Shtypi turk 20.09.2018

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e enjte, 20 shtator 2018:

Shtypi turk 20.09.2018

Hürriyet” – Partneriteti strategjik forcohet me investime

Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi mbrëmjen e së mërkurës në Ankara një takim me përfaqësuesit e kompanive amerikane në Turqi. Pasi theksoi se s’do të ketë lëshime në parimet e tregut të lirë, Presidenti Erdogan vijoi me këto fjalë: “Partneriteti ynë strategjik do të forcohet me investime dhe tregti. Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të forcohen përmes hapave në ekonomi dhe investimeve. Nuk më duket e drejtë që çështjet politike të krahasohen me ato ekonomike. Problemet do t’i kapërcejmë me guxim dhe diplomaci.”

Vatan” – Ministri Akar: 366 terroristë të neutralizuar në 45 ditë

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi të mërkurën se rezultatet e luftës kundër terrorizmit janë tashmë konkretisht të dukshme. “Në operacionet tokësore dhe ajrore të shkallës së mesme dhe të gjerë, ndërmarrë brenda vendit dhe jashtë kufijve të Turqisë gjatë 45 ditëve të fundit, janë neutralizuar gjithsej 366 terroristë, përfshi këtu edhe të ashtuquajtur anëtarë të kuadrit të lartë drejtues”, bëri me dije Akar duke folur në ceremoninë me rastin e Ditës së Veteranëve, organizuar në Qendrën Popullore të Kulturës dhe Kongreseve të Ankarasë me pjesëmarrjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Star” – Varank: Vazhdojnë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Japoninë

Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, Mustafa Varank, i pranishëm në Mbledhjen 24. të Përbashkët të Këshillit të Biznesit Turqi-Japoni, organizuar të mërkurën nga Bordi i Marrëdhënieve Ekonomike të Jashtme (DEIK), tha se ndërmjet Turqisë dhe Japonisë ka një miqësi me rrënjë historike shumë të thella. Pasi rikujtoi fillimisht se “Marrëveshja për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve” me Japoninë është nënshkruar në vitin 1993, ministri Varank bëri me dije se tani janë duke vazhduar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila do të zëvendësojë këtë aktualen dhe do t’u njohë investitorëve të drejta të reja. “Dikasteri nën drejtimin tim është përgjegjës për pjesën e investimeve të kësaj marrëveshjeje. Synimi ynë është që këto negociata t’i përmbyllim jo më vonë se gjysma e parë e vitit 2019”, u shpreh ai.

Sabah” – Lokomotiva kombëtare hibride e Turqisë ekspozohet në Gjermani

Lokomotiva e re hibride turke, prodhuar në qytetin Eskishehir nga Kompania e Lokomotivave dhe Motorëve të Turqisë (TULOMSAS) në bashkëpunim me Kompaninë Shtetërore të Hekurudhave të Republikës Turqisë (TCDD) dhe Kompaninë e Industrisë Elektronike Ushtarake të Turqisë (ASELSAN), u ekspozua në Panairin “InnoTrans” 2018, që u organizua në kryeqytetin Berlin të Gjermanisë. Ekspozuar në panairin hekurudhor më të madh në botë, lokomotiva hibride është e para kombëtare turke që prodhohet pa ndonjë licencë të huaj. Me këtë projekt, Turqia u bë vendi i 4-t në botë që zotëron këtë teknologji dhe aftësinë për të dizajnuar e prodhuar një lokomotivë hibride për manovrim.

Yeni Şafak” – Surpriza e avionit luftarak kombëtar në “TEKNOFEST”

Kompania Turke e Industrisë së Aviacionit dhe Hapësirës (TAI) do të hapë për vizitorët hangarët e saj në platformë virtuale, në kuadër të Festivalit të Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë në Stamboll (TEKNOFEST). Organizuar nga Fondacioni i Skuadrës Teknologjike të Turqisë (T3) dhe Bashkia Metropolitane e Stambollit, TEKNOFEST-i do të presë aktivitete të llojllojshme në ambientet e aeroportit të ri të Stambollit, nga data 20 deri më 23 shtator.



Lajme të ngjashme