Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 2.)

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 2.)

Koment – Parimet universale arsimore (Pjesa 2.)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në artikullin tonë të disa javëve më parë theksuam se arsimi, si një fenomen global, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe infektiv në të gjithë botën; se arsimi i mirë apo i keq në një vend ka ndikim pozitiv ose negativ të drejtpërdrejtë në vendet e tjera dhe se rrjedhimisht, ai ka nevojë për parime universale për të mirën e familjes njerëzore. Pasi u ndalëm shkurtimisht mbi gjendjen e arsimit në botë, si dy parime fillestare paraqitëm një filozofi arsimore që synon të formojë vetëdijen për drejtësi dhe individë qëllimmirë e optimistë.

Le të vazhdojmë atje ku e lamë.

3) Një arsim që formon individë mbi bazat e kodit të etikës

Ato që e bëjnë të mundur jetën shoqërore, janë angazhimet e njerëzve se do të sillen apo veprojnë parimisht dhe do të respektojnë kodin e etikës ose normat e përgjithshme të moralit. Janë individët e formuar me këto parime ata që mundësojnë jetueshmërinë. Janë supozimet tona se të tjerët nuk do të vjedhin, s’do të sulmojnë, nuk do të sillen keq dhe s’do të gënjejnë. Le të paramendojnë për një çast sikur një mëngjes dalim nga shtëpia pa të gjitha këto! Së pari, a mund të dalim nga shtëpia? Vallë si mund të ecim të qetë nëse nuk jemi të sigurt që nuk do të na sulmojë njeriu i parë me të cilin shkëmbehemi, nëse kalimtarët në rrugë s’do të na grabisin gjithçka kemi me vete, nëse të gjithë sillen keq? Po sikur njerëzit të përpiqen për të fituar diçka pa mund dhe meritë në vend që të punojnë me djersën e ballit për të siguruar jetesën?

Shembujt dhe përvojat për këtë s’kanë fund. Por a është e mundur jeta shoqërore në një mjedis kaq të egër?

Edukimi i individëve me kodin e etikës dhe rregullat e përgjithshme të moralit, brenda kuadrit të kulturës shoqërore në të cilën jetohet, duhet të jetë një prej qëllimeve më parësore të arsimit. Përcaktimi dhe vendosja e këtyre normave të përgjithshme nuk është edhe kaq e vështirë. Një pëlqim apo miratim i përgjithshëm i këtyre parimeve dhe kritereve ekziston pak a shumë në kultura të ndryshme.

4) Një arsim që ngulit edukatën e punës dhe nxit përparimin

Parimet e mëposhtme janë përgjithësisht kritere që kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe metodën e arsimit. Ndërsa tri parimet e lartpërmendura (një arsim i bazuar në drejtësi, optimizëm dhe moral) janë vlerat themelore mbi të cilat duhet të ndërtohet arsimi i çdo lloji dhe çdo niveli. Rezultatet e arsimit që s’bazohet në këto vlera ose që nuk përmban këto vlera, mund të jenë shumë të rrezikshme për njerëzimin. Luftërat botërore, sulmet terroriste, muret e sigurisë përherë e më të larta apo shpikjet e llojllojshme për të zhdukur të tjerët dhe jo për t’u siguruar jetën, janë gjëra “që mund të arrihen” vetëm nga njerëz me arsim shumë cilësor dhe jo nga njerëzit e paarsimuar. Të tëra këto viktimizime, dhimbje, lot dhe gjakderdhje mund të fabrikohen vetëm me një arsim të nivelit shumë të lartë, kurrsesi pa arsim ose me pak arsim. Këto janë vlerat që do ta mbrojnë familjen njerëzore edhe në fushën e arsimit, sikurse në shumë fusha të tjera të jetës gjithashtu. Një qëndrim moral dhe etik shumë të çmuar në këtë aspekt paraqet kjo thënie profetike e Hz. Muhamedit (a.s.): “(...) Allahu im, të mbështetem Ty nga dija e padobishme (...)”(Transmeton Muslimi).

Vini re! Ky është një qëndrim i cili thekson shmangien madje edhe nga dijet e padobishme, aq më shumë nga të dëmshmet...

Nëse u kthehemi sërish parimeve universale, puna dhe kërkimi çdo ditë për diçka të re është një nga përpjekjet më të dobishme për veten tonë, për ata që na rrethojnë dhe për tërë njerëzimin. Një mënyrë jetese parazitare dhe përtace i kalb shoqëritë. Në këtë prizëm, arsimi duhet të konsiderojë të shenjtë çdo profesion, duhet të stimulojë punën në çdo profesion dhe të mësojë se puna është një vlerë në vetvete.

5) Një arsim që është pluralist dhe i larmishëm sipas potencialit të njerëzve, jo njësoj për të gjithë

Me shtetin modern dhe centralist, metoda e arsimit dhe edukimit në masë, kolektiv, e cila zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë, është përhapur anembanë globit. Ky lloj arsimi ka siguruar kontribute me peshë në aspektin e përhapjes dhe transformimit të tij në diçka të arritshme nga të gjithë. Megjithatë kjo metodë eliminoi dallimet dhe i barazoi njerëzit në një tip të vetëm. Ndërkohë që çdo individ është një lloj i përveçëm, çdo individ është një botë.

Sheh Galibi e ka shprehur kaq bukur:

“Kujdesu për veten o njeri, sepse thelbi i botëve je ti;

bebja e syrit të universit je ti, o njeri!”

Arsimi s’duhet t’u japë të gjithëve të njëjtë gjë, por duhet të zbulojë potencialin e çdo individi dhe me këtë potencial t’u mësojë njerëzve si të marrin dobinë individuale dhe shoqërore.

6) Një arsim i gërshetuar me jetën

Në metodën tradicionale të arsimit, individët edukoheshin dhe fitonin mjeshtërinë përgjithësisht nëpërmjet marrëdhënieve usta-çirak dhe praktikës në punë. Në ditët e sotme, arsimi dhe institucionet arsimore janë profesioniste. Si rezultat i këtij profesionalizmi, vërejmë se institucionet arsimore janë shkëputur pjesërisht nga jeta e përditshme dhe se arsimi që ato ofrojë është shumë teorik. Siç shihet edhe në fjalët e Ajnshtajnit, se “arsimi është çka mbetet pasi dikush të ketë harruar çfarë ka mësuar në shkollë”, kjo situatë ka edhe kundërshtarë të fortë. Nëse qëllimi i arsimit është të përgatisë individin për jetën, atëherë ai nuk duhet të jepet vetëm në bankat e shkollës. Institucionet arsimore dhe arsimi vetë duhet të jenë të ndërthurua dhe të gërshetuara me shoqërinë civile, me sektorin publik dhe atë privat, me institucionet akademike dhe me burokracinë, ku njerëzit do të punojnë pasi të kenë përfunduar arsimin.

7) Një arsim që shkëshillon të mësuarit përmendësh dhe nxit mendimin e kërkimin

 Arsimi, në thelb, është një përpjekje për të ardhmen dhe jo për të kaluarën apo të tashmen. Natyrisht që e tashmja dhe akumulimi i së kaluarës do të mësohen gjithashtu. Por të gjitha këto duhet të bëhen për të kuptuar më mirë të ardhmen dhe për të prodhuar gjëra të reja, jo për të jetuar në të kaluarën. Një arsim që synon vetëm të mësuarit përmendësh, përsëritjen e njohurive ekzistuese dhe rutinën në vend që të nxisë mendimin dhe kërkimin, nuk na çon në të ardhmen. Njerëzit mund ta zbulojnë potencialin e tyre vetëm duke menduar, pyetur dhe kërkuar. Arsimi duhet të përgatisë mjedisin e përshtatshëm që njeriu të zbulojë veten.

Si një tjetër parim mund të përmendim gjithashtu arsimin e bazuar në sektorin privat dhe në organizatat joqeveritare të kontrolluara dhe inspektuara nga institucionet shtetërore, në vend të arsimit statocentrik të zhvilluar nga institucionet publike. Ose kjo situatë mund të trajtohet si një metodë edukimi. Por këtë temë mund ta trajtojmë veçmas si metodë arsimore në një artikull tjetër.

Sigurisht, numri i këtyre parimeve mund të shtohet, por është e vështirë dhe e lodhshme për lexuesin/dëgjuesin që t’i përvetësojë të gjitha në një artikull të vetëm. Të interesuarit mund të lexojnë studimin tim me titull “Ç’lloj rinie në epokën globale?” (Küresel Çağda Nasıl Bir Gençlik).

Pa dyshim që të marrësh një arsimim të mirë dhe të kualifikohesh në aspektin akademik është shumë e rëndësishme. Nuk ka garanci se ku mund ta çojë individin dhe shoqërinë një arsim që i mungojnë parimet e lartpërmendura. Nëse këto parime nuk jepen gjatë arsimit, atëherë ne mund të krijojmë “Frankenshtajnë” përmes shkollës. Ata që vrasin shokët e klasës me armë automatike, ata që hedhin gjilpëra apo helm në ushqime ose ata që e tërheqin njerëzimin zvarrë nga një fatkeqësi në tjetrën, përgjithësisht nuk janë njerëz injorantë. Shumë herë ata janë njerëz të sofistikuar, por joparimorë që nuk e përdorin kapacitetin e tyre për të mirën e njerëzimit.

Gjëja më e rëndësishme në arsim nuk është ajo çfarë ne mësojmë, por arsyeja përse e mësojmë.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme