Homazhe për nder të Fadil Vokrrit në Kuvendin e Kosovës

të shtunën në mëngjes kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare

Homazhe për nder të Fadil Vokrrit në Kuvendin e Kosovës

Në Kosovë, sot është ditë zie në nder të Fadil Vokrrit të ndjerë, ku në hollin e Kuvendit të Kosovës po bëhen homazhe para arkivolit të legjendës kosovare të futbollit, i cili së fundmi ushtroi detyrën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Nën kujdesin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sot organizohet lamtumira e fundit për Fadil Vokrrin, ndërkohë që në hollin e Kuvendit të Kosovës, është mbajtur ceremonia e homazheve.

Një numër i madh qytetarësh dhe punonjës të sportit, presin të heshtur në radhën e gjatë për t'i dhënë lamtumirën e fundit ikonës së futbollit kosovar. Në mesin e atyre që bënë homazhe për të nderuar Fadil Vokrin ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe një numër i madh figurash publike.

Në orët e pasdites do të bëhet varrimi në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan.

Me një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në shenjë të respektit shtetëror dhe qytetar, flamujt kombëtarë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, janë ulur në gjysmën e shtizës.

Për ndarjen nga jeta të Vokrrit, mesazhe ngushëllimi në adresë të familjes së tij dhe Federatës së Futbollit të Kosovës kanë dërguar zyrtarë të shumtë kosovarë, partitë politike, personalitete të shumta nga jeta publike e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s.

Kujtojmë se mëngjesin e së shtunës, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare. (AA)



Lajme të ngjashme