Koment – Zgjerimi, emigracioni dhe buxheti, prioritete të presidencës austriake të BE-së

Menaxhimi i çështjes migratore, objekt i një marrëveshje të brishtë në samitin e zhvilluar në Bruksel, do të jetë dosja prioritare e presidencës së radhës austriake të Bashkimit Evropian që fillon zyrtarisht nga e diela dhe do të zgjasë gjashtë muaj...

Koment – Zgjerimi, emigracioni dhe buxheti, prioritete të presidencës austriake të BE-së

Menaxhimi i çështjes migratore, objekt i një marrëveshje të brishtë në samitin e zhvilluar në Bruksel, do të jetë dosja prioritare e presidencës së radhës austriake të Bashkimit Evropian që fillon zyrtarisht nga e diela dhe do të zgjasë gjashtë muaj.

Austria për presidencën e saj të tretë të BE-së ka zgjedhur moton “Një Evropë që mbron”, duke iu bashkuar shqetësimeve të shumicës së vendeve anëtare.

Përveç kësaj çështjeje shumë të nxehtë, të cilën Vjena e kishte vendosur në krye të listës së saj para se krerët evropianë të diskutonin mbi fatin e refugjatëve, qeveria e Kancelarit Sebastian Kurz pritet gjithashtu të fokusohet në negociatat për buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Austria gjithashtu ka fiksuar si objektiv edhe përparimin në fushën e zgjerimit të Unionit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zgjerimi i BE-së

Austria, për shkak të pozicionit qendror në Evropë dhe historisë së saj, mbështet një integrim më të lartë në Union të fqinjëve të saj të Ballkanit Perëndimor dhe e paraqet si një prej prioriteteve të presidencës së saj të BE-së.

Ajo insiston mbi rëndësinë e stabilitetit të fqinjëve të saj dhe mbështet idenë e një paraaderimi të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore në BE.

“Ky rajon është pjesë e Evropës në aspektin e politikës ekonomike dhe të sigurisë, si dhe është shfaqur një partner i besueshëm gjatë krizës migratore”, shpjegon Vjena.

Megjithatë Austria rrezikon të mos arrijë rezultate konkrete. Të martën që kaloi, BE-ja vendosi të hapë negociatat për aderim me Shqipërinë dhe Maqedoninë në korrik 2019. Vjena preferonte që kjo të ndodhte gjatë presdiencës së saj.

Megjithatë qeveria austriake synon të shoqërojë këto vende në rrugën e tyre drejt BE-së.

Emigracioni

Kriza politike e gjeneruar nga sfidat migratore është dosja numër një që Vjena do të duhet të menaxhojë me 27 vendet e tjerat të BE-së. Marrëveshja e arritur të premten mbetet e paqartë në lidhje me mënyrën e aplikimit, kryesisht mbi krijimin e të ashtuquajturave “platforma zbarkimi” të emigrantëve jashtë BE-së.

Qeveria e Kancelarit Kurz, aleate me partinë e ekstremit të djathtë FPO, mbron një linjë të ashpër, kërkon një politikë migratore evropiane më të fortë duke kaluar kryesisht nga një përforcim i kufijëve të jashtëm të BE-së.

Buxheti i BE-së

Një tjetër sfidë e madhe e presidencës austriake është që të përparohet në negociatat mbi buxhetin afatgjatë të BE-së për periudhën 2021-2027.

Këtë javë, Kurz e vlerësoi të mundshme arritjen e një marrëveshje para zgjedhejve parlamentare evropiane.

Negociatat për buxhetin shumëvjeçar të BE-së janë të komplikuara për shkak të shkurtimeve të propozuara nga Komisioni Evropian në lidhje me Politikën Bujqësore të Përbashkët dhe për rajonet.

Nga ana tjetër, ky buxhet pritet të sjellë shumë risi, pasi për herë të parë do të mundësojë financimin e kapaciteteve ushtarake dhe të infrastrukturave të përdorshme nga ushtria dhe do të japë mjete financiare për Evropën e Mbrojtjes.



Lajme të ngjashme