Turqia forcon sistemin e mbrojtjes kundërajrore

Vazhdojnë me shpejtësi përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes të shtresëzuar kundërajrore dhe raketore të Turqisë duke përdorur në nivelin maksimal mundësitë vendore.

hava savunma.jpg
hava savunma ..jpg
hava savunma 1.jpg
hava savunma.jpg
Türkiye-savunma-sistemleri-5.jpg
SAVUNMA SANAYI

 *Nga Göksel Yıldırım

Turqia po zhvillon punime në shumë drejtime me qëllim përballimin e nevojave që ka në fushën e mbrojtjes kundërajrore.

Në kuadër të punimeve lidhur me Hartën Rrugore të Mbrojtjes Kundërajrore dhe Raketore të Turqisë po krijohen modele projektesh në drejtim të zhvillimit të aftësisë së vendit për mbrojtje të shtresëzuar kundërajrore dhe raketore duke përfituar në nivel maksimal nga mundësitë e brendshme. Punimet për zhvillimin e modelit vendor zhvillohen nën udhëheqjen e firmave turke duke marrë nga institucionet dhe agjencitë përkatëse, në rast nevoje edhe nga firma e huaja, mbështetjen teknike në fushat, për të cilat ka nevojë. 

 

Krahas kësaj, në projektet, të cilat kanë përfunduar në aspektin e aktivitetit të projektimit dhe zhvillimit, realizohen punime në drejtim të planifikimit të periudhës së prodhimit në seri, ku një rol të rëndësishëm do të luajnë industria ndihmëse dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme turke (KOBI). Për këtë qëllim, duke përdorur mundësitë dhe kapacitetet e firmave turke që operojnë në sektorin e industrisë së mbrojtjes, kryesisht të kompanive të njohura ASELSAN dhe ROKETSAN, nga njëra anë parandalohet përsëritja e investimeve, kurse nga ana tjetër sigurohet qëndrueshmëria e sektorit për të konkurruar jashtë vendit.

Një nga objektivat strategjike më të rëndësishme për mbrojtjen kundërajrore është, "realizimi i projekteve që do ti shërbenin mbrojtjes kundërajrore të shtresëzuar të Turqisë duke përdorur mundësitë dhe kapacitetet e brendshme në sektorin e mbrojtjes kundërajrore”. 

Në përshtatje me këtë strategji, duke siguruar pjesëmarrje në nëngrupet e punës që krijohen në kuadër të NATO-s dhe në aktivitete të ngjashme që bëhen në lidhje me bashkëpunimet në industrinë e mbrojtjes ndërmjet vendeve të ndryshme ndiqen nga afër metodat që zbatohen në botë në lidhje me zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore.

Ndërkaq vazhdojnë punimet për prodhimin e një versioni tjetër të sistemeve raketore që janë prodhuar në kuadër të projektit “Hisar”, me qëllim për t’ia rritur rrezen e veprimit mbi 40 km raketës dhe duke marrë në konsideratë nevojat për përdorim të brendshëm dhe eksport.

Gjithashtu synohet që raketa ajër-ajër, që do të zhvillohet në kuadër të projektit “Göktuğ”, të përdoret edhe nga sistemet e komandimit me bazë në tokë, të cilat do të prodhohen në kuadër të projektit “Hisar”.

Nga ana tjetër do të përmbyllen edhe testet për integrimin në platformat detare të sistemit të zhvilluar në kuadër të projektit “Aykut”. Në këtë mënyrë do të sigurohet që Komanda e Forcave Detare (Flota) ti përballojë brenda vendit nevojat për këto sisteme.

Vazhdojnë me sukses testet e raketave “Hisar”

Janë realizuar me sukses qitjet provë të raketave të mbrojtjes kundërajrore “Hisar”, të cilat janë zhvilluar nga bashkëpunimi i firmave ASELSAN dhe ROKETSAN nën koordinimin e Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes (SSM).

Raketat e mbrojtjes kundërajrore për lartësi të ulët (Hisar-A/15 km) dhe lartësi mesatare (Hisar-O/25 km), të cilat janë testuar me sukses tashmë, janë zhvilluar kundër avionëve me krahë të lëvizshëm dhe palëvizshëm, raketave në lëvizje, raketave ajër-tokë dhe mjeteve të fluturimit pa pilot (dron) me qëllim për të mbrojtur bazat ushtarake, portet, objektet dhe repartet.

Pritet që raketa Hisar-A të hyjë në inventarin e ushtrisë turke në vitin 2020, kurse raketa Hisar-O të fillojë të përdoret në vitin 2021.

Korkut do të ofrojë mbrojtje edhe në det

Sistemi “Korkut”, i cili ka nisur ti dorëzohet Komandës së Forcave Tokësore, do të përdoret edhe për mbrojtjen e anijeve luftarake nga raketat.

Për këtë qëllim u prodhua si prototip sistemi “Korkut-D”, i cili me mbështetjen e Komandës së Forcave Detare tani është integruar edhe anijen stërvitore “TCG S.Mehmetpaşa”. Sipas testeve që janë bërë me këtë sistem, Korkut-D mund të përdoret në mbrojtjen e anijeve nga raketat.

Gjatë qitjeve të provës, sistemi Korkut-D i ka kryer në mënyrë automatike, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e operatorit, të gjitha funksionet, si ndjekja e objektivit dhe hapja zjarr ndaj tij, dhe e ka asgjësuar objektin, që ka qenë duke ardhur me shpejtësi të lartë në nivelin e detit në formën e një sulmi me raketë kundër anijes.

Strategjia për rreze të gjatë veprimi

Nevojën për mbrojtje kundërajrore dhe raketore me rreze të gjatë veprimi në një të ardhme të afatshkurtër Turqia do ta përballojë me raketat S-400, të cilat do ti blejë nga Rusia.

Ndërsa në një të ardhshme afatmesme Turqia do të orientohet drejt sistemeve që do të zhvillohen me projekte të përbashkëta me pjesëmarrjen e vendeve të tjera. Me partneritetin ASELSAN, ROKETSAN dhe EUROSAN vazhdojnë punimet mbi konceptin e një sistemi më të zhvilluar e sofistikuar se sa sistemi i sotëm i mbrojtjes kundërajrore SAMP-T.

Kurse për një të ardhme afatgjatë synimi është që Turqia të prodhojë me mundësitë e veta një sistem të mbrojtjes kundërajrore dhe raketore me rreze të gjatë veprimi.

*Gazetar i agjencisë Anadolu Agency (AA)

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme