“Potenciali rajonal, shumë më i madh se tregu i çdo vendi veçmas”

Për eksperten e ekonomisë, Irena Beqiraj, integrimi rajonal ofron potencial të madh në forcimin e ekonomisë së vendit dhe të rajonit, rrit konkurrencën, vizibilitetin e rajonit në tregjet ndërkombëtare, mundësitë e punësimit dhe ul varfërinë.

Balkanlar_Bölgesel İşbirliği2.jpg
Balkanlar_Bölgesel İşbirliği4.jpg
Balkanlar_Bölgesel İşbirliği3.jpg
italya_batı balkan ülkeleri liderler zirvesi.jpg
Balkan Barometresi_2017_Arnavutluk2.png
Balkan Barometresi_2017.jpg

Procesi i Berlinit, i iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel parashtron para vendeve të Ballkanit një plan-veprimi, i cili përmban 120 masa që çdo vend duhet të zbatojë, për të ndryshuar tërësisht mënyrën si komunikojmë me njëri-tjetrin, në termat e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Ndryshe nga disa skeptikë që e shohin integrimin rajonal si një hap që do të godiste prodhimin vendas, sidomos kur flasim për vende në zhvillim, për eksperten e ekonomisë, Irena Beqiraj, integrimi rajonal ofron potencial të madh në forcimin e ekonomisë së vendit dhe të rajonit.

Integrimi zgjeron tregjet, thotë Beqiraj në një intervistë për ATSH-në, ofron mundësi të reja për tregtinë, rrit konkurrencën, vizibilitetin e rajonit në tregjet ndërkombëtare, mundësitë e punësimit edhe ndikon në uljen e varfërisë. Përveç impaktit ekonomik, shton ajo, integrimi rajonal ka një dimension politik, duke ndikuar pozitivisht edhe drejtpërdrejt sigurinë edhe stabilitetin në rajon.

“Duke qenë se vendet e rajonit janë ekonomi të vogla me forcën e punës relativisht të ulët, e vetmja mundësi që të zhvillohen është të jenë pjesë aktive e tregjeve ndërkombëtare, ose e thënë ndryshe, e vetmja rrugë për t’u zhvilluar është zhvillimi i eksporteve. Nëse do të duhet të arrijmë dhe të ruajmë rritje ekonomike më shumë se 6% në vit, duhet që 50% të prodhimit vendas ta eksportojmë”, shprehet Beqiraj.

Besoj që të gjithë shqiptarët, vijon ajo, janë familjar tanimë me të ashtuquajturin model i ri ekonomik, e cili nuk është gjë tjetër, veçse një model ekonomik, ku rritja ekonomike varet nga investimet dhe eksporti, jo më nga konsumi, siç ka qenë deri tani.

“Në një vështrim të shpejtë mund të themi se vendet e rajonit, ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë një portofol eksportesh të pa diversifikuar, që ka në përbërje produkte dhe shërbime me vlerë të ulët që bazohen kryesisht tek puna dhe jo tek teknologjia. Pjesën e luanit në eksportet e rajonit e zë agrikultura dhe mineralet dhe më pak vend industria, megjithëse ka ndryshime në strukturë nga vendi në vend”, deklaron Beqiraj.

Në Shqipëri, sipas saj, këto produkte zënë 1/3 e gjithë portofolit të eksportit. Për znj. Beqiraj, sfidat që përballen ekonomitë e rajonit për të rritur eksportet nuk janë të pakta dhe të thjeshta.

Ekonomia jonë, thotë ajo, përballet me konkurrencë të lartë në tregun europian dhe botëror, adoptim të ulët të teknologjive më të mira, mungesë të ekonomisë së shkallës dhe kuptohet produktivitet i ulët. Këto sfida, thekson ajo, duke qenë tregje të vogla dhe ekonomi të vogla, përballohen më lehtë, më shpejt dhe më me efektivitet nëpërmjet integrimit rajonal dhe ky i fundit, analizon ajo, do të ndihmonte të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor në integrimin e mëtejshëm në ekonominë europiane.

Sipas Beqiraj, çdo politikë ekonomike e ndërmarrë nga qeveria shqiptare duhet t’i përgjigjet pozitivisht pyetjes: a e rrit kjo reformë, kjo politikë, kjo nismë konkurrueshmërinë e ekonomisë apo biznesit shqiptar.

Përveçse është një sfidë e përhershme, Beqiraj vlerëson se lehtësimi i të bërit biznes në Shqipëri është një nga parakushtet për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

“Ne kemi nevojë për reformë ambicioze në kufij edhe përtej tyre. Kemi nevojë për të reduktuar tarifat në importet e ndërmjetme apo të lëndës së parë. Duhet të rrisim konkurrueshmërinë e brendshme duke reformuar rregullat dhe procedurat. Një nevojë urgjente është ristrukturimi i kompanive shtetërore. Investimet në transport duhet të drejtohen nga parimi i rritjes së efiçencës së konektivitetit, me qëllim lehtësimin e tregtisë si dhe duhet të zgjerojmë aftësitë tona në njohjen e teknologjive të reja si dhe në inovacion. Duhet të disponojmë shërbime financiare më të mira, më të shpejta dhe me kosto më të ulët, të cilat rrisin konkurrueshmërinë e produktit shqiptar”, sugjeron Beqiraj.

Integrimi rajonal, shprehet ajo, duhet të bëjë të mundur që investitorët e huaj ta shikojnë rajonin si një treg i vetëm. Në këndvështrimin e saj edhe pse secila ekonomi rajonale po përpiqet të krijojë një klimë biznesi tërheqëse për investitorët e huaj, bashkimi i forcave për të hequr barrierat për investimet rajonale do të ndihmonte çdo vend të rajonit.

“Pavarësisht se tanimë ekziston një agjendë investimesh rajonale, sërish mungon në këndvështrimin tim, koherenca në politikat e përbashkëta të investimeve, të cilat do të promovojnë rajonin si një destinacion investimi”, thotë Beqiraj.

Koherenca rajonale në politikat ekonomike dhe investuese, sipas saj, do të çonte në uljen e kostove dhe në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmerisë.

Ajo shprehet e mendimit se ka ardhur koha të veprojmë me shpejtësi dhe pa humbur asnjë minutë në zhvillimin e një sistemi transporti hekurudhor inteligjent, si dhe për thjeshtëzim të praktikave në kalimin kufitar. Këto dy parametra, nënvizon Beqiraj, do të ulnin shumë kostot e transportit, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme në kostot e produktit që eksportohet.

Beqiraj pranon se procesi është kompleks, ndërsa rendit kushtet që çdo vend duhet të plotësojë që të jetë konkurrues.

Integrimi rajonal është një proces kompleks, i cili mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse janë plotësuar parakushtet e mëposhtme: ka stabilitet strukturor, zbatim të ligjit, ekzistojnë kapacitetet e nevojshme institucionale në nivel kombëtar edhe rajonal për t’a arritur atë. Këto kushte janë po aq të rëndësishme sa stabiliteti makroekonomik dhe infrastruktura. Integrimi ekonomik rajonal është një proces i vështirë. Në mënyrë që të arrihen rezultate të qëndrueshme duhet kohë, një menaxhim i mirë organizuar si dhe mbështetje afatgjatë”, deklaron Beqiraj.

Por e pyetur se cilët do të ishin sektorët që do të kishin impakt negativ nga ky proces, Beqiraj thotë se integrimi rajonal duhet parë si një mundësi për të rialokuar burimet financiare dhe njerëzore, si dhe për të drejtuar frymën e sipërmarrjes në ato sektorë, të cilët do të të ishin më produktivë

“Do të ishte shumë arbitrare nëse do të rreshtoja se cilët sektorë do të vuanin më shumë apo më pak. Sepse në këndvështrimin tim, integrimi rajonal nuk duhet parë si i tillë, por si një mundësi për të rialokuar burimet financiare dhe njerëzore, si dhe për të drejtuar frymën e sipërmarrjes në ato sektorë të cilat do të të ishin më produktivë. Për të arritur këtë është e nevojshme të ndërgjegjësojmë komunitetin e biznesit për të përballuar sfidat e integrimit në një treg të vetëm, siç mund të jetë rritja e konkurrencës si dhe ulja e protektonizmit (mbrojtjes) për industrinë vendase”, deklaron Beqiraj.

Beqiraj rendit edhe disa nga instrumentet, me të cilët qeveria duhet të mbështesë biznesin në këtë proces.

“Një ndër instrumentet, me të cilat qeveria mund të mbështesë biznesin për t’u adaptuar në tregun rajonal shpejt e pa kosto, është krijimi i njësive të inteligjencës së biznesit në nivel kombëtar dhe rajonal, të cilat shpërndajnë informacion për ndryshimet e ndodhura edhe mundësitë e biznesit”, thotë ajo.

Një instrument tjetër me anë të të cilit qeveria do të mbështeste sektorin privat, sipas saj, është përfshirja e këtij të fundit në procesin e negociatave të marrëveshjeve rajonale.

 


Lajme të ngjashme