Kuzhina turke - 05

Një prej ushqimeve që përdoret shpesh në kuzhinën turke është edhe bollguri. Sikurse orizi edhe bollguri përdoret për pilaf, sallata, supa, gjellë me perime, por edhe për gatimin e qofteve.

Kuzhina turke - 05

Kuzhina turke - Pilaf bollguri

Një prej ushqimeve që përdoret shpesh në kuzhinën turke është edhe bollguri. Sikurse orizi edhe bollguri përdoret për pilaf, sallata, supa, gjellë me perime, por edhe për gatimin e qofteve. Por, çfarë është bollguri? Ai herë pas here ngatërrohet me ‘kuskus’, që është njëra prej ushqimeve themelore të kuzhinës së Lindjes së Mesme, por në të vërtetë është formë e thyer, e copëtuar e grurit. Bollguri është drithë (kryesisht grurë ose misër), që zakonisht zihet, pastaj thahet e copëtohet në mulli në madhësi të ndryshme. Ndërkohë që bollguri i bluar trashë zakonisht përdoret për pilaf, bollguri i imët përdoret për gatimin e qofteve, në dollma dhe sallata.

Për shkak të faktit se tokat e Anadollit dhe kushtet gjeografike janë të përshtatshme për kultivimin e grurit, nuk do të jetë gabim nëse themi që produktet e grurit, me në krye bollgurin, përbëjnë njërin prej ushqimeve kryesore të kuzhinës turke. Posaçërisht pilafi i bollgurit zë një vend të posaçëm në kulturën turke. “Pilaf bollguri”, që gatuhet pothuajse në çdo vend të Anadollit në mënyra të ndryshme, është një nga ushqimet e domosdoshme të kuzhinës turke.

Përbërësit për të gatuar pilaf bollguri janë si më poshtë:

  • 1 gotë bollguri të trashë
  • ¼ gotë vaj
  • 1 qepë
  • 2-3 speca të gjelbra
  • ½ lugë salcë specash
  • 2 domate
  • 2 gota ujë të valuar
  • Kripë, piper i zi, piper i kuq, nenexhik
  • 2 lugë gjalpë  

Fillimisht e ngrohim vajin dhe skuqim qepën e specat e gjelbër të grirë imët. Pastaj shtojmë salcën e specave dhe të gjitha këto i skuqim për disa minuta. Më pas shtojmë domatet e qëruara dhe të grira dhe vazhdojmë ti skuqim deri sa domatet të zbuten. Ndërkohë lajmë dhe kullojmë bollgurin dhe e shtojmë në harxhin e përgatitur me qepë/domate. Shtojmë ujin e valuar dhe e zvogëlojmë zjarrin. Pasi të hedhim kripën dhe erëzat e lëmë të zihet deri sa bollguri ta thithë ujin. Në një tavë shkrijmë gjalpin dhe ia shtojmë pilafit të zier. Pilafin e shërbejmë pasi të ketë qëndruar në tenxhere me kapak të mbyllur për 10 minuta. Ju bëftë mirë...



Lajme të ngjashme