Mjetet e privatizimit hyjnë në treg të Kosovës

Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit që ka për qëllim lejimin e investimeve të mjeteve të fondit të privatizimit në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Kosova_ruhsatsız yapılaşma.jpg
Kosova yerel secim.jpg
Prishtine_Kosova başkenti Priştine genel görüntü.jpg
kosova bayrağı.png
Kosova meclis binası3.jpg

Kosova në Fokusin Javor - Mjetet e privatizimit hyjnë në treg të Kosovës

Qeveria ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Projektligji me ndryshimet e ofruara ka për qëllim lejimin e investimeve të mjeteve të fondit të privatizimit në letrat me vlerë të emetuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. 

Ministri i FinancaveBedri Hamza në mbledhjen e qeverisë, theksoi se mjetet e privatizimit tashmë do të shfrytëzohen që të rritet vlera e tyre.

“Ky projektligj mundëson investimin e mjeteve të privatizimit në tregun e letrave me vlerë të qeverisë dhe në depozitat e afatizuara në BQK. Këto dispozita do të bëjnë që mjetet e privatizimit të shfrytëzohen në mënyrë indirekte, për qëllime të brendshme të republikës së Kosovës, duke u rritur vlerën e tyre”,  ka thënë Hamza.

Përmes këtij projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore, që janë të nevojshme për sektorin publik, njoftoi më tej ministri Hamza.

“Nëpërmjet këtij mekanizmi, qeveria e Republikës së Kosovës si autoritet shpronësues, duhet ti paguajë vetëm 20% të mjeteve financiare të dedikuar për punëtorët përfities të ndërmarrjes shoqërore dhe tarifën administrative për AKP-në, me kusht që të mos ketë konteste tjera”.

Ky mekanizëm synon të adresojë kryesisht nevojat për hapësira e objekte për sektorin publik.

Çështja e tashmë afro 1 miliardë eurosh mjete të privatizimit që janë të ngrira dhe presin pretendimet eventuale për pronësi, ka qenë temë debati që nga paslufta në Kosovë, për nevojën e futjes së tyre në ekonomi. Tani më, si duket kjo çështje ka filluar të merë formë me miratimin e këtij projektligji nga qeveria e vendit.

Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), deri në qershor 2017 ka mbajtur 10 ankande për emetimin e letrave me vlerë. Vlera e shpallur në ankande ishte 220 milionë euro. Sipas afatit të maturimit, struktura e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës vazhdon të tregojë tendencë të zhvendosjes nga letrat me vlerë me maturitet afatshkurtër (364 ditë) në letra me vlerë me maturitet afatgjatë (2 vjet). Ankandi i radhës për letra me vlerë pritet të mbahet më 15 nëntor 2017.

***

Pezullohet privatizimi i tokave shoqërore

Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar përkohësisht, për një afat njëvjeçar, privatizimin e tokave në pronësi shoqërore, periudhë gjatë të cilës do të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për prona me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik dhe investimeve. Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë bëri të njohur vendimin. 
“U miratua masa e pezullimit në afat njëvjeçar, po ashtu e konfirmojë se afati kohor një vjeçar është maksimal, por kjo masë mund të shkurtohet në rast se kryhet punë me kohë edhe ua mundësojmë edhe investitorëve vendorë të cilët parashohin projekte zhvillimore që mund të konkurrojnë për privatizim”, ka thënë Haradinaj.

Nga anëtarë të qeverisë, posaçërisht nga ministrat Bedri Hamza dhe Besim Becaj është kërkuar kujdes në mënyrë që të mos ketë shkelje ligjore me këtë vendim. Megjithatë në fund vendimi u miratua.

***

Kompensim financiar për delegatët e “2 korrikut” 
Në mbledhjen e qeverisë është miratuar vendimi për kompensimin e njëhershëm të delegatëve të legjislaturës 1990 dhe të cilët kanë marrë pjesë në mbledhjen e 2 korrikut 1990 të shpalljes së deklaratës së Pavarësisë dhe në mbledhjen e 7 shtatorit 1990 të shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shuma e ndarë për kompensim të njëhershëm kap vlerën prej 300 mijë eurove dhe do të ndahet proporcionalisht për secilin delegat. Në listën e delegatëve që do të përfshihen në kompensim janë gjithsej 111 delegatë.

Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale, Skender Recica, dha detaje për propozimin.

“Me këtë propozim-vendim është propozuar që për ata deputetë që nuk janë në jetë, kompensimin e plotë financiar të menjëhershëm do ta gëzojnë bashkëshorti apo bashkëshortja i/e delegatit/ës apo fëmija deri në moshën 18 vjeçare dhe nëse janë në studime deri në moshën 26-vjeçare. Me miratimin e këtij propozim vendimi konsiderojmë se përmbushet kërkesa e delegatëve të përbërjes së vitit 1990 dhe familjarëve të tyre duke e marrë parasysh kontributin, moshën dhe gjendjen e tyre ekonomike”, ka thënë ministri.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se më në fund po përmbushet obligimi moral.

“E kemi pasur obligim moral si qytetar dhe si shoqëri besoj, po e përmbushim një të drejtë të mohuar gjatë, Kosova nuk ka harruar asnjëherë me i nderuar ata që kanë qenë në nivel të detyrës”,  ka thënë Haradinaj.

Vendimi në fjalë u miratua nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.

***

Qeveria miraton “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”

Mbledhja e trembëdhjetë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është zhvilluar nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. 
Pas një shqyrtimi që i është bërë gjatë javës së kaluar nga anëtarët e kabinetit qeveritar, Qeveria ka miratuar dokumentin “Prioritetet kyçe të Agjendës Evropiane për vitin 2018”. Tani, Qeveria do të fillojë procesin e diskutimit të prioriteteve me institucionet e BE-së dhe shoqërinë civile.

Kryeministri Haradinaj tha se tani është java finale e përgatitjeve për Këshillin e MSA-së.
“Mendojmë që dinamika e qeverisë së vendit është në respektim të obligimeve të cilat dalin. I kemi dhënë një peshë procesit të MSA-ë në nxjerrjen e prioriteteve”, ka thënë Haradinaj.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se pas kërkesës të kryeministrit, ministria që ajo drejton ka shqyrtuar dhe rishikuar këtë reformë e cila është në kuadër të agjendës evropiane.
Miratimin në parim të Qeverisë, e ka marrë edhe vendimi për lidhjen e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e unionit “Konkurrenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (Cosme) 2014-2020”.
Edhe vendimi për emërimin e Komitetit publiko-privat që përbëhet nga 5 ministri, ka marr miratimin e Qeverisë.

Qeveria po ashtu ka ndarë 290 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për familjet e shtetasve të Kosovës, të dënuar dhe të vrarë në Maqedoni në rastin e njohur si “Kumanova”.
Qeveria në mbledhjen e saj veç tjerash ka miratuar edhe raportin me listën e numrit të Dëshmorëve të Kombit, sipas shënimeve të ofruara nga puna e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të pjesëtarit, veteranit, invalidit dhe dëshmorit të Luftës së UÇK-së.

Numri i dëshmorëve të kombit, sipas listave aktuale është 2961.
Kryeministri Haradinaj po ashtu ka kërkuar nga të gjitha institucionet të veprojnë shpejt dhe drejtë në trajtimin e shpronësimeve të pronave për nevojën e mihjes së thëngjillit, ku ka tendenca të aktiviteteve për ndërtim të objekteve te reja.

“Kemi dëgjuar që veç ka iniciativë të tillë, të gjithë mekanizmat duhet ti marrin përgjegjësitë e veta, përfshirë edhe komunën e Obiliqit edhe gjithkush tjetër që të mos ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Haradinaj.

***

Thjeshtim i procedurave për legalizim të ndërtimeve pa leje 

Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhje. Projektligji trajton në aspektin gjithëpërfshirës të ndërtimeve pa leje, procedurat e thjeshtëzuara për legalizim, ofrim të thjesht të shërbimeve për legalizim (One stop shop) dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje.

Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si dhe komunat e Kosovës kanë evidentuar mbi 350 mijë ndërtime pa leje. Prej këtij numri janë dorëzuar mbi 8 mijë aplikacione për legalizim.

***

Filloi sot fushata zgjedhore në Kosovë, për balotazh

Të hënën më 13 nëntor ka filluar fushata 5 ditore për raundin e dytë të zgjedhjeve për  kryetarë të komunave në Kosovë. Janë 38 kandidatë që garojnë për kryetarë në 19 komuna, për zgjedhjet që do të mbahen të dielën më 19 nëntor.  Ndërkohë balotazhi ka filluar, disa herë është theksuar ideja që balotazhi të hiqet si i panevojshëm në zgjedhje. Këtë madje disa herë e ka shprehur edhe vetë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
“Do të ishte më e lehtë edhe të organizohet, edhe më pak e kushtueshme të kemi vetëm një raund të zgjedhjeve. Pra për kryetarë të komunave të kemi vetëm një raund të zgjedhjeve dhe ai që fiton shumicën të bëhet kryetar”, ka thënë Daka.
Mirëpo me shefen e tanishme të KQZ-së, nuk pajtohet plotësisht ish shefi i KQZ-së Mazllum Baraliu. Edhe pse ka edhe shumë të tjerë, si politikanë ashtu edhe analistë që shprehen për heqjen e balotazhit, Baraliu kërkon një analizë të mirëfilltë për këtë çështje.
“Fjala e fundit nuk do duhej të ishte e subjekteve politike, por do duhej shteti dhe bota akademike të bënte analiza shkencore për të parë përparësitë dhe mangësitë e këtij instituti elektoral dhe pastaj të veprohet”, ka thënë Baraliu.
Ndryshe, nga 19 komuna që janë në balotazh, ndodhen edhe komunat e mëdha, sikur Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Gjilani, Ferizaj e Gjakova, që e bën këtë garë edhe më interesante. Në Prishtinë garon kryetari aktual Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje me kandidatin e LDK-së Arban Abrashi. Në qytetin e dytë më të madh në vend po ashtu garon një kandidat i Vetëvendosjes, është Mytaher Haskuka, i cili sfidon kandidatin e PDK-së Shaqir Totaj. Edhe në Gjilan Vetëvendosje e ka kandidatin e tij në balotazh, është Sami Kurteshi që e sfidon kryetarin aktual, Lutfi Haziri nga LDK. Interesante do të jetë edhe gara në Gjakovë, ku kryetarja aktuale, Mimoza Kusari Lila, tani me parti të re të krijuar nga vet ajo, Alternativa, sfidohet nga kandidati i AAK-së Ardian Gjini. Tashmë shumë kandidatë për kryetarë komunash kanë lidhur edhe marrëveshje koalicioni në mënyrë që të sigurojnë përkrahje më të madhe. Ndryshe, në këtë raund do të jenë mbi 600 qendra të votimit. Të drejtë vote në këto 19 komuna kanë mbi 1 milion e 350 mijë votues.

***

Prej 15 nëntorit shoferët duhet të kenë pajisjet dimërore, përndryshe pasojnë gjobat

Me qëllim të sensibilizimit të shoferëve dhe qytetarëve të cilët lëvizin në rrugë, brenda periudhës 6 mujore (15 Nëntor-15 Mars), secili shofer obligohet me ligj që të bart pajisjet dimërore në mënyrë që t’u përshtaten kushteve të rrugës për ngasje të sigurt. 

Asociacioni Kosovar i Motorizimit (AMRKS) përmes broshurave informuese njofton shoferët e automjeteve të vogla por edhe atyre transportuese lidhur me masat dhe përgatitjet dimërore.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor (nr. 05/l-088), precizon qartë kushtet e ngasjes gjatë kësaj periudhe, ku ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull.

Sipas ligjit në fuqi shoferët të cilët drejtojnë mjetet e tyre pa pajisje dimërore do të dënohen për kundërvajtje me gjobë prej dyzet (40) eurosh, ndërsa shoferët në cilësi të personave juridik ose institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të cilit ka vepruar personi i përcaktuar dënohet për kundërvajtje me gjobë prej njëqind (100) deri në treqind (300) euro.

Gjatë periudhës dimërore dhe dukshmërisë së zvogëluar secili shofer në automjetin e tij duhet t’i kenë dy drita të bardha në pjesën e përparme të mjetit dhe dy drita të kuqe në pjesën e pasme të mjetit, si dhe një sinjal reflektues me ngjyrë portokalli në çdo anë, në të kundërtën do të dënohet për kundërvajtje me gjobë prej tridhjetë (30) euro. 

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme