Analizë - Qeveri e re, shpresa të reja në Rumani

Edhe pse sipas shifrave duket sikur anëtarësimi në BE i ka sjellë Rumanisë disa përfitime ekonomike, për qytetarët e thjeshtë jeta e përditshme vazhdon të jetë ende e shtrenjtë.

Romanya-nın yeni hükümeti
Romanya devlet başkanı klaus iohannis
Romanya dışişleri bakanı-Teodor Melescanu
romanya sandık başında.jpg

PODCAST – Qeveria e re ngjall shpresa të reja tek rumunët

Data 1 janar 2017 ishte 10-vjetori i anëtarësimit të Rumanisë në Bashkimin Evropian (BE). Edhe pse anëtarësimi në BE duket se i ka sjellë Rumanisë disa përfitime ekonomike, për qytetarët e thjeshtë jeta e përditshme vazhdon të jetë e shtrenjtë. Qeveria e Sorin Grindeanu, e cila detyrën e mori të mërkurën e kaluar, njoftoi se do të marrë masa për të rritur mirëqenien e qytetarëve. Megjithëse qeverinë e re e presin sfida të mëdha në fushën e ekonomike, me krijimin e qeverisë Grindeanu, Rumania u kthye nga pragu i një krize të madhe politike. 

Në vitin 2007, kur Rumania u pranua si anëtare e Bashkimit Evropian (BE), të ardhurat për frymë ishin sa 43% e mesatares së vendeve të BE-së, kurse në fund të 2015-ës kjo shifër u rrit deri në 57%. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it gjatë të njëjtës periudhë raporti i njerëzve që bënin pjesë në riskun e varfërisë dhe të përjashtimit social në Rumani nga 47% ra në 37,4%.

Në periudhën janar 2007 – nëntor 2016 Rumania ka siguruar nga Bashkimi Evropian një fond të pakthyeshëm me vlerë totale 40,5 miliardë euro. Kurse kontributi i Rumanisë për të njëjtën periudhë në buxhetin e BE-së ka mbetur i kufizuar me 13,6 miliardë euro. Po të shikojmë këto të dhëna, duket hapur që Rumania ka siguruar avantazhe ekonomike nga anëtarësimi në BE. Vetëm se populli rumun mendon që nuk ka përfituar shumë nga ky përmirësim ekonomik. Pasi po të shikojmë anketat publike, në vitin 2007 raporti i atyre që deklaronin se ishin në kënaqur nga kushtet e jetesës në Rumani ishte 53%, ndërsa në vitin 2016 ky raport ishte 58%, duke shënuar një rritje vetëm me 5 pikë.       

Përkundër shifrave zyrtare, disa qytetarë besojnë se anëtarësimi në BE e ka varfëruar më shumë Rumaninë dhe e ka lënë atë të përballet me një problem serioz si ai i “ikjes së trurit”. Sipas një raporti të OKB-së sot 3,4 milionë shtetas rumunë punojnë jashtë Rumanisë. Qeveria e Sorin Grindeanu, e përbërë nga koalicioni ndërmjet Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) dhe që zyrtarisht detyrën e mori të mërkurën e kaluar, premtoi se do të krijojë vende pune me të ardhura më të mira, në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të kërkojnë punë jashtë vendit.     

Partia Socialdemokrate (PSD), e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit arriti të dalë forca e parë politike duke marrë 46% të votave, në fushatë kishte bërë premtime socio-ekonomike të natyrës që ishin pakundërshtueshme nga populli. Disa nga këto premtime ishin: paga dhe pensione më të larta për punëtorët dhe pensionistët; shpenzime më të larta publike në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe infrastrukturës; krijimi i fondit për investimet e posaçme; stimulimi i sipërmarrjeve të vogla e të mesme; mbështetje financiare për të rinjtë dhe taksa më të ulëta për të gjithë. Si rrjedhim detyrën më të vështirë në qeverinë e re do ta ketë, Ministri i Financave, Viorel Shtefan. Ministri Shtefan shpreson që të arrijë ti mbajë premtimet e qeverisë në qoftë se ekonomia rumune do të rritet mesatarisht me 5,5% në vit dhe do të ketë mundësi të përdorë fonde më të mëdha të BE-së.  

Sa do që Grindeanu është emëruar Kryeministri i ri i Rumanisë, opinioni është i mendimit se peshën më të madhe në këtë qeverisje do ta ketë Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Liviu Dragnea. Thuhet se në postet më kyçe të qeverisë së re Dragnea ka emëruar njerëzit më të besuar të tij. Dragnea nuk u zgjodh kryeministri i ri i Rumanisë, pasi me një vendim gjyqësor të marrë në prill të 2015-s me akuzën se kishte manipuluar procesin e votimit në referendumin e vitit 2012, ishte dënuar me “përjashtim nga funksionet drejtuese për 2 vjet”.

Më herët si kandidat për kryeministër Dragnea kishte treguar Sevil Shhaideh nga pakica turke në Rumani. Mirëpo Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis përdori të drejtën kushtetuese dhe refuzoi bërjen e Shhaideh kryeministre të vendit. Sipas medias rumune, Sevil Shhaideh, nuk u vlerësua e përshtatshme për postin e kryeministrit për shkak të bashkëshortit të saj, Akram Shhaideh, i cili ka lindur në Siri dhe pretendohet që është një njeri i afërt me regjimin e Esadit. 

Për shkak të Sevil Shhaideh javët e kaluara pati edhe tensione ndërmjet Dragnea dhe Presidentit Iohannis. Por për të mos e shkallëzuar edhe më shumë krizën politike u ra dakord mbi Sorin Grindeanu. Por pavarësisht konsensusit të arritur është e lartë mundësia që marrëdhëniet ndërmjet Dragnea dhe Presidentit Iohannis të jenë problematike edhe në të ardhmen. Për sa i takon Sevil Shhaideh, në qeverinë e re ajo do të jetë zv/kryeministre dhe Ministre e Zhvillimit Rajonal.  

Emërimi i diplomatit me përvojë, Teodor Meleshkanu si Ministër i Punëve të Jashtme, mund të shikohet si një shenjë e asaj që në periudhën që kemi përpara Rumania do të ndjekë një politikë të jashtme edhe më aktive. Meleshkanu ka deklaruar se një rëndësi të veçantë do t’i kushtojë zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me vendet fqinje, diplomacisë ekonomike, diasporës, si dhe forcimit të pozicionit të Rumanisë brenda BE-së dhe NATO-s. Melescanut do ti duhet të përgatisë vendin e tij edhe për kryesinë e radhës së BE-së në vitin 2019.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme