Erdogan: Presim një vlerësim të drejtë nga UEFA për organizimin e Euro 2024-s

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Turqia ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për organizimin e Euro 2024 dhe se presin një vlerësim të drejtë...

Erdogan: Presim një vlerësim të drejtë nga UEFA për organizimin e Euro 2024-s

Në një intervistë për gazetat e grupit mediatik gjerman, "Funke Media", Erdogan ka folur në lidhje me fotografinë në Londër me futbollistin Mesut Ozil, i cili u largua nga kombëtarja gjermane për shkak të sulmeve raciste dhe diskriminuese, si dhe për kandidaturën për organizimin e Euro 2024. 

"Presim një vlerësim të drejtë", është shprehur Erdogan duke theksuar se Turqia ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për organizimin e Euro 2024. 

Pasi ka bërë të ditur se nuk reflektojnë të vërtetën deklaratat në lidhje me situatën ekonomike të Turqisë, Erdogan tha se "Turqia është një vend dinamik dhe frytdhënës nga pikëpamja e turizmit, prandaj nuk duhet të ketë dyshime për mbushjen e stadiumeve në kampionatin evropian, për rritjen e sponsorëve dhe të ardhura nga reklamat". 

Ai ka shpjeguar më tej se pothuajse në të gjitha qytetet kanë ndërtuar komplekse sportive, stadiume dhe pallate sporti me kapacitete të larta, të cilat shumë herë nuk vërehen as edhe në vendet e Evropës.

"Nëse UEFA bën një vlerësim objektiv, mund t’i shikojë këto të vërteta", shtoi Erdogan. 

"Mendoj se duhet t’i jepet mundësia një vendi si Turqia, që ka entuziazmin e futbollit dhe që ka përmbushur të gjitha kushtet për organizimin", theksoi presidenti turk duke rikujtuar se Gjermania ka organizuar dy kampionate botërore dhe një evropian në vitet 1974, 1988 dhe 2006. 

Në lidhje me fotografitë që Mesut Ozil, Ilkay Gundogan dhe Cenk Tosun kanë realizuar me të, Erdogan theksoi se "nuk ka asnjë gjë për t’u penduar" dhe shtoi: "Siç e dini edhe Lothar Matthaeus është takuar me Vladimir Putinin. Futbollistët tanë duhet të kenë situatën për të vepruar me vullnetin e lirë. Më vjen keq për ata që e kritikojnë këtë."

Shprehja e Mesut Ozil se "kur fitoj jam gjerman, ndërsa kur humb jam emigrant" e përmbledh shumë mirë përballjen e futbollistëve me diskriminim në Gjermani, është shprehur Erdogan, duke shtuar se "(Mesut Ozil) nuk u largua pa arsye nga ekipi kombëtar i Gjermanisë. Çdokush që do të përballet me këto sulme dhe ofendime raciste do të reagonte në të njëjtën mënyrë". 

"Jemi takuar shumë herë në raste të ndryshme. Në të njëjtën mënyrë takohemi me qytetarët tanë me origjinë turke në vende të ndryshme. Mesut është një person që jeton në Londër. Të mos takohem me atë teksa unë ndodhem atje? Mos vallë duhet të keqtrajtojmë një futbollist gjerman që luan në vendin tonë dhe bën fotografi me kancelaren gjermane Angela Merkel? Nuk e kuptoj këtë logjikë", tha Erdogan i cili duke bërë të ditur se në Londër nuk është takuar për herë të parë me Mesut Ozil, tha se bashkërisht duhet të luftohet racizmi. 

Erdogan i cili gjatë datave 27-29 shtator do të zhvillojë takime zyrtare në Gjermani ka bërë të ditur se me kancelaren gjermane, Angela Merkel, nuk kanë planifikuar të flasin për futbollin, por nëse ajo e përmend situatën e Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan edhe ai do të flasë për futbollin. / AA



Lajme të ngjashme