Sporti botëror – Evenimentet më të rëndësishme të 2016-s

Në këto ditë të para të 2017-s, ku pjesa më e madhe e botës së sportit është me pushime, do t’u hedhim një shikim ngjarjeve të rëndësishme sportive të vitit të kaluar...

Sporti botëror – Evenimentet më të rëndësishme të 2016-s

Sporti botëror – Evenimentet më të rëndësishme të 2016-s

Çdo vit i ri sjell me vete shpresën dhe pritjen për fillime dhe emocione të reja, për suksese dhe gëzime. Edhe në vitin 2017, ndërkohë që ditët kalojnë një e nga një të mbushura me këto ndjenja, në çdo etapë të jetës do të ketë suksese, gëzime e lumturi, sikurse dhe zhgënjime e trishtime. Këto ndjenja do t’i dëshmojmë më shpesh veçanërisht në botën e sportit.

Viti 2017 do të jetë përsëri skenë e garave dhe përpjekjeve të reja në shumë disiplina sportive. Teksa disa sportistë do të luftojnë për të ruajtur pozitën e tyre në kërkim të sukseseve të kaluara, disa të tjerë do të mposhten nga emra të rinj dhe shumë sportistë të rinj do të spikasin me talentin, zgjuarsinë apo forcën e tyre. Mjaft rekorde do të thyhen në lloje të ndryshme sporti.

Por, në këto ditë të para të 2017-s, ku pjesa më e madhe e botës së sportit është me pushime, ne do t’u hedhim një shikim ngjarjeve të rëndësishme sportive të vitit të kaluar. Lojërat Olimpike të Rios ishin padyshim organizimi sportiv më tërheqës i 2016-s. Po flasim për evenimentin sportiv më të madh botëror, realizuar me pjesëmarrjen e 10.500 sportistëve nga 206 vende të ndryshme të botës; për garat më korrekte të sportistëve nga 5 kontinente, ku në plan të parë doli miqësia, vëllazëria dhe paqja, ndërsa u theksua se më e rëndësishme është pjesëmarrja dhe jo fitorja. Këto gara u ndoqën me emocion, hera-herës pa marrë frymë, nga mijëra njerëz në tribunat e stadiumeve dhe nga miliarda të tjerë nga ekranet televizive. Ndërkohë që gëzimi i fituesve gërshetohej me trishtimin e humbësve, shembujt më të bukur të frymës olimpike ishin festat e humbësve dhe ngushëllimet e fituesve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës zunë vendin e parë me 121 medalje në total, nga të cilat 46 ari, 37 argjendi dhe 38 bronzi. Ky shtet u ndoq respektivisht nga Kina me 70 medalje, Britania e Madhe me 67 dhe Rusia me gjithsej 56 medalje olimpike. Ndërkaq, s’mund të kalojmë pa përmendur këtu notarin amerikan, Michael Phelps, që hyri në histori si sportisti i vetëm, i cili ka fituar më shumë se një medalje në 4 lojërat olimpike ku është paraqitur. Phelps ka fituar gjithsej 25 medalje, nga të cilat 21 ari.

Një tjetër emër për t’u nënvizuar është edhe ai i atletit nga Xhamajka, Usain Bolt. Kampion olimpik për 3 herë radhazi, Bolt fitoi sërish medalje ari në garën 100 m për meshkuj.

Kampionati Evropian i Futbolli ishte gjithashtu një arenë emocionesh të papërshkrueshme. Franca ishte zot shtëpie dhe njëherësh finaliste, por kupën e përvetësoi Portugalia, e cila fitoi ndeshjen finale me rezultatin minimal 1-0.

Tenisi është me siguri një nga disiplinat sportive më të ndjekura në botë, sidomos turnetë “Grand Slam”. Ato të hapura në Australi, Uimbëlldon, Amerikë dhe sigurisht turneu “Roland Garros” janë organizime të shumëpritura nga miliona sportdashës. Fushat e tenisit njihen me emra të rinj nga njëra anë dhe dëshmojnë rivalitetin e raketave me përvojë nga ana tjetër. Australia dhe “Roland Garros” rezultuan triumfe madhështore për serbin Novak Djokoviç, Uimbëlldoni u fitua nga britaniku Andy Murray, ndërsa turneu i hapur në Amerikë nga zvicerani me orgjinë polake, Stan Wawrinka. Kurse mungesat e zviceranit Roger Federer dhe spanjollit Rafael Nadal për shkak të dëmtimeve, si dhe ajo e ruses Maria Sharapova për doping, ishin zhgënjimet më të mëdha për të pasionuarit e tenisit gjatë vitit 2016.

Andej nga fundi i vitit që lamë pas, skuadra braziliane e futbollit, Chapecoense, humbi pothuajse të gjithë lojtarët e saj në një aksident ajror. Si pasojë e aksidentit ajror në Kolumbi humbën jetën 76 persona, nga gjithsej 81 pasagjerë të avionit.

Motoçiklisti turk, Kenan Sofuoglu, u shpall për të 5-n herë kampion bote në kategorinë “Supersport”, pasi fitoi në Spanjë garën e 11-të të sezonit të kaluar.

Ekipi turk i volejbollit për femra, Eczacıbaşı Vitra, mposhti në finale skuadrën italiane Casalmaggiore dhe fitoi për të dytën herë titullin e kampionit të botës.

2017-a do të jetë padyshim një tjetër vit plot evenimente dhe emocione sportive.

 

Autor: Ali Tansu Polatkan - Gazetar/Moderator në Departamentin e Lajmeve dhe Sportit, TRT, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme