UNICEF lancon platformën mobile për të rinjtë U-Report

Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë - UNICEF në Kosovë lansoi platformën U-Report për Ballkanin Perëndimor...

UNICEF lancon platformën mobile për të rinjtë U-Report

Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë - UNICEF në Kosovë lansoi platformën U-Report për Ballkanin Perëndimor në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, iniciativë kjo fillestare nën-rajonale për promovimin dhe lehtësimin e angazhimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës dhe në proceset vendimmarrëse.

Koordinatori i U-Report në Kosovë, Barlet Gojani i cili bëri hapjen e lansimit të U-Report tha se të rinjtë brenda një minute mund të bëhen U-Reporter përmes aplikacionit viber dhe t'i ndajnë shqetësimet e tyre të ndryshme.

Shefi i Misionit të UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co, në fjalën hyrëse të lansimit të U-Report-it tha se është shumë i lumtur që po ndodhë kjo ngjarje në tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

"Kjo është një platformë që me të vërtetë do t'iu ndihmojë të ngrisni të gjitha çështjet që ju interesojnë juve si të rinj në mënyrë që të përfshiheni dhe të ndikoni në agjendat politike në vendet e ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë dhe zëri juaj këtu është shumë i rëndësishëm", tha Co.

Drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Evropë dhe Azi Qendrore, Afshan Khan tha se ajo çfarë po lansojnë sot është një platformë inventive në 42 shtete të ndryshme të botës dhe e para iniciativë nën-rajonale e llojit të vet. Khan bëri të ditur se përdorimi i mjetit është pa pagesë, anonim dhe i hapur për secilin, i cili lidh fuqishëm të rinjtë në përputhje me objektivat e Bashkimit Evropian dhe mundëson që të ndajnë përvojat e tyre me njëri-tjetrin.

"Duke filluar nga sot të rinjtë nga Prishtina, Tirana dhe Podgorica do t'i bashkohen më shumë se 5 milionë abonentëve të U-Report-it në botë. Do të keni një vegë online e cila është zhvilluar nga UNICEF-i që do t'u ndihmojë të shkëmbeni informata në temat që ju interesojnë apo ju shqetësojnë më së shumti juve si të rinj", tha Khan.

Ajo tha se koha e kalimit në internet është rritur tek të rinjtë dhe se me ndihmën e kësaj platforme në Itali U-Report ka mundësuar që të rinjtë të komunikojnë me njëri-tjetrin lidhur me gjendjen e fëmijëve refugjatë dhe emigrantë, të cilët janë të ndarë nga familjet nëpër qendra të ndryshme. Khan përmendi një shembull nga Ukraina ku tha se 60 fëmijë raportues kanë patur mundësinë të ngrisin çështjet e dhunës nëpër shkolla.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, theksoi se ministria që ai përfaqëson do të mbështet fuqishëm edhe nismën e U-Report e cila, sipas tij, është një praktikë që lidhet me zhvillimet e fundit në teknologji dhe Kosova duhet ta ketë rininë e lirë, e cila nuk do të jetë e manipuluar politikisht. (AA) 



Lajme të ngjashme