Mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë, në fokus heqja e taksës për librin

Gjatë takimit të zhvilluar në Prishtinë, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka propozuar heqjen e taksës së librit, e cila do të mundësonte shkëmbim pa pengesa të dijes dhe ideve mes Kosovës dhe Shqipërisë...

Mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë, në fokus heqja e taksës për librin

Zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe temat që do të diskutohen në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive më 27 nëntor në Korçë, ishin në qendër të takimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologes nga Shqipëria, Senida Mesi.

Gjatë takimit të zhvilluar në Prishtinë, zv/kryeministri Hoxhaj ka propozuar heqjen e taksës së librit, e cila do të mundësonte shkëmbim pa pengesa të dijes dhe ideve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Pata nderin dhe kënaqësinë ta prisja në takim zyrtar, homologen time nga Shqipëria, zëvendës kryeministren, Senida Mesi. Diskutuam për partneritetin natyral dhe strategjik mes dy vendeve tona, dhe mundësitë e zgjerimit të këtij partneriteti në fusha të ndryshme”, shkruan në Facebook Hoxhaj.

Sipas tij, një temë e rëndësishme që e diskutuam është heqja e taksës së librit, e cila do të mundësonte shkëmbimin pa pengesa të ideve mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Kjo është një temë të cilën do ta diskutojmë edhe në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, së bashku me tema të tjera të rëndësishme, që do të kontribuojnë në afrimin e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë dhe do ta lehtësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve të të dy shteteve”, shprehet Hoxhaj. /ATSH



Lajme të ngjashme