Koment – Ç’lloj strategjie arsimore duhet zhvilluar?

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Ç’lloj strategjie arsimore duhet zhvilluar?

Koment – Ç’lloj strategjie arsimore duhet zhvilluar?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Deklarata e bërë në fillim të detyrës së tij nga ministri i Arsimit Kombëtar të Turqisë, Ziya Selçuk, se nevojitet një strategji arsimore e re dhe se kjo do të hartohet e zhvillohet brenda një kohe të shkurtër, ngjalli emocion te shumë njerëz. Siç dihet, një pjesë e problemeve tona akademike, burokratike dhe politike shkaktohen nga mungesa e një strategjie. Rrjedhimisht, një fillim shumë i mirë është nisja e punës në sektorin publik apo privat së pari nga kërkimi i një strategjie. Ishte më se e qartë që arsimi ynë kombëtar, i cili në të kaluarën e afërt qe fokusuar kryesisht mbi nevojat teknike dhe problemet urgjente, kishte nevojë për një strategji të re brenda një kohe të shkurtër. Nga ana tjetër, një pjesë e rëndësishme e problemeve tona burojnë edhe nga strategjitë e gabuara. Pavarësisht se kërkimi dhe zhvillimi i një strategjie arsimore është një hap jashtëzakonisht i mirë dhe me vend, duhet që të gjithë së bashku të kontribuojmë për të siguruar që strategjia e re që do të zhvillohet, të mos jetë një nga strategjitë e gabuara ose jo të plota që zhvillohen prej tashmë 200 vitesh.

1.   Një strategji e vetëdijshme për profilin njerëzor që synon: Fillimisht, një strategji arsimore duhet t’i përgjigjet pyetjes se çfarë profili njerëzor duhet të kemi për të çuar njeriun dhe kombin tonë në një të ardhme më të mirë. Profili njerëzor që na nevojitet sot është ai i veshur me vlera kombëtare, shpirtërore dhe universale, pluralist dhe me bagazh.

2.   Një strategji që ka parimet themelore: Pas profilit njerëzor, një strategji arsimore duhet të ketë një filozofi të caktuar apo parimet themelore për këtë profil. (“Parimet Arsimore Universale” mund të renditen në shtatë pika: Një arsim që formon vetëdijen për drejtësinë; një arsim që e bën njeriun qëllimmirë dhe optimist; një arsim që formon individë mbi bazat e kodit të etikës; një arsim që ngulit edukatën e punës dhe nxit përparimin; një arsim që është pluralist dhe i larmishëm sipas potencialit të njerëzve, jo njësoj për të gjithë; një arsim i gërshetuar me jetën; si dhe një arsim që shkëshillon të mësuarit përmendësh dhe nxit mendimin e kërkimin.)

3.   Analiza e nevojave për arsim dhe formim të duhur: Menjëherë pas përcaktimit të profilit njerëzor dhe parimeve bazë, duhet bërë analiza e nevojave për arsim në përputhje me kushtet e sotme. Analiza e nevojave për arsim duhet të përgatitet me sektorin privat, me institucione të ndryshme në vend, me shoqërinë civile dhe botën akademike, duke marrë në konsideratë të ardhmen e Turqisë, rajonit tonë dhe botës. Sipas kësaj analize të nevojave për arsim, duhet të përcaktohen fushat, aftësitë dhe cilësitë e domosdoshme që do të jepen gjatë procesit arsimor. Ne mund të themi që tani se Turqia është një vend ku prodhimi artizanal zë një vend të rëndësishëm, ku nevoja për staf të ndërmjetëm është e madhe, ndaj dhe duhet t’u jepet përparësi shkollave profesionale, ku një sistem i tërë duhet të revizionohet sipas këtyre nevojave. Analiza e nevojave për arsim s’është diçka që mjafton të bëhet një herë të vetme, ajo duhet përditësuar dhe revizionuar vazhdimisht sipas kërkesave të jetës.

4.   Një administratë publike që koordinon, inspekton, orienton dhe jo që ekzekuton:Pas evidentimit të profilit njerëzor të dëshiruar dhe përcaktimit të parimeve e formimit të duhur, pika më e rëndësishme është nëse strategjia arsimore do të zbatohet plotësisht nga institucionet shtetërore apo këto të fundit do të luajnë një rol orientues, mbikëqyrës/inspektues dhe koordinues. Në botën e sotme, njerëzit kërkojnë që të kenë më shumë të drejtë fjale në lidhje me të ardhmen e fëmijëve të tyre. Tashmë i kemi lënë pas periudhat kur shteti i ofronte shoqërisë një plan-program mësimor dhe një kurrikul të hartuar plotësisht prej tij, pa marrë parasysh aspak zgjedhjet dhe nevojat e qytetarëve, një praktikë kjo që ndiqej kryesisht gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Familjet kërkojnë që fëmijët e tyre të marrin një arsim më të ndjeshëm karshi besimeve fetare, gjuhëve dhe kulturave që u përkasin. Gjithashtu profili njerëzor i kualifikuar, një nevojë e tregut së bashku me proceset e globalizimit, është tashmë përtej asaj që mund të garantojë një sistem arsimor i njëtrajtshëm i periudhës së  Luftës së Ftohtë. Sistemet arsimore duhet të jenë në gjendje që t’u përgjigjen preferencave pluraliste të familjeve dhe nevojave të ndryshme të tregut. Prandaj hartimi i një strategjie arsimore në të njëjtën kohë lidhet me lirinë, të drejtat e njeriut dhe nevojat e tregut. Nëse duhet të shprehemi më hapur, sistemet arsimore duhet t’u përgjigjen kërkesave të ndryshme arsimore të familjeve për një edukim më mysliman, më të krishterë, më hebraik apo më laik dhe nga ana tjetër më liberal, më socialist, më konservator apo më të moderuar. Në të njëjtën kohë, ai duhet të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave të tregut, kërkesat e të cilit ndryshojnë shpesh në një mjedis global ku konkurrenca po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. Është e pamundur që një arsim i dhënë vetëm nga institucionet shtetërore të mund t’u përgjigjet nevojave në ndryshim të tregut dhe zgjedhjeve të ndryshme të familjeve. Prandaj strategjia jonë arsimore duhet të koordinohet, inspektohet dhe orientohet nga institucionet shtetërore, por jo të ekzekutohet apo zbatohet prej tyre. Duhet të përshpejtohet tendenca aktuale për të zgjeruar vendin e shoqërisë civile dhe sektorit privat në arsim. Ky model po zbatohet me mjaft sukses në sektorin e shëndetësisë. Mund të flitet për gabimet e shoqërisë civile dhe sektorit privat. Madje këto kritika mund të jenë me vend. Por qytetërimi ynë është një qytetërim fondacioni. Dijetarë dhe mendimtarë të shumtë si Avicena(Ibn Sina), Algazeli(Al-Ghazali), Rumiu, Algoritmi(Al-Khuarizmi), Mulla Fanari(Shams ad-Din al-Fanari) dhe Ali Kushçi(Ala al-Din Ali ibn Muhammed), janë të gjithë emra të rritur në institucione që janë elementë të qytetërimit të fondacionit. Ne duhet t’i rindërtojmë këto vlera e themele edhe pse ato janë duke u zhdukur. Nga ana tjetër, nuk është e qëndrueshme nga aspekti i kostos që në vende si Turqia, me popullsi të re dhe njëherësh me ritme të ngadalësuara të rritjes së popullsisë, nevojave dhe shpenzimeve në arsim – siç janë shkollat e reja, mësuesit e rinj dhe objektet e reja – t’u përgjigjet vetëm shteti. Pas një farë kohe, shkollat ​​dhe klasat e reja nuk do të nevojiten dhe mësuesit nuk do të gjejnë dot më nxënës për të dhënë mësim si pasojë e rënies së nivelit të lindshmërisë. Prandaj ndarja që tani e kësaj kostoje me sektorin privat është një domosdoshmëri e mendjes racionale dhe e arsyes.

5.   Një strategji që i orienton nxënësit/studentët sipas aftësive të tyre dhe jo që i çon ata deri në pikën përfundimtare:Një nga problemet themelore të sistemit tonë arsimor aktual është se po e çon rininë tonë deri në portat e universiteteve dhe më tej në provimet profesionale, sepse nuk i orienton ata më herët. Ndërkohë që nevoja e vendit tonë për profesione të karrierës është jashtëzakonisht e kufizuar, nxitja e të rinjve për të studiuar deri në nivelin më të lartë dhe ballafaqimi i tyre me realitetin e hidhur vetëm kur trokasin në portën e fundit, pasi çdo gjë ka mbaruar, është një humbje e madhe si për veten e tyre ashtu edhe për vendin tonë. Prandaj strategjia jonë e arsimit duhet të bazohet në një sistem që i orienton nxënësit sipas aftësive të tyre duke nisur që nga shkolla fillore. Sistemi orientues hera-herës duhet të përfshijë edhe kalimin nga njëra fushë në tjetrën.

6.   Një strategji e hapur për konkurrencën ndërkombëtare: Turqia po bëhet gjithnjë e më shumë një qendër studentore ndërkombëtarë. I pranishëm në Ceremoninë e Këshillit të Arsimit të Lartë të Turqisë për Inaugurimin e Vitit të Ri Akademik 2018-2019, Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se në Turqi ka 143 mijë studentë ndërkombëtarë. Synimi ynë në konkurrencën globale është që të rrisim këtë shifër. Për të tërhequr më shumë studentë ndërkombëtarë, strategjia jonë arsimore duhet të përfshijë elementë si ndërgjegjësimi më shumë i nëpunësve publikë, profesionalizimi i universiteteve, investimet e reja nga sektori privat dhe revizionimi i legjislacionit/rregullores.

7.   Një strategji e ndjeshme karshi nevojave lokale dhe jo e centralizuar: Strategjia jonë arsimore duhet t’u japë shans shkollave/universiteteve të ndryshme në qytete të ndryshme sipas nevojave lokale, duhet të mundësojë që shkollat/universitetet të hapen dhe të mbyllen në periudha të ndryshme sipas nevojave të qyteteve.

Po e mbyllim këtë artikull me fjalët e biznesmenit, investitorit dhe filantropit kinez Jack Ma, një prej emrave më të famshëm të tregtisë elektronike: “Arsimi është një sfidë e madhe tani. Nëse s’ndryshojmë mënyrën se si edukojmë dhe arsimojmë fëmijët tanë, pas 30 vitesh do të jemi në rrezik. Sepse metoda jonë arsimore, e mësimdhënies, ato çfarë ne u mësojmë fëmijëve tanë, u përkasin 200 viteve më parë. Nuk mund t’u mësojmë fëmijëve që të konkurrojnë me makinat. Ato janë më inteligjente. Ne duhet t’u mësojmë atyre diçka unike, në mënyrë që një makinë të mos na arrijë kurrë. Fëmijëve tanë duhet t’u mësojmë vlerat, besimin, mendimin e pavarur, punën në grup, kujdesin për të tjerët... Këto janë aftësi njerëzore. Njohuritë nuk ua mësojnë këto. Kjo është arsyeja pse unë mendoj që ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë sport, muzikë, pikturë, art. Çdo gjë që mësojmë duhet të jetë ndryshe nga makinat.”

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme