Shtypi turk 21.02.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 21 shkurt 2018:

Shtypi turk 21.02.2018

Sabah” – Erdogan: Nuk i lejojmë, do ta paguajnë shumë shtrenjtë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është takuar mbrëmjen e së martës në Kompleksin Presidencial në Ankara me Presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Kreu i shtetit turk ka organizuar më pas një konferencë të përbashkët shtypi me homologun maqedonas. I pyetur në lidhje me tentativën e grupeve terroriste pro regjimit sirian për të hyrë në Afrin, Erdogan është përgjigjur me fjalët: “Në takimet/bisedat telefonike që kemi realizuar me Putinin dhe Rouhanin, kemi rënë dakord për këto çështje. Fatkeqësisht, kësisoj organizatash terroriste, siç e dini, ndonjëherë bëjnë hapa të gabuara me vendimet që marrin sipas kokës së tyre. Natyrisht që s’mund t’i lejojmë këto. Kanë për ta paguar shumë shtrenjtë çmimin e kësaj.”

Haber Türk” – Zëdhënësi i Presidencës: Ka një sërë pazarllëqesh të pista

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, ambasadori Ibrahim Kalin, u është përgjigjur pretendimeve se regjimi i Esadit në Siri ka rënë dakord me YPG/PYD-në, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK, për zonën e Afrinit. “Është e qartë se këto lajme kanë qëllime propagandistike. Ka një sërë pazarllëqesh të fshehta dhe të pista. Megjithatë operacioni ‘Dega e Ullirit’ do të arrijë synimin pavarësisht se çfarë do të bëjnë”, vlerësoi zëdhënësi Kalin.

Vatan” – Presidenti kolumbian: Marrim shembull nga Turqia

Kryetari i Shtetit të Kolumbisë, Juan Manuel Santos, ka bërë me dije se një delegacion kolumbian është dërguar në Turqi për t’i bërë ballë fluksit të refugjatëve që po mbërrijnë në vendin e tij nga Venezuela. Gjatë një interviste për “Blu Radio”, Santos theksoi se janë gati të marrin ndihmë ndërkombëtare. “Ne s’kemi përvojë në lidhje me fluksin e refugjatëve, prandaj jemi duke marrë shembull nga vende si Turqia”, deklaroi kreu i shtetit kolumbian.

Star” – Antalia pret të vizitohet nga 12 milionë turistë në 2018-n

Turqia pret që qendra turistike e saj në Mesdhe, Antalia, të vizitohet nga të paktën 12 milionë turistë gjatë vitit 2018. “Presim që numri të arrijë në 12 milionë turistë në vitin 2018”, ka deklaruar presidenti i Shoqatës Mesdhetare të Hotelierëve dhe Operatorëve Turistikë (AKTOB), Erkan Yagci. Ai ka sqaruar se tregu rus dhe ai evropian janë shtyllat kryesore të turizmit të Antalias në veçanti dhe Turqisë në përgjithësi duke shpresuar që shifrat e këtij viti të arrijnë ato të 2014-s, kur Turqia ka regjistruar rekordin më të lartë me gjithsej 37 milionë turistë.

Yeni Şafak” – Dyndje turistësh në shtëpinë mbi pemë

Osman Kaba, një shtetas turk që jeton në fshatin Kemerkopru të nënprefekturës Arhavi, në provincën verilindore Artvin, pas kërkesave të shumta dhe interesit të lartë të vizitorëve, ka hapur për turizëm shtëpinë mbi pemë, të cilën ai e ka ndërtuar rreth 3 vite më parë për të realizuar ëndrrën e fëmijërisë së tij. Kjo shtëpi tetëkëndëshe mbi pemë, ndërtuar në trungun e një peme 15 m të lartë, rreth 8 m nga sipërfaqja e tokës, ka brenda saj një banjë me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë, një nevojtore dhe një dhomë ku mund të strehohen lehtësisht 7 persona. Ajo ngjall admirim me çatinë e saj shumëngjyrëshe dhe panoramën unike që ofron.



Lajme të ngjashme