Xhamia në kalanë e Shkodrës, pjesë e trashëgimisë shpirtërore e myslimanëve shqiptarë

Çdo bashkëpunim me ambasadën turke, me shtetin turk dhe me agjencinë TIKA për këtë xhami do të ishte më se i dobishëm, meqenëse ky objekt lidhet edhe me emrin e madh të Sulltan Mehmet Fatihut”, thotë Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari.

İşkodra Kalesi Sultan Fatih Cami_arşiv belgesi_6.jpg
Evliya Çelebi_Arnavutça kitap_2.jpg
İşkodra Kalesi hat çalışması.jpg
İşkodra Kalesi Sultan Fatih Cami_2.jpg

PODCAST - Xhamia 500-vjeçare e kalasë së Shkodrës ka qëndruar si pronë-vakëfi deri në vitin 1967

Si kalon murin e dytë të kalasë “Rozafat”, në një hapësirë në qendër të saj, bri varrezave që shtriheshin deri te muri e tretë, ku ka qenë një derë  hekuri, ngrihej një xhami. Evlija Çelebiu, në veprën e tij, atë e quan “Xhamia e Sulltan Mehmetit”. Data e ndërtimit nuk i dihet, veçse vlerësohet si ndër më të hershmet. Këtë tezë e mbështet fakti se ajo është ndërtuar në një periudhë me xhamitë e Hynqarit e të Selvisë(në vitin 1478) dhe me xhaminë e lagjes Alibegaj (para vitit 1529). Një tjetër version i mundshëm është edhe ai se ku zinte vend ushtria turke, ndërtonte xhami që ushtarë e oficerë të kryenin ritet fetare, kështu që nuk përjashtohet edhe ndërtimi i saj pas vendosjes së ushtrisë turke në kalanë  Shkodrës në vitin 1478.

Ndërtesa e xhamisë kishte një kullë guri deri në 1 metër mbi çati, pastaj vazhdonte minareje prej dërrase që është ndërtuar së bashku me restaurimin e xhamisë  gjatë sundimit osman në vitin 1479. Vendi ku faleshin besimtarët, ka pasur në njërën anë tri dritare me hark dhe derën e hyrjes në anësore. Çatia e mbuluar me tjegulla, ka patur një kulm.

At Eresmo Belneo, në vitin 1757 për këtë xhami thotë se ajo ka qenë “xhami e madhe, e bukur…”. 

Një tjetër dëshmi të saj, kemi vizatimin e një autori gjerman, i cili e ka bërë atë mbi bazën e tregimit të një udhëtari që e kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1820.

Si objekt kulti brenda territorit të Kalasë së Shkodrës, ajo ka qenë mbajtur vazhdimisht në gjendje të mirë. Riparohej shpesh  nën kujdesin e pashallarëve dhe më vonë edhe nga guvernatori turk. Në këtë xhami kryente ritet paria, oborrtarët, familjet e tyre, oficerët e ushtarët. Këtu janë kënduar Mevlude në çdo vit me një pjesëmarrje edhe nga qyteti poshtë kalasë.

Haxhi Boriçi, në ditarin e tij ka shkruar se: “Në këtë xhami ka dëgjuar vase dhe ka marrë pjesë në këndimin e Mevludeve”. Ai madje shënon edhe datën 4 mars 1846, ditën e hënë, kur në këtë xhami ishte kënduar Mevludi.

Ka të dhëna se ritet fetare në këtë xhami të jenë kryer deri në vitin 1865, ndërsa si pronë-vakëf e bashkësisë islame e Shqipërisë ka qëndruar deri në vitin 1967, vit që shteti monist mbylli të gjitha kultet fetare dhe ndaloi me ligj besimin dhe praktikimin e fesë.

Një përshkrim dinjitoz të kësaj xhamie jep studiuesi i njohur shkodran Hamdi Bushati në librin voluminoz  “Shkodra dhe motet” si dhe revista “Leka”.

- Por cila është situata e sotme e këtij kulti të rëndësishëm fetar dhe çfarë rëndësie mbart ajo për besimtarët myslimanë të Shkodrës, por jo vetëm?!

Për këtë  myftiu i zonës Shkodër, imam Muhamed Sytari në një intervistë ekskluzive për TRT, Zërin e Turqisë në Shqip shprehet:

Do të thoja fillimisht se për çdo popull, për çdo komunitet, për çdo bashkësi besimtare, objektet e kultit janë simbolika të shtrenjta dhe të shenjta, të cilat në një mënyrë apo tjetër ruajnë në heshtjen e tyre vetëdijen fetare të cilitdo prej komuniteteve që i respekton, i nderon dhe i ruan me fanatizëm legjitim këto objekte.

Duke iu referuar shkrimeve të vjetra, “fortesa e Shkodrës ngrihet mbi një shkëmb të lartë e të rreptë, pranë liqenit të madh të Bunës”, sikurse shkruan Evlija Çelebiu në “Seyahatnamen” e tij. Në këtë fortesë, thotë ai, ka pak shtëpi dhe një xhami, ajo e Sulltan Muhamedit, pra e Sulltan Fatihit, e cila është e mbuluar me tjegulla dhe e ndërtuar sipas stilit të vjetër. Normalisht këto shkrime të Evlija Çelebiut në "Seyahatnamen" e tij janë regjistruar diku në vitet 1070-1080 sipas kalendarit hixhri, përkatësisht rreth viteve 1660-1670 sipas erës sonë. Normalisht, ajo që vlen të theksohet, kur bëhet fjalë për xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut është edhe shënimi i Hamdi Bushatit, i cili në veprën e tij “Shkodra dhe motet” thekson se: “Osmanlinjtë për sa i përket kthimit të kishave në xhami ndiqnin këtë parim: Me lanë kisha aq sa i mjaftonte popullit për të kryer funksionet fetare, të tjerat me i kthyer në xhami".

Këtë e them nëse realisht xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut ka pasur një origjinë kishtare, sepse Hamdi Bushati duke iu referuar dokumenteve të vjetra dhe hulumtimeve të tij shkruan se:kleri katolik pretendon se ky objekt ka qënë kishë, duke u bazuar në relacionet e Pjetër Bogdanit të vitit 1685”, por ai thekson gjithashtu se: “a ishte kjo xhami më parë kishë nuk dihet me siguri se nuk ka asnjë dokument real që ta vertetojë atë”. Njëkohësisht ai thotë se: “kleri katolik tu pretendue se ajo ka qënë kisha e Shën Shtjefnit ose e Sh’ Kollit në kohën e pushtimit Fashist, tu dashtë me përfitue nga situata e favorshme klerikale planifikoi rindërtimin e saj, dhe kështu që me kohë edhe kështjella “Rozafat” do të kthehej në një institucion fetar apo kuvendesh etj.”

(…) Natyrshëm unë nuk do të analizoj thëniet e njërit apo tjetrit prej kronikanëve të kohëve të shkuara, por ajo që dua të them me përgjegjësinë më të madhe dhe bazuar në fakte konkrete historike është se objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili për ne myslimanët mbetet një personalitet i shquar i historisë së pastër, të shtrenjtë e të shenjtë të shekujve të kaluar. Sulltan Mehmet Fatihu është personi të cilin e ka paralajmëruar ardhjen e tij, triumfin e tij, lavdinë e tij dhe  madhështinë e tij vetë Profeti i Islamit, Hz. Muhammedi (a.s), i cili thoshte për çliruesin e Kostandinopojës: “Niemel emiru, emiruha”, pra: “Bekuar qoftë komandanti i asaj ushtrie, bekuar qofshin ushtarët e asaj ushtrie!” Tek ne myslimanët, Sulltan Mehmet Fatihu është personalitet i shtrenjtë dhe është një ndër udhëheqësit më të shquar të historisë së njerëzimit. Ne e respektojmë dhe e nderojmë atë, sepse është pjesë e historisë sonë. Kur themi “Historia osmane”, do të thotë historia e krejt myslimanëve të botës, përfshi edhe myslimanët e Shqipërisë. Kësisoj ne e respektojmë, e  nderojmë dhe e  vlerësojmë mbetjen e xhamisë që mbanë emrin e tij në kalanë e Shkodrës, maksimalisht si një relikte e çmuar dhe e shquar e historisë sonë fetare dhe asaj kombëtare.”

- Kisha katolike duke pretenduar se ky kult fetar para se të jetë xhami 500 vjeçare ka qene e krishtere, ajo për 12 vite radhazi kremton meshë vjetore, për çdo 26 dhjetor, në përkujtim siç e quajnë ata të pajtorit të Shkodrës, shën Shtjefni, gjë e cila ka sjellë edhe reagimin e myftinisë, e cila e konsideruar një provokim dhe cënim të kufijve të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, jo vetëm nga arqipeshkvia, por edhe nga ministria e kulturës e Shqipërisë.

Myftinia e Shkodrës në momentin e parë, kur është vënë në dijeni me veprimin e kishës katolike të Shkodrës për zhvillimin e një meshe të papritur në xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës, ka bërë kontaktet e duhura dhe ka komunikuar në mënyra të ndryshme legjitime zyrtare.

“Me drejtuesit e kishës katolike janë marrë takime të ndryshme, është komunikuar nëpërmjet shkresave, takimeve, bashkëbisedimeve të ndryshme, ku është kërkuar nga myftilerët e ndryshëm të kësaj periudhe rreth 12-13 vjeçare që të ndalohet ky veprim, i cili për ne myslimanët e Shkodrës e për myftininë konsiderohet si një provokim i pakuptimtë dhe i pa nevojshëm, i cili prek në thelb vlerat e harmonisë ndërfetare në qytetin e Shkodrës, këtë harmoni dhe mirësi të madhe që e kemi mëkuar me mësimet e Kur’anit, me mësimet e Hz. Muhammedit (a.s) dhe mësimet e traditat më të mira të historisë sonë islame ndër shekuj, përfshirë edhe pjesën e fundit të Hilafetit Islam, atij Osman. Normalisht, ne si myftini e Shkodrës kemi reaguar edhe ndajministrisë së kulturës që ka dhënë lejën për realizimin e kësaj ceremonie fetare. Në thelb, ne nuk ndërhyjmë ne aktivitetin fetar të asnjë komuniteti fetar në vendin tonë. Respektojmë të gjitha komunitetet, vlerësojmë aktivitetin legjitim të gjithësecilit prej komuniteteve fetare, si një e drejtë legjitime në një shtet dhe në një vend ku besimet dhe komunitetet fetare kanë të drejtat e tyre të barabarta. Por, nuk e kuptojmë faktin pse ministria e kulturës që sot mban në inventaret e saj mbetjet e xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut, (që në fakt është një vakëf i shenjtë dhe duhet të ishte në administrim të komunitetit mysliman të Shqipërisë), përse ministria ka dhënë leje për realizimin e kësaj ceremonie fetare?!

Realisht ne e kemi kundërshtuar këtë veprim, i kemi komunikuar me shkresa, ministrinë e kulturës, kishën katolike, institucionet e tjera të qytetit të Shkodrës, komunitetin e kulteve etj, sikurse kemi vënë në dijeni normalisht edhe komunitetin mysliman të Shqipërisë. E vërteta është së me 26 dhjetor të vitit që shkoi, pra para pak ditësh, pas vizitës së krishtëlindjes që bëmë në kishën katolike, ditën e nesërme u befasuam me faktin që drejtues të kishës katolike, të cilëve u uruam një ditë më përpara festën, ishin tashmë në xhaminë tonë historike të shtrenjtë e të shenjtë, duke kremtuar një meshë. Për mua personalisht ky është një veprim krejt i pakuptimtë, ashtu edhe për myftininë e Shkodrës dhe për komunitetin e bashkësinë e myslimanëve të Shkodrës.

Ky është një provokim i panevojshëm dhe një cënim i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, të cilën e kemi për detyrë ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta mëkojmë me vlerat më të mira të respektit të ndërsjelltë dhe mos cënimit të simboleve të shenjta historike përkatëse.”

-I pyetur për ndonjë kontakt me ambasadën e Republikës së Turqisë  në Tiranë për të pasur edhe ajo rolin e saj në ruajtjen e kësaj trashëgimie islame dhe njëkohësisht pjesë e kulturës osmane, myftiu imam Muhamed Sytari tha:

“Fillimisht do të thoja se objekti i xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës është pjesë e pandarë e kulturës dhe e trashëgimisë islame të vendit tonë, pra pjesë e trashëgimisë islame shqiptare. Unë besoj se së pari është detyrë e shtetit shqiptar, e ministrisë së kulturës që të merret me restaurimin e kësaj xhamie të vjetër shekullore, e cila përkthen më së miri shpirtin dhe identitetin islam të komunitetit më të madh fetar në Shkodër, pra komunitetit mysliman.Mendimi im është që fillimisht është detyrë e institucioneve tona shtetërore që të merren me restaurimin, rregullimin dhe mirëmbajtjen e këtij objekti, pra xhamisë së kalasë, por njëkohësisht meqenëse ky objekt lidhet edhe me emrin e madh të Sulltan Mehmet Fatihut çdo bashkëpunim me ambasadën turke, me shtetin turk dhe me agjencinë TIKA do të ishte më se i dobishëm, për arsye se ata kanë eksperiencë shumë më të madhe dhe kanë mundësi shumë më të mëdha se sa shteti ynë, ministria e jonë e kulturës si dhe instituti i monumenteve të kulturës për restaurimin dhe kthimin në identitet të kësaj xhamie shekullore.”

-Por, çfarë zgjidhjeje ofron myftinia Shkodër për këtë provokim që i bëhet herë pas here këtij kulti fetar?

Është e nevojshme që të përsëritet, të thuhet dhe të lajmërohet më të madhe se objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut! Nuk ka nevojë për asnjë etiketim tjetër dhe nuk ka nevojë për asnjë cilësim tjetër shpesh herë edhe qesharak që i bëhet këtij objekti për qëllime krejt të panevojshme që shpeshherë kthehen në objekte provokimi ndaj historisë sonë, ndaj identitetit tonë islam dhe ndaj gjurmëve të trashëgimisë tonë historike, kombëtare dhe kulturore. 

Ndërsa për sa i përket zgjidhjes më të mirë, ajo është që çdo institucion shtetëror apo fetar të respektojë veten fillimisht, të respektojë tjetrin dhe të punojë maksimalisht për ndërtimin e urave të komunikimit dhe jo duke ndjekur rrugët e provokimeve të panevojshme, të cilat cënojnë një ndër veçoritë më të shenjta dhe më të shtrenjta të popullit shqiptar që është harmonia ndërfetare.

Për asnjë arsye dhe shkak në botë askujt nuk i falet dhe as nuk i tolerohet që të prekë thelbin e harmonisë ndërfetare dhe të shkaktojë provokime të panevojshme, duke shkaktuar njëkohësisht plasaritje krejtësisht të pafalshme dhe të patolerueshme në thelbin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën shquhemi si popull dhe komb, falë mësimeve dhe udhëzimeve të Librave të Shenjtë, që mundohemi t’i pasojmë dhe zbatojmë ditë për ditë në jetën dhe në marrëdhëniet tona komunitare.

-Në fund myftiu Sytari lutet që kjo xhami të vizitohet nga  të gjithë besimtarët dhe jo vetëm:

Unë lutem me zemër që të mos jetë e largët dita që xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut të kthehet në indetitetin e saj dhe të vizitohet nga të gjithë besimtarët, nga jobesimtarët, nga jomyslimanët, nga të krishterët dhe, pse jo, të pozojmë së bashku myslimanë dhe të krishterë në ambientet e kësaj xhamie shekullore që i hapë dyert dhe krahët e saj për çdo njeri që ka një vullnet të mirë, një qëllim të mirë, që beson në një Zot dhe thërret drejt harmonisë së besimit dhe harmonisë së vlerave të tij.”

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme