Koment – Si ka mundësi që krizat rajonale s’zgjidhen dot me aktorë globalë?

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Si ka mundësi që krizat rajonale s’zgjidhen dot me aktorë globalë?

Koment – Si ka mundësi që krizat rajonale s’zgjidhen dot me aktorë globalë?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Javën e kaluar ju thash shkurtimisht që krizat rajonale nuk mund të zgjidhen dot me aktorë globalë. Sot kam dëshirë që të thellohem në lidhje me këtë çështje.

Historia jonë e afërt vërteton se stabiliteti nuk është vendosur në asnjë vend, në të cilin ka pasur ndërhyrje të aktorëve globalë apo koalicioneve ndërkombëtare të udhëhequra nga aktorët globalë. Përkundrazi, mund të thuhet pa rezerva e pa doreza se paqëndrueshmëria ka fituar vazhdimësi në rajonet që janë përballur me ndërhyrjen e aktorëve globalë. Këto shtete, përgjithësisht, kanë përjetuar më shumë vdekje, lot/gjakderdhje, valë të mëdha emigracioni dhe kriza ekonomike duke u bërë gjithnjë e më tepër të pavolitshme për të jetuar.

Një retrospektivë e shpejtë e krizave të së shkuarës jo të largët, ku janë përfshirë aktivisht aktorët globalë, do të nxjerrë në pah këtë realitet të hidhur.

Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) është varrosur tashmë prej më se dy dekadash në faqet e historisë. Por kriza në Afganistan, e cila nisi pikërisht me uzurpimin e tij nga Bashkimi Sovjetik, vazhdon ende pavarësisht vuajtjeve e dhimbjeve të shumta.

Vërtet, Saddam Husseini ishte një diktator. Nën regjimin shtypës të Saddamit u viktimizuan dhe keqtrajtuan seriozisht shumë njerëz. Mirëpo, pasi u pa se ç'e gjeti Irakun me ndërhyrjen e aktorëve globalë, sa është përqindja e irakianëve që do të preferonin Irakun e sotëm dhe jo Irakun e Saddamit?

Sa shpresë kanë libianët për ardhmërinë e një Libie të copëtuar, të plaçkitur nga ndërhyrja e aktorëve globalë?

Po Siria? Ç'lloj e ardhmeje mund të parashikohet me ndërhyrjen e aktorëve globalë në Siri, ku është zhvendosur gati e tërë popullsia e vendit, janë vrarë qindra-mijëra njerëz dhe janë shpërfytyruar tërësisht qytete simbol të civilizimit si Damasku e Halepi?

Pakistani, vend që ka paguar çmimin më të madh si pasojë e luftës dhjetëravjeçare në Afganistan, përballet sot me një krizë më të rëndë në krahasim me vitet e mëparshme, nën kërcënimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sa paqe/qetësi u ka sjellë myslimanëve boshnjakë Marrëveshja e Dejtonit, të cilën Alija, një nga udhëheqësit më të virtytshëm të njerëzimit, u detyrua me kërcënime, shantazhe dhe premtime të papërmbushura që ta nënshkruante? Katilët serbë, që groposën në varre masive myslimanët boshnjakë, janë dënuar me radhë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi (ICTY), por Bosnjë-Hercegovina është bërë një vend që nuk bën çap duke u copëtuar ndërmjet serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve.

Drama e myslimanëve rohingianë/arakanas, të cilët Mianmari po i detyron me forcë që të emigrojnë duke u djegur shtëpitë dhe bërë masakra të pamëshirshme ndaj tyre, nuk është në interesin e komunitetit ndërkombëtar apo aktorëve globalë, sepse momentalisht ata po strehohen në Bangladesh, pasi nuk vijnë dot në Perëndim për shkak të distancës së madhe. Ndërsa kur kjo çështje të hyjë në fushën e interesit tyre, mbetet e paqartë nëse do të arrihet apo jo një zgjidhje më e drejtë.

Sheshit duket edhe gjendja e Palestinës si pasojë e ndërhyrjeve të aktorëve globalë në procesin e qindvjeçarit të fundit: Një Palestinë, të cilës po i pakësohen territoret çdo ditë e më shumë për shkak të pushtimit izraelit, si dhe palestinezët, që jetojnë më tepër në kushtet e burgut gjysmë të hapur nga ngushtimi i përditshëm i hapësirave të lirisë...

Ka edhe mjaft shembuj të tjerë pa as më të voglin dyshim.

Mjerisht, të gjithë shembujt e lartpërmendur janë kriza me të cilat janë përballur rajonet myslimane. Kjo situatë gjithashtu duhet të shpjegohet dhe të vlerësohet.

Përse bëhen më të qëndrueshme problemet me ndërhyrjen e aktorëve globalë?

Arsyeja ndoshta më thelbësore e kësaj situate është mendësia e aktorëve globalë; këndvështrimi i tyre për politikën ndërkombëtare jo i indeksuar në parime, drejtësi, ligje dhe vlera, por në interesa. Deklarata e bërë këtë javë nga raportuesja e Bashkimit Evropian për Turqinë, znj. Kati Piri, se organizata separatiste terroriste PKK, vrasëse e 40.000 njerëzve, nuk përbën kërcënim për Unionin, denoncon qartë këtë pikëpamje. Këndvështrimi në fjalë është një qasje shqetësuese në emër të njerëzimit, e cila nuk ka asnjë shqetësim, ankth apo virtyt në lidhje me terrorizmin për sa kohë që ai nuk sulmon vetë atë. Kjo qasje nuk është familjare për qytetërimin tonë. Ne s’mund të shohim asnjë problem me një vizion imperialist. E kemi të pamundur që të përvetësojmë një këndvështrim, i cili s’njeh kurrfarë parimi, shfrytëzon/përdor çdolloj metode për të arritur synimin dhe është i aftë të manipulojë çdo gjë për interesat e tij. Në civilizimin tonë edhe lufta e ka një ligj. Ne kemi një këndvështrim që nuk e transformon ligjin në një mjet të luftës, por që e fut edhe luftën në një kornizë ligjore dhe që luftën e bën të ligjshme vetëm në atë kornizë.

Qasja e aktorëve globalë, të cilët kanë një koncept të politikës së jashtme të indeksuar jo në vlera/drejtësi, por në interesa dhe që s’njohin asnjë kufi për t’ia arritur qëllimit, është me siguri në këtë kontekst edhe për problemet e mësipërme, edhe për krizat në rajonin tonë.

Në këtë kuadër, aktorët globalë mund të jenë vetë burim dhe bartës i krizave në rajonin tonë.

Aktorët globalë mund të mbështesin krizat rajonale, siç vërehet shpeshherë, për të dëmtuar njëri-tjetrin. Ata mund të duan të përdorin vendet/njerëzit e rajonit si tokmak për të dëmtuar të tjerët për qëllimet e tyre imperialiste.

Edhe pse ka gjasa të mos jenë vetë shkaktarë, aktorët globalë mund të aspirojnë zgjatjen apo zgjerimin e krizave ekzistuese dhe të zhvillojnë politika në këtë drejtim. Qëndrimi i SHBA-së në Siri është një shfaqje konkrete e kësaj situate.

Aktorët globalë mund t’i shohin krizat rajonale si një mundësi komerciale për veten e tyre në aspektin e vëllimit masiv të shitjeve të armëve që ata bëjnë.

Nga ana tjetër, aktorët globalë thuajse nuk preken aspak nga vuajtjet apo viktimizimet e shkaktuara nga krizat rajonale. Kostot e rënda të krizave po i paguajnë vendet e rajonit.

Aktorët globalë nuk janë të përhershëm në rajon. Farat e përçarjes, që do të mbillen në popujt e rajonit, s’do të kenë ndikim mbi ta.

Për arsyet e shpjeguara më sipër, zgjidhja e krizave rajonale duhet të kërkohet – mbi të gjitha – me koalicione rajonale, kurrsesi me të tilla ndërkombëtare, të cilat nuk do të paguajnë asnjë kosto.

Sigurisht që problemet nuk shkaktohen vetëm nga aktorët globalë. Në të vërtetë, burim i krizave dhe shkak i ndërhyrjeve të aktorëve globalë janë përgjithësisht qëndrimet e vendeve të rajonit. Megjithatë gabimet e vendeve të rajonit janë temë për një artikull të veçantë. Unë po flas për një metodë, e cila duhet ndjekur në lidhje me zgjidhjen e krizave rajonale, ose për pasojat e metodës së gabuar që ndiqet.

Nëse zgjidhja nuk kërkohet në nivel rajonal, atëherë vendet e rajonit do të dëmtohen, siç edhe janë duke u dëmtuar, nga kacafytja e aktorëve globalë.

Mund të kemi me të drejtë kritika shumë të justifikuara në lidhje me politikat ekspansioniste, sektare dhe raciste të vendeve fqinje. Mund të ndihemi me të drejtë shumë keq nga përpjekjet për të gjetur zgjidhje rajonale për shkak të këtyre politikave të vendeve të rajonit. Por, sikurse dhe në shembujt e mësipërm, ndërhyrja e aktorëve globalë në problemet rajonale nuk i zgjidh krizat në rajon, veçse i thellon më tej ato. Dhe krizat me trajtë më të qëndrueshme i bëjnë vendet e rajonit më të hapura për ndërhyrjet ndërkombëtare. Kjo situatë armiqëson gjithnjë e më shumë bijtë e së njëjtës hapësire gjeografike, të cilët vëllazërojnë prej mijëra vitesh, duke zhvlerësuar tërësisht rajonin ku ata jetojnë. Prandaj duhet të sforcohen deri në fund të gjitha mundësitë/opsionet që krizat rajonale të zgjidhjen medoemos me vendet e rajonit.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme