Koment – Nga utopia në distopi

Emrat kult të fantashkencës, nga Aldous Huxley e deri te George Orwell, në të gjithë distopinë dhe utopinë e tyre kanë një botë të errët...

Koment – Nga utopia në distopi

Koment – Nga utopia në distopi

Konceptin e utopisë e kam mësuar për herë të parë nga një enciklopedi e famshme në bibliotekën e shtëpisë së familjes sime, teksa isha ende një nxënës i shkollës 9-vjeçare. Më tërhoqi vëmendjen kaq shumë, saqë e gjeta veten duke hulumtuar kryevepra si “Shteti” i Platonit, “Atlantida e Re” e Francis Bacon, “Utopia” e Thomas More dhe “Qyteti i Diellit” i Tommaso Campanella. Vërejtjet dhe kufizimet e të rriturve të familjes në formën “këto çështje janë më të mëdha sesa ti, lexo libra të përshtatshëm për moshën tënde”, shkaktuan efekt të kundërt tek unë, pasi gjysmëfshehurazi arrita të lexojë deri në fund “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley, nga rafti i librave “Fantastiko-Shkencorë” të bibliotekës shtëpiake. Dhe natyrisht që të rriturit kishin të drejtë: Tema e librit ishte më e madhe sesa unë.

Me ambicien e gjunjëzimit nga ky libër kur e lexova për herë të parë, në vitet e gjimnazit iu ktheva sërish veprës më të shquar të Huxley dhe këtë herë vërejta se isha rritur intelektualisht, sepse e kuptova përmbajtjen e librit. Me kalimin e kohës, u bëra gjithnjë e më tepër simpatizant i zhanrit të fantashkencës deri sa mbërrita tek stacioni i fundit që kanë përshkuar romanet fantastiko-shkencorë, Utopia e Zezë, njohur ndryshe edhe si Distopi.

Në të gjithë utopinë perëndimore, njeriun e pret një botë e ftohtë, drithëruese dhe e errët. Sipas distopisë, raporti prodhim-konsum, shtimi i metodave të akumulimit të kapitalit, zhvillimet teknologjike dhe egoja njerëzore tregojnë se bota e së ardhmes është e pajetueshme.

Emrat kult të fantashkencës, nga Aldous Huxley e deri te George Orwell, në të gjithë distopinë dhe utopinë e tyre kanë një botë të errët. Bazuar te kjo utopi, ka përherë sulme nga jashtë. Madje edhe kur nuk ka sulme, ka patjetër mobilizim apo përgatitje për sulme. Për të parandaluar këtë, nevojitet me doemos që të merren nën kontroll botët, të cilave u përkasin, si dhe instalimi i rendit të tyre.

Si Don Kishoti, ashtu edhe Robinson Kruzoja, duan të ndërtojnë një botë nën dominimin e tyre individual.

Për shembull, Robinson Kruzoja ëndërron që të krijojë një botë të re, arkitekt i së cilës të jetë ai vetë. Në këtë aspekt, utopia që ai dëshiron të themelojë është totalitare, sikurse dhe të gjitha utopitë e tjera. Zgjedhja e mjedisit ishullor, në një këndvështrim, rezulton një masë e ndërmarrë kundër rreziqeve të jashtme për të konsoliduar pushtetin. Utopia e Faustit të Christopher Marlowe transformohet në një distopi, e cila e çon atë në rrënim. Të njëjtin dominim synon edhe Fausti i Johann Wolfgang von Goethe.

Kurse utopia lindore është krejtësisht e kundërta e asaj perëndimore. Ndërkohë që heronjtë e Perëndimit përpiqen më tepër për të ruajtur dhe lartësuar ekzistencën e tyre jashtë, individët e Lindjes bëjnë plotësisht antipodin e kësaj duke iu kthyer vetvetes. Individi lindor përpiqet të bëhet pjesë e jetës ekzistuese duke i kërkuar llogari vetvetes (autokritikë). Ndërsa individi (shteti) perëndimor e kërkon gabimin gjithnjë jashtë, tek ata ndryshe prej tyre. Prandaj edhe të gjitha mendimet e filozofirat si racizmi, nazizmi, fashizmi, komunizmi, margjinalizimi dhe krimet e urrejtjes, të cilat e shumëzojnë njeriun me zero, kanë lindur në Perëndim.

Me pak fjalë, në themelet e utopisë dhe distopisë perëndimore prehet motivi dhe impulsi për “pushtet” e “dominim”.

Ky mendim brutal nuk ekziston në islam. Veprat e dijetarëve e filozofëve si Al-Farabi, Ibn Bajjah (Avempace), Ibn Rushd (Averroes) dhe Ibn an-Nafis, edhe pse janë pjesërisht inxhinieri sociale, në thelb sugjerojnë vetëpërmbajtjen, vetadministrimin, vetëmohimin dhe kontrollin e unit (nefsi). Tek Ibn Bajjah kjo është shumë e qartë. Kurse Ibn Arabi dhe Sadr al-Din al-Qunawi u bënë në një farë mënyre gurët themelorë të filozofisë islame duke i dhënë një drejtim tjetër këtij progresi.

Mirë, po përse vallë i bëmë gjithë këto krahasime? Sepse kur shikojmë botën perëndimore, vërejmë se e përgjak botën përherë me frikën e ekzistencës dhe egon impulsive për pushtet e dominim. Ambicia ekstreme dhe e sëmurë për të fituar dhe sunduar ka aktivizuar sërish qendrat e fuqive perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit, Evropa Veriore dhe Ballkani janë transformuar në depo armësh dhe municionesh me kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë në çdo vend të botës luftanije gjigante, avionë gjuajtës e bombardues, si dhe mjete të shumta ushtarake. E gjithë bota, nga Japonia e deri në Evropën Veriore, është kthyer për momentin në “fuçi baruti”. Dhe këto vende, shumica e të cilave janë miq dhe aletë tanët, ndonjëherë heshtin përballë këtyre zhvillimeve e ngaherë i ftojnë ato sikur të mos kishin dalë nga një luftë shkatërrimtare vetëm 60 vite më parë. Kjo do të jetë shumë e dëmshme jo vetëm për ata miqtë tanë, por realisht për gjithë botën.

Shikoni Lindjen e Mesme! Ajo është bërë tashmë një pellg gjaku që prej Deklaratës së Balfurit. Lindja e Mesme vërtet zë një pëllëmbë vend mbi rruzullin tokësor, por ka tashmë 100 vite që është kthyer në një lloj sheshqitjeje dhe ringu, ku qërojnë hesapet miqtë tanë perëndimorë.

Kapni rajonin e Gjirit Persik, një hapësirë shumë e vogël! S’ka ditë që të mos nxitet një tension politik i ri. Dhe përsëri ne jemi ata që dëmtohen më tepër nga këto tensione e fërkime. Në të vërtetë, neve si myslimanë na dhemb shpirti jo vetëm për grindjet mes vendeve të Gjirit, por edhe për çdo rajon, shtet apo krahinë tjetër të botës të mbytur në konflikte, lot e gjak. Sepse ne besojmë që të gjithë njerëzit mbi Tokë, nga kauboji amerikan tek fabrikuesi gjerman dhe nga peshkatari japonez e deri tek çobani i deveve të shkretëtirës, janë vëllezërit tanë duke qenë se vijnë nga Profeti Adem dhe nëna Hava.

Meqenëse gëzojmë këtë besim, jemi të detyruar që të bindim se jemi vëllezër jo vetëm njerëzit brenda nesh, që i besojnë kësaj distopie, por edhe Perëndimin si burim i frymëzimit të tyre. Në rast se ne, lindorët, sidomos të edukuarit me kulturën dhe moralin e islamit, nuk ia arrijmë dot që të ndalim ata njerëz me arsye të errësuar nga ambicia ekstreme për pushtet dhe dominim, që po e transformojnë planetin tonë në një top zjarri, atëherë bota do të mbytet përsëri në gjak.

Ne kemi një apel dhe kërkesë për të gjitha elitat politike të botës perëndimore: Duhet të parandalojmë që ndjenjat e errëta brenda nesh të mos rriten edhe më shumë me hakërrimën e Mefistofelit për të na sunduar neve dhe botën tonë. Përndryshe, robër të kësaj errësire të skëterrshme s’do të jemi vetëm ne, por edhe brezat tanë të ardhshëm.

Kjo botë na mjafton neve (njerëzve) dhe të gjitha gjallesave të tjera deri në ditën e kiametit... Besomëni!

 

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme