Koment – Sanksionet ndaj Iranit dhe pasojat e mundshme

Vlerësimi i Can Acun, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara...

Koment – Sanksionet ndaj Iranit dhe pasojat e mundshme

Koment – Sanksionet ndaj Iranit dhe pasojat e mundshme

*Can ACUN

Pas tërheqjes së Presidentit të ShBA-së, Donald Trump në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin që u nënshkrua si rezultat i negociatave të zhvilluara në formatin P5+1 gjatë mandatit të Presidentit Barack Obama, Departamenti amerikan i Thesarit më 7 gusht filloi me zbatimin e fazës së parë të sanksioneve ndaj Iranit. Ndërkaq faza e dytë filloi më 5 nëntor pas skadimit të afatit prej 180 ditëve të vendosur nga administrata e ShBA-së. Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshijnë sektorët e energjisë, atë bankar, logjistik dhe kompanitë e sigurimeve.

Me fazën e parë të sanksioneve të vendosura nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës synohej pengimi i qasjes së Iranit në dollarin amerikan, shitja e bonove shtetërore, tregtia me metale të çmuara si floriri, argjendi dhe të tjera, tregtia me çelik, alumin, thëngjill si dhe importi i avionëve komercial dhe të pjesëve të këmbimit të tyre. Ndërkaq në fazën e dytë të sanksioneve janë vendosur kufizimet ndaj Kompanisë Kombëtare të Naftës së Iranit, Kompanisë së Tregtimit të Naftës së Iranit dhe Kompanisë Kombëtare të Tankerëve, ndërsa do të sanksionohet edhe tregtia e naftës dhe produktet e petrokimisë prej të cilave është e varur në masë të madhe ekonomia e Iranit.

 

Në mesin e sanksioneve të rëndësishme të vendosura ndaj Iranit me tërheqjen e njëanshme të Presidentit të ShBA-së Donald Trump nga marrëveshja bërthamore, është edhe sistemi SWIFT që zbatohet mes bankave botërore gjatë transferit elektronik. Në deklaratën e bërë nga qendra SWIFT në kontekstin e sanksioneve të ShBA-së u tha se “SWIFT ka pezulluar qasjen e disa bankave iraniane në sistem”. Një tjetër qëllim i sanksioneve të aplikuara ndaj Iranit janë edhe institucionet financiare. Me anë të këtyre sanksioneve u kufizuan veprimet e Bankës Qendrore të Iranit dhe të disa institucioneve financiare të këtij vendi. Gjithashtu Departamenti amerikan i Thesarit deklaroi se në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe mbi 700 qytetarë dhe institucione iraniane.

Krahas të gjitha sanksioneve të zbatuara ndaj Iranit, këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton tha se “Sanksionet që po zbatohen aktualisht ndaj Iranit do të shtohen edhe më shumë. Nuk do të mjaftohemi me nivelin e sanksioneve të vendosura nga ish-Presidenti Barack Obama”.

Nga sanksionet e ShBA-së përkohësisht janë përjashtuar vendet si Kina, India, Italia, Greqia, Turqia dhe vendet tjera. Në përgjigje të një pyetje të drejtuar në këtë kontekst Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “Asgjë nuk është e qartë në këto sanksione, por megjithatë ne nuk i vlerësojmë si të drejta ato. Sepse sipas mendimit tim të gjitha sanksionet janë hapa të hedhura në drejtim të prishjes së ekuilibrit botëror. Këto janë në kundërshtim edhe me ligjin ndërkombëtar edhe me diplomacinë. Tani bota dëshiron ta përjetojë procesin e bazuar në paqe. Pra, nuk duam të jetojmë në një botë imperialiste, nuk duam të jetojmë me presione imperialiste. Ne duam një botë ku të gjithë njerëzit jetojnë të qetë në paqe dhe siguri. ‘Unë kam mjetet dhe fuqinë, prandaj mund të bëj çdo gjë’, kjo nuk duhet të jetë kështu. Aktualisht pothuajse të gjitha vendet e BE-së nuk shikojnë pozitivisht në këtë çështje. Të gjithë kanë mendime tjera për këtë”.

 

Presidenti Erdogan gjithashtu tërhoqi vëmendjen në importin e energjisë nga Irani, ndërsa shtoi se “Qëndrimi ynë ndaj sanksioneve çdo herë ka qenë i qartë. Posaçërisht kur bëhet fjalë për naftë ne vazhdimisht kemi thënë se këto janë gjëra pa alternativë prandaj ne edhe nuk do t’iu përmbahemi sanksioneve. Aktualisht ne nga Irani marrim 10 miliardë metra kub të gazit natyror. Në qoftë se ne nuk e marrim këtë gaz qytetarët tanë do të kenë vështirësi gjatë dimrit nga i ftohti. Ne nuk i përmbahemi dhe nuk pranojmë një gjë të tillë”. Në mënyrë të ngjashme edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov ka thënë se sanksionet e ShBA-së ndaj Iranit nuk janë legjitime dhe paraqesin shkelje të hapur të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në mesin e vendeve tjera, të cilat kundërshtuan sanksionet e ShBA-së ndaj Iranit ndodhen edhe Franca, Kina dhe Gjermania. Megjithatë kompanitë e rëndësishme të vendeve që dalin kundër sanksioneve njoftuan se do ti përmbahen sanksioneve për shkak të fuqisë, hegjemonisë dhe ndikimit të ShBA-së në botë.       

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA). 



Lajme të ngjashme