Japoni – Rritet në 195 numri i viktimave nga shirat e rrëmbyeshme

Është rritur në 195 numri i viktimave nga përmbytjet dhe shkarjet e tokës si pasojë e shirave të rrëmbyeshme në zonat perëndimore të Japonisë...

Japoni – Rritet në 195 numri i viktimave nga shirat e rrëmbyeshme

Është rritur në 195 numri i viktimave nga përmbytjet dhe shkarjet e tokës si pasojë e shirave të rrëmbyeshme në zonat perëndimore të Japonisë.

Siç njofton agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo”, numri i të vdekurve ende mund të rritet, pasi rreth 60 persona mbeten të zhdukur.

Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive në Japoni bëri me dije se aksionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura, përfshi këtu prefekturat Hiroshima, Okajama dhe Ehime, vazhdojnë me mbi 70 mijë ekspertë të angazhuar nga ekipet e Mbrojtjes Civile, Rojës Bregdetare, Policisë dhe Zjarrfikëses , ndërkohë që rreth 6.700 persona po strehohen në qendrat e evakuimit.

Më shumë se 5,9 milionë njerëz janë urdhëruar ose këshilluar të evakuojnë banesat e tyre në 19 prefektura.

Shumica e rasteve me pasojë vdekjen janë regjistruar në Hiroshima, ku qindra banesa janë dëmtuar. Viktima të tjera janë raportuar në Ehime, Okajama, Jamaguçi, Kioto, Gifu, Shiga, Hiogo, Koçi dhe Fukuoka.

Kryeministri Shinzo Abe shtyu turneun e vizitave në Belgjikë, Francë, Arabi Saudite dhe Egjipt, planifikuar të niste të mërkurën, për t’u dhënë përparësi qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.



Lajme të ngjashme