Sot në Sarajevë fillon edicioni i 24 i Festivalit të Filmit

Gjatë festivalit këtë vit do të shfaqen 266 filma nga 56 vende, në mesin e të cilave 42 do të kenë shfaqje premierë.

Sot në Sarajevë fillon edicioni i 24 i Festivalit të Filmit

Sot me një pjesëmarrje rekorde fillon Edicioni i 24-t i Festivalit të Filmit në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Gjatë festivalit këtë vit do të shfaqen 266 filma nga 56 vende, në mesin e të cilave 42 do të kenë shfaqje premierë.

Në këtë festival, i cili do të zgjasë deri më 17 gusht e që do të mbahet në Teatrin historik Kombëtar, nga Turqia marrin pjesë një numër i madh i regjisorëve, skenaristëve dhe producentëve.

Në mesin e mysafirëve që priten me entuziazëm në këtë festival është edhe skenaristi dhe regjisori i famshëm turk, Nuri Bilge Ceylan.

Në kuadër të festivalit Ceylan-it do ti ndahet çmimi “Zemra e Sarajevës” që ndahet për të arritura në jetë, ndërsa do të shfaqen edhe filmat e tij “Pema e Goricës” (Ahlat Agaci), “Një Herë e Një Kohë Anadolli” (Bir Zamanlar Anadolu), “Gjumi Dimëror” (Kis Uykusu), “Problemi i Majit” (Mayis Sıkıntısı), “Larg” (Uzak) si dhe “Kushtet e Motit dhe Qyteza” (Iklimler ve Kasaba).  

Në mes tjerash vizitorët në galerinë e arteve të Bosnjë-Hercegovinës do të kenë rastin për ta parë edhe ekspozitën e fotografive të artistit 59-vjeçar, Nuri Bilge Ceylan që do të hapet me temë “Kinemaskopia e Turqisë”.

Njëra prej filmave turq që spikatë në këtë festival është edhe ai i metrazhit të gjatë i regjisorit, Osman Nail Dogan me titull “Hajdutët e Pëllumbave” (Guvercin Hirsizlari).

Ky film, premiera e të cilit do të mbahet në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë, konkurron në kategorinë kryesore të festivalit.

Ndërkaq edhe filmi “Mos më lë” (Birakma Beni) që është prodhim i përbashkët turko-boshnjak dhe regjinë e të cilit e mori përsipër Aida Begiç e që trajton dramën e jetimëve sirianë, gjithashtu do të shfaqet në këtë festival.

Ndërkaq turqit hodhën firmën edhe në kategoritë e dokumentarëve dhe të filmave të shkurtë.   

Në kategorinë e filmave dokumentarë do të konkurrojë filmi “Araf” i regjisores, Didem Pekun, ndërkaq në atë të filmave të metrazhit të shkurtë filmi “Titanium” i regjisores Gokçe Erdem.

Festivali, ku marrin pjesë një numër i madh i producentëve, regjisorëve, aktorëve, politikanëve, diplomatëve, artistëve dhe muzikantëve nga vendet e ndryshme të botës me në krye vendet evropiane dhe rajoni i Ballkanit, do të fillojë me parakalimin në tapetin e kuq para Teatrit Kombëtar. Hapjen e tij do ta bëjë filmi “Lufta e Ftohtë” (Cold War) i regjisorit, Pawel Pawlikowski.

Filmat “Të gjithë e dinë” (Everybody Knows) i regjisorit iranian me famë botërore, Asgar Ferhadi dhe “Kafshët e egra” (Wildlife) i aktorit dhe producentit amerikan, Paul Dano do të shfaqen në kategorinë e filmave nën qiell të hapur.

Në kategorinë kryesore, sponsore e së cilës është edhe Radiotelevizioni i Turqisë, TRT, krahas filmit “Hajdutët e Pëllumbave” nga Turqia, në këtë kategori konkurrojnë 10 filma nga Rumania, Hungaria, Gjermania, Bullgaria, Kroacia dhe Serbia.

Shoqata “Obala Art Centar”, në mënyrë që të kontribuojë në ristrukturimin e shoqërisë në Sarajevë pas luftës, vendosi të organizojë Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Edicioni i parë i këtij festivali u organizua më 27 tetor 1995 dhe u bë dritarja e Sarajevës së rrethuar që hapej në botë.

Në festivalin e parë u shfaqën 37 filma nga 15 vende dhe morën pjesë afërsisht 15 mijë persona.

Ndërkaq ky festival nga fundi i luftës në Bosnje u bë pothuajse simbol i rezistencës.

Pas luftës ky festival u njoh edhe në arenën ndërkombëtare dhe u shndërrua në një aktivit efikas kulturor, ku marrin pjesë një numër i madh i artistëve të famshëm botëror, ndërsa ai kontribuon edhe në ekonominë e vendit pasi festivali çdo vit tërheqë me qindra vizitorë.

Me kalimin e kohës festivali u vizitua nga një numër i madh i aktorëve me famë botërore si Robert de Niro, Angelina Jolie, Brad Pitt, Emile Hirsch, Orlando Bloom, Daniel Craig, Morgan Freeman, Darren Aronofsky, Kevin Spacey, Eric Cantona, Bono Vox, Gerard Depardieu, John Malkovich dhe Danny Glover.



Lajme të ngjashme