Koment – Qyteti Dera në objektivin e regjimit të Esadit

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara...

Koment – Qyteti Dera në objektivin e regjimit të Esadit

Koment – Qyteti Dera në objektivin e regjimit të Esadit

*Can ACUN

Sulmet e regjimit të Esadit të mbështetura nga Rusia dhe Irani ndaj Deras në jug të Sirisë, po vazhdojnë ende. Ndërkohë që forcat e regjimit kanë arritur përfitime të mëdha me sulme ndaj  Deras, që është njëra prej bastioneve të opozitarëve sirianë dhe prej ku filloi revolucioni i Sirisë, civilët nga kjo zonë janë arratisur në kufirin me Jordaninë. Në kufirin Jordani-Siri po jetohet një dramë e madhe njerëzore pasi Jordania nuk i hapi portat kufitare. Pamundësia e bashkëveprimit të opozitarëve ushtarak sirianë kundër regjimit dhe marrëveshja e arritur mes regjimit dhe disa grupeve të armatosura me ndërmjetësimin e Rusisë, bënë që një numër i madh i qyteteve të kalojnë në duart e regjimit pa luftuar fare. Ndërkaq një dimension tjetër i zhvillimeve në jug të Sirisë është edhe tensionimi mes Izraelit dhe Iranit. Afrimi i strukturave të milicisë të mbështetura nga Irani në kufirin e Izraelit mund të përshkallëzojë edhe më shumë tensionimin mes dy vendeve.

Në fillim të muajit qershor në opinionin publik filluan të qarkullojnë lajmet se regjimi i Esadit ka filluar me përgatitje për një operacion ushtarak të drejtpërdrejtë ndaj Deras. Ndërkaq përgatitjet nga aspekti ushtarak dhe dislokimi i trupave në këtë zonë që u kryen më pas kanë qenë lajmëtarë për fillimin e operacionit. Gjatë viteve që lamë pas në zonën e Deras u jetuan konfliktet e armatosura serioze mes forcave të regjimit dhe opozitarëve sirianë. Kështu që Rusia dhe ShBA-ja arritën në marrëveshje në lidhje me këtë zonë dhe e shpallën si zonë e çtensionimit. Mirëpo para fillimit të operacioneve zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deklaruan se nuk do të mbrojnë opozitarët sirianë dhe se kanë pezulluar mbrojtjen politike ndaj tyre. Në komunikatën e dërguar liderëve të grupeve opozitare siriane nga ambasada e ShBA-së në Jordani thuhej se ShBA-ja krahas të gjitha marrëveshjeve dhe premtimeve nuk do ti mbrojë përballë Rusisë dhe regjimit. Menjëherë pas fillimit të sulmeve ajrore të Rusisë dhe regjimit të Esadit ndaj zonës së Deras, nga baza ajrore ruse në Hmejmim u tha se zona e çtensionimit e Deras është anuluar.  

Pjesa e madhe e banorëve të Deras jetonin në shtëpitë e tyre pasi kjo zonë për një kohë të gjatë ka jetuar relativisht në paqe. Mirëpo fillimi i operacioneve të Rusisë, Iranit dhe regjimit të Esadit ndaj Deras dhe sulmet ajrore nxitën një valë të madhe të migrimit. Mbi 270 mijë persona u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se 40 mijë refugjatë arritën në kufirin e Jordanisë dhe po tentojnë të kalojnë në këtë vend. Pas pranimit të 650 mijë refugjatëve sirianë, Jordania po zbaton politika të portave të mbyllura ndaj refugjatëve të tjerë sirianë. Edhe pse Jordania ndërmerr fushata të shumta të ndihmave humanitare për sirianët matanë kufirit, civilët janë në rrezik të madh për shkak të avancimit të forcave të regjimit në Dera. Kështu që OKB-ja i bëri thirrje Jordanisë për tihapur portat kufitare.

Ndërkaq në zonën e Deras po vazhdojnë luftimet mes Rusisë, Iranit, regjimit të Esadit dhe opozitarëve sirianë. Menjëherë pas vënies së shpejtë nën kontroll të zonës Laxhat nga forcat e regjimit shumica e grupeve opozitare me ndërmjetësimin e Rusisë arritën në marrëveshje me regjimin. Opozitarët i dorëzuan forcave të regjimit armët e tyre dhe qytetet Dael, Bosra Al-Sham dhe Ibta. Në anën tjetër fakti që vazhdon mbështetja intensive nga ajri e Rusisë dhe ndërprerja e ndihmave të ShBA-së bëri që opozitarët sirianë, të cilët vazhdojnë me rezistencë të armatosur, të dobësohet përballë forcave të regjimit. Ndërkaq vendi tjetër që ndikohet nga zhvillimet në jug të Sirisë është edhe Izraeli. Dihet se para fillimit të operacioneve Izraeli  zhvilloi bisedime me Rusinë dhe arriti në marrëveshje që milicët pro-iranian të mos marrin pjesë në operacion. Mirëpo zhvillimet në terren tregojnë se Irani dhe milicët pro-iranian janë pjesëmarrës në operacionet ndaj Deras. Operacionet ajrore që Izraeli ndërmori disa herë ndaj strukturave të Iranit dhe milicëve pro-iranian, si dhe afrimi i milicëve në kufirin e Izraelit do të mund të shkaktojnë tensionime të reja mes dy vendeve.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara. 



Lajme të ngjashme