• Video galeri

Koment – Rrethi i Drejtësisë

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Rrethi i Drejtësisë

Koment – Rrethi i Drejtësisë

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Liderët botërorë u mblodhën javën e kaluar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sesionin 73. të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ato çfarë lanë gjurmë këtë vit në Debatin e Përgjithshëm të OKB-së ishin prononcimi kundër globalizimit i Presidentit amerikan, Donald Trump; mbrojtja e bashkëpunimit global nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, një fjalim ky në cilësinë e përgjigjes ndaj Trumpit; thirrja e bërë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për drejtësi dhe reformim të OKB-së përmes parullës së tij “bota është më e madhe se 5”; si dhe pjesëmarrja e Kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern, së bashku me foshnjën e saj 3-muajshe.

Megjithatë në artikullin e sotëm nuk dua të fokusohem mbi ato çfarë spikatën në sesionin 73. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por mbi apelin e Presidentit Erdogan për drejtësi. Ai tërhoqi vëmendjen mbi deficitin global në drejtësi duke sjellë në kujtesë “rrethin e drejtësisë”, një traditë apo koncept i vjetër turko-islam. Ja se çfarë tha kreu i shtetit turk:

“Në qytetërimin tonë ekziston një rreth që bazohet në ndërtimin dhe funksionimin më të mirë të mundshëm të marrëdhënieve ndërmjet shoqërisë, ligjit, administratës shtetërore, pushtetit shtetëror, ekonomisë dhe drejtësisë, të cilin ne e quajmë ‘rrethi i drejtësisë’. Zinxhirët e këtij rrethi, të cilët kanë që të gjithë lidhje me njëri-tjetrin, në botën e sotme janë bërë copë e çikë në shumë vende. Ja pra, kjo është edhe arsyeja pse bota jonë sot përpëlitet në thonjtë e paqëndrueshmërisë politike, sociale dhe ekonomike. Për të ardhmen e sigurt dhe paqësore të të gjithëve, ne kemi detyrimin që të përmbyllim me vendosjen e drejtësisë atë luftë që njerëzimi ka nisur me kërkimin e drejtësisë. Nëse sot pasuria e 62 personave më të kamur të botës është e barabartë me atë të 3,6 miliardë njerëzve, që është pothuajse gjysma e popullsisë së përgjithshme të planetit tonë, atëherë këtu ka një problem.”

Për të kuptuar më mirë pse z. Erdogan vuri theksin mbi drejtësinë, më parë duhet t’u hedhim një vështrim zhvillimeve të kohëve të fundit në lidhje me vlerat universale të Perëndimit. Kampion pas Luftës II Botërore i koncepteve si të drejtat e njeriut, liria dhe barazia, sot Perëndimi po u largohet me shpejtësi të madhe këtyre vlerave. Padrejtësitë kundër emigrantëve dhe myslimanëve në vendet perëndimore janë bërë gati rutinë dhe të zakonshme. Gjuha e urrejtjes ndaj të huajve nuk është më problem, ndërsa partitë raciste rrisin votat e tyre dhe ndajnë pushtetin si koalicion. Forcat politike në disa vende perëndimore mund të ngjiten në pushtet vetëm përmes refuzimit të refugjatëve. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian po e shqyrtojnë çështjen e refugjatëve vetëm në aspektin e sigurisë kufitare dhe po formojnë një ushtri për këtë qëllim. Nëse refugjatët vdesin në vendet e tyre apo qëndrojnë në shtete që përfaqësojnë ndërgjegjen e njerëzimit, siç është Turqia, atëherë s’ka asnjë problem për Perëndimin. Sot ne kemi evoluar në një botë ku vlerat universale njerëzore duhet të mbrohen më shumë kundër Perëndimit.

Kur e shohim nga aspekti i Turqisë, drejtësia është vlera dhe koncepti më themelor edhe i besimit tonë, edhe i qytetërimit tonë, edhe i historisë sonë. Së pari duhet të ketë drejtësi, pasi liria dhe barazia janë parime imanente dhe të pandara prej saj. Fjala “shtet” në proverbin “drejtësia është baza e shtetit”, e cila na ka udhëzuar për shekuj me radhë dhe sot gjendet e shkruar në të gjitha gjykatat tona, nuk ka vetëm kuptimin e saj të mirëfilltë, por njëherësh do të thotë mall, pronë, gjë, vend dhe rend. Nevoja për drejtësi në traditën tonë është institucionalizuar me anë të vizionit dhe praktikës së “rrethit të drejtësisë”, një rend apo sistem politik, shoqëror, ushtarak, financiar, tregtar dhe ekonomik që fillon me drejtësi dhe mbaron me drejtësi.

Mbi rrethin e drejtësisë flitet në veprën e famshme “Kutadgu Bilig” (Njohuri që sjellin lumturi ose Njohuri për të bërë shtet - 1069) të Jusuf Has Haxhib Balasagunit, në atë me titull “Ahlak-i Alai” (Dituria e Moralit – 1564) të Kënallëzade Ali Çelebi Efendiut dhe në shumë vepra të tjera të rëndësishme të traditës turko-islame. Besimi, opinioni dhe qasja jonë tradicionale se drejtësia është baza e gjithçkaje, se pa vendosur drejtësinë s’mund të flitet as për shtet, as për pronë dhe as për të bërë popullin të lumtur, quhet rrethi i drejtësisë. Në rrethin apo qarkun e drejtësisë rendi botëror dhe i shtetit krahasohet me hallka apo unaza që fillojnë dhe mbarojnë me drejtësinë. Ajo çfarë mundëson shpëtimin e botës dhe rendin shtetëror është drejtësia në hallkën e parë. Në hallkën e dytë bota krahasohet me një vresht apo kopsht të mbështetur në murin e shtetit. Në hallkën e tretë është ligji ai që i jep rregull shtetit. Në hallkën e katërt thuhet se ligji s’mund të mbrohet pa një sovran (sundimtar). Në hallkën e pestë nënvizohet se sovrani nuk mund t’i dalë për zot shtetit pa një ushtri. Në hallkën e gjashtë dhe atë të shtatë të rrethit tërhiqet vëmendja se ushtria është e pamundur të formohet pa mbledhur mallra (taksa) dhe se populli është ai që do të mbledhë mallra (taksa). Kurse në hallkën e tetë dhe të fundit të rrethit theksohet përsëri drejtësia, sikurse dhe në hallkën e parë. Sepse vetëm drejtësia e bën popullin, i cili duhet të ketë të ardhura të caktuara për të paguar taksat, që t’i bindet autoritetit apo organit qendror më të lartë administrativ. “Mundëso jetën e njeriut që të jetojë shteti”, një prej thënieve proverbiale të Sheh Edebaliut, mund të konsiderohet si thelbi i marrëdhënieve njeri-drejtësi-shtet.

Nëse sot rendi global vihet seriozisht në pyetje, nëse OKB-ja ka nevojë urgjente për reforma – siç e thekson shpeshherë edhe z. Erdogan, nëse njerëzit e pafajshëm enden sa në një kontinent në tjetrin vetëm pse dyert iu përplasen në fytyrë, atëherë ky rend s’mund të vazhdojë më kështu. Nëse foshnjat e braktisura në mëshirën e fatit dhe në kthetrat e vdekjes pyeten se cili ishte faji juaj, vallë a nuk do të ishte përgjigjja një mundim i rëndë dhe një turp i madh për njerëzimin dhe të gjithë ne? Theksi i Presidentit të Republikës së Turqisë mbi rrethin e drejtësisë është një thirrje që synon të shpëtojë edhe Perëndimin, në mënyrë që një botë e tërë të mos zgërlaqet nën barrën e egërsisë mizore. Pasi, siç ka këshilluar para 1.000 vitesh edhe Veziri i Madh i Perandorisë Selxhuke, Nizam al-Mulk, “me blasfemi mund të edukohesh, por jo me mizori”!

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme