Kadri Veseli: Europa jo korrekte ndaj Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur dyshime në Bashkimit Europian, i cili sipas tij po tregohet i padrejtë dhe jo korrekt ndaj Kosovës për sa i përket liberalizimit të vizave...

Kadri Veseli: Europa jo korrekte ndaj Kosovës

Kadri Veseli: Europa jo korrekte ndaj Kosovës

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur dyshime në Bashkimit Europian, i cili sipas tij po tregohet i padrejtë dhe jo korrekt ndaj Kosovës për sa i përket liberalizimit të vizave. Veseli konstaton standarde të dyfishta të BE-së, e cila disa vendeve që nuk i dinë as kufijtë, u ka liberalizuar vizat, kurse qytetarëve të Kosovës ende nuk e bën një gjë të tillë. Ai edhe pse beson se liberalizimi do të ndodhë, thotë se Bashkimi Europian po luan një lojë jo-korrekte ndaj Kosovës, vetëm se është një vend i vogël dhe i pafuqishëm.

“Unë shumë besoj, nëse ka drejtësi, po flas nëse ka drejtësi, edhe vlerësohem mbi bazën e liberalizimit edhe të vendeve tjera, me shumë më pak kritere të plotësuara edhe në gjendje shumë më të rëndë. Ka vende brenda BE-së e jashtë BE-së që nuk i dinë kufijtë ku i kanë, me çështje të korrupsionit. Po përmendi konkretisht, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, por edhe vendet këtu fqinje kanë problem shumë më të mëdha se ne. Vetëm se jemi të pafuqishëm të na mbajë të izoluar, nuk është korrekte”, theksoi Veseli.

Krye-parlamentari Veseli ka shtuar tha se ka vërejtur një skepticizëm brenda BE-së, gjatë turit të tij të lobimit për liberalizim që ka mbajtur nëpër disa vende të BE-së. Këto komente, ai i bëri gjatë pritjes në kabinetin e tij, të kryetarit të Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu i cili së fundi është shpallur menaxher i vitit në një organizim në Bosnjë e Hercegovinë.

Vendimi për viza para pushimeve verore

Komisionari për zgjerim, Johanes Hahn, para fillimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Londër, ka dhënë sinjal se vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët, do të merret para pushimeve të kësaj vere. Ai nuk ka ofruar informata se cili mund të jetë ky vendim.

Në Samitin e Bashkimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova përfaqësohet nga kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pjesëmarrës në Samit, është takuar me ministrin për Forca të Armatosura të Britanisë së Madhe, Mark Lancaster. Në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit, thuhet se dy zyrtarët kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për Kosovën si një ndër mbështetëset kryesore të progresit të arritur deri më tani. Falënderojmë gjithë gratë dhe burrat e Mbretërisë së Bashkuar që kanë shërbyer në Kosovë. Kosova është mirënjohëse dhe është aleat i juaji”, ka thënë Haradinaj.   

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj theksoi synimin e Kosovës që sa më shpejtë të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.

E nga ana e tij, ministri për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoj të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Thaçi takohet me kryeministrin e Rusisë Medvedev

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga kryeministri rus Dmitry Medvedev, që të vendoset një komunikim fillestar mes dy vendeve.

Thaçi thotë se këtë ia kërkoi gjatë një takimi të shkurtër në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në një njoftim në Facebook, Thaçi ka thënë se e ka informuar Medvedevin për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Thaçi thotë se janë pajtuar që marrëveshja eventuale Kosovë – Serbi do të sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjell paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

Veseli i ofron kreut të LDK-së Isa Mustafa të jetë prijës i dialogut me Serbinë

Inati i LDK-së në shumë procese të rëndësishme për vendin, e ka dëmtuar Kosovën, ka thënë kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli. Ai në këtë mënyrë komentoi qëndrimin e partisë më të madhe opozitare që kundërshton presidentin Hashim Thaçi ta kryesojë dialogun me Serbinë.

Nëse LDK-ja kundërshton presidentin Hashim Thaçi që ta kryesojë dialogun me Serbinë, atëherë dialogun në fjalë mund ta kryesojë vet kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka propozuar krye-parlamentari Kadri Veseli.

“Le të shkon Isa, edhe Hashimi besoj që s’ka me qenë kundër, por mos të tutet kur të shkon. E mos ta lyp pastaj Hashimin edhe Kadrinë”, ka thënë Veseli.

Veseli ka shtuar se po të mos ishte pozicioni inatcor i LDK-së, shumë procese të rëndësishme për vendin do të ishin kryer me kohë, sic është demarkacioni, apo krijimi i ushtrisë.

“Opozita po vazhdon me gabimin e njëjtë, FSK-ja sot kishte me përfunduar nëse nuk e kishim pasur këtë qëndrimin e inateve të opozitës, e tash po merremi edhe me çështjen e FSK-së, hajde me e lutë Beogradin”, tha Veseli.

Ai tani frikohet që pozicioni i njëjtë i LDK-së me inate, tani me çështjen e dialogut, do ta dëmtojë Kosovën dhe do të dëmtojë pozicionin e vendit karshi partnerëve ndërkombëtarë.

Këto deklarata Veseli i ka dhënë në një konferencë për medie, pas takimit me kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ia dorëzoi atij raportin e auditimit të Odës Ekonomike të Kosovës.

Kreu i parlamentit poashtu ka thënë se bisedat me Serbinë gjithmonë janë të vështira, dhe se këto biseda nuk bëhen për vota, sepse sipas tij ndodhë e kundërta.

“Sa herë të bisedosh me Serbinë s’ki me fitua vota”, ka thënë Veseli.

Shtyhet votimi i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës shqyrtuan Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Edhe pse në sallë ishin 76 deputetë, vetëm 54 prej tyre kanë marrë pjesë në votim.

Si rezultat i kësaj, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, tha se votimi i këtij projektligji shtyhet për seancën tjetër.

Prej 54 deputetëve që votuan, 36 ishin për, 18 kundër dhe asnjë abstenim.

Para se të hidhet në votim, deputetja Albulena Haxhiu dha vërejtje për kompensimin e palës dëmtuese që parashihet me projektligj.

“Aty duket e drejtë që nëse pala e fiton rastin në Dhomën e Posaçme  siç është aktualisht t’i bëhet kompensimi ashtu siç e kanë privatizuar pronën. Ta zëmë AKP e ka privatizuar me 30 apo 40 euro, ka privatizuar 40 hektarë dhe çka bën AKP-ja nëse pala nëse e fiton të drejtën, ja kompenson me aq sa e ka privatizuar, kjo është shkelje!” 

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri derisa ka kërkuar që projektligji të përkrahet, ka thënë se janë 21 mijë lëndë të pazgjidhura nga gjykata në fjalë.

Odat Ekonomike të Ballkanit kërkuan nga Bosnja heqjen e vizave për kosovarët

Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, në ombrellën e Procesit të Berlinit, kanë dërguar një letër të përbashkët të nënshkruar nga të gjithë kryetarët e vendeve të rajonit të Odave Ekonomike.

Odat Ekonomike të Ballkanit Përendimorë kanë dërguar letër të përbashkët institucioneve shtetërore të Bosnjë dhe Hercegovinës që problemi i vizave më Kosovën të zgjidhet. Këtë e bëri të ditur Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu, i cili ka thënë se Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, në ombrellën e Procesit të Berlinit, janë Odat Ekonomike duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja”.

”Në kuadër të forumit të Odave Ekonomike të Ballkanit perëndimorë kemi dërgua një letër të përbashkët ku janë nënshkrimet e gjashtë kryetarëve të Odave Ekonomike, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, ku iu është drejtuar instancave më të larta shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë që problemi i vizave me Kosovën duhet të zgjidhet. Por është shetësuese fakti që në BeH edhe më tej duhet një koncensuz”, theksoi Gërxhaliu.

Kryetari Gërxhaliu u shpreh se në vitin 2017 Kosova ka importuar nga Bosnja mallra e shërbime në vlerë prej 80 milion euro ndërkaq nga Kosova në Bosnjë, janë eksportuar në vlerë prej 6 milionë euro.

Oda Ekonomike e Kosovës me Safet Gërxhaliun marrin çmim prestigjioz

Në Hotelin Holiday në Sarajevë është mbajtur ceremonia e 38 e shpalljes së më të mirëve në biznes nga rajoni i Europës Juglindore dhe Qendrore. Oda më e mirë Ekonomike në mesin e Odave nga 14 shtete të Europës, është zgjedhur Oda Ekonomike e Kosovës, në krye të së cilës është Safet Gërxhaliu. Këtë vendim e ka marrë juria speciale e Agjencisë së Pavarur Europiane.

Në ceremoni ku janë ndarë 26 çmime të biznesit, janë shpërblyer edhe dy biznese nga Kosova.

Njazi Musliu nga "Eurometali" është zgjedhur njëri ndër pesë “Menaxherët e dekadës”.

Në kategorinë tjetër “Kompanitë më të mira europiane dhe menaxherët më të mirë”, në mesin e pesë menaxherëve, është shpërblyer edhe Bedri Kosumi nga kompania Pestova.

Ky organizim prestigjioz ka tubuar shumë personalitete të njohura nga biznesi, politika si dhe kultura.

Aty janë ndarë edhe çmime të tilla si “Personalitete Europiane të Vitit”, për kryeministrin e Bullgarisë Bojko Borisov si dhe kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.

Kurse “çmimin për vepër jetësore”, nga sektori i Shoë-Biz, përkatësisht muzikës e biznesit, e ka fituar Fahreta Zhivojinovic, e njohur si Lepa Brena.

Kryetarë të komunave te kryeministri, ankohen për mungesë të pronave

Është mbajtur takimi i dytë konsultativ ndërmjet Qeverisë dhe komunave, nën drejtimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nga takimi i parë me komunat kanë punuar në krijimin kushteve ligjore për tu mundësuar atyre të shfrytëzojnë pronat pa pasur probleme. Me këto kushte, sipas Haradinajt, kryetaret janë zot shtëpie në komunat e tyre.

Ndërsa për financimin e projekteve tha se po e trajtojnë me sukses këtë pjesë, por shtoi se është shfaqur problemi me përmbaruesit privat.

Haradinaj u ka kërkuar kryetarëve të komunave që të shfrytëzojnë këtë klimë ligjore që ti kryejnë projektet.

“Jam në shërbimin e juaj dhe mos na kurseni ju lutem”, ka thënë ai.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuska, tha se mosekzistenca e pronave komunale që kërkohen për investime një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen, derisa ka mirëpritur miratimin e projektligjit.

Megjithatë ai ka kërkuar të ndryshohet pjesa ku përcaktohet pjesa e kthimit të përgjigjes nga AKP-ja te komuna rreth pronave.

“Si kryetar më së shumti po përballemi me këtë problem, jemi të zhveshur nga pronat e paluajtshme. Në Prizren kemi problem me gjet vend për Gjykatën dhe Prokurorinë. Përshëndes projektligjin dhe shpresoj që të na mundësoj që aplikojmë më shpejt te Agjencia e Pyjeve që të bëhet transformimi i pronave. Me ndryshimet për përcaktimin e afateve për kthim të përgjigjes do të ishte më mirë”.

Drita e pret gjigandin suedez në Ligën e Kampionëve

Kampionja e Kosovës në futboll, Drita të martën më 10 korrik, do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër kampionit të Suedisë, Malmo.

Ndeshja fillon në ora 20:45 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, për arsye se stadium në Gjilan nuk i plotëson kriteret e UEFA-së.

Gjatë ditës së hënë, Drita e ka mbajtur konferencën për media, ku lojtarët dhe trajneri Bekim Isufi janë shprehur të gatshëm për përballje me gjigandin suedez.

 “E dimë rëndësinë e ndeshjes, e dini se sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy ndeshjeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme, aq sa kemi pasur mundësi. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë”, ka thënë trajneri i gjilanasve.

Ai ka pranuar se ekipi suedez është favorit në përballje, megjithatë ka shtuar se nuk do të dorëzohen.

“Kemi respekt për kundërshtarin, nuk diskutohet se përvoja dhe niveli i futbollit flet për Malmon dhe ky është ekip favorit. Por, ne nuk do të hyjmë të dorëzuar, do të mundohemi ta bëjmë maksimumin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se të gjithë janë krenarë që po e prezantojnë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. “Është shumë e rëndësishme që Drita dhe Prishtina të kualifikohen në fazën e dytë. Shpresoj që vitin tjetër në Evropë të garojnë tri ekipe kosovare”, ka thënë Isufi.

 

-Realizoi për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme