Pentagoni ndalon përdorimin e pajisjeve me GPS

Pentagoni ndaloi të hënën përdorimin e të gjitha pajisjeve dhe aplikacioneve që kanë Sistemin Global të Pozicionimit (GPS) kur personeli ndodhet në bazat ushtarake dhe zonat operacionale.

pentagon.jpg
abd askeri.jpg
abd asker

Në deklaratën me shkrim Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) vuri në dukje se këto pajisje, aplikacione dhe shërbime që kanë/përdorin veçorinë GPS mbartin rreziqe për sigurinë e operacioneve globale të ushtrisë amerikane dhe personelit ushtarak.

"Personeli i Departamentit të Mbrojtjes është i ndaluar të përdorë veçoritë dhe funksionet e përcaktimit të pozicionit në pajisjet, aplikacionet dhe shërbimet shtetërore apo jo-shtetërore ndërsa ai ndodhet në vendet e përcaktuara si zona operacionale", thuhet në komunikatën me shkrim të Pentagonit.

Politika e re nuk përfshin ndërtesat publike, që nuk janë përcaktuar si zona të operacioneve ushtarake, siç është Pentagoni, ku pajisjet në fjalë mund të mbahen me vete në rast se fiket funksioni GPS.

Në muajin janar, një aplikacioni me emrin “Strava” kishte shpërndarë vendndodhjet e përdoruesve në të gjithë botën përmes "hartës globale të nxehtësisë", e cila për të gjetur vendndodhjet e përdoruesve aktivë përdorte teknologjinë GPS.

Aplikacioni, të cilin e përdorin edhe ushtarët amerikanë, kishte zbuluar vendndodhjen e disa bazave të panjohura ushtarake amerikane në Afganistan, Siri dhe Irak dhe për këtë çështje Pentagoni kishte nisur edhe një hetim.



Lajme të ngjashme