kirkukut".

Arsyeja e këtij dislokimi ushtarak, që ushtria irakiane dhe Hashdi Shabi po bëjnë në jug të qytetit, është marrja e kontrollit të puseve të naftës, aeroportit dhe bazave ushtarake, që tani kontrollohen nga forcat Peshmerge, vijon njoftimi i agjencisë.

Përveç kësaj njoftohet se distanca midis Peshmergëve dhe ushtrisë irakiane e forcave Hashdi Shabi është 3 kilometra.

Kemal Kirkuki, komandanti i forcave Peshmerge për Frontin Perëndimor të Kirkikut, në një prononcim për korrespondentin e agjencisë turke të lajmeve AA, kishte konfirmuar fillimin e përparimit të forcave Hashdi Shabi nga pjesa jugore e qytetit duke theksuar se rajoni ishte përfshirë nga një tension ushtarak.  

Kirkuki tha se të gjitha forcat Peshmerge kishin zënë pozicionet dhe nuk do të linin pa përgjigje një sulm të mundshëm.

Në lidhje me situatën e fundit në qendër të qytetit, Kirkuki u shpreh se disa qytetarë kanë dalë vullnetarë, kanë marrë armët në duar dhe janë gati të pengojnë hyrjen e Hashdi Shabit në qytet. 

Kryeministri i Irakut, Haydar al-Ibadi në një deklaratë, që kishte bërë në lidhje me këtë çështje, kishte thënë se nuk do t’i drejtonin armët ndaj popullit dhe nuk do të fillonin një luftë me kurdët.  

Ndërkaq janë sulmuar me armë zyrat në Kirkuk të Partisë Islamike “Dawa” të Irakut, anëtar i të cilës është edhe Kryeministri Haydar al-Ibadi.

Nexhdet Vendavi, zyrtari i policisë së Kirkukut tha se në sulm nuk kishte pasur humbje jetësh, por objekti i partisë kishte pësuar dëme materiale.

“Sulme të tilla kohët e fundit në Kirkuk janë shtuar edhe ndaj institucioneve politike turkmene”, nënvizoi Vendavi.

Vendavi shtoi se policia i ka rritur masat e sigurisë në lagjen ku ka ndodhur sulmi në fjalë.

 


Lajme të ngjashme