Formula 1 – Hamilton shënon fitoren e katërt radhazi në Çmimin e Madh të Japonisë

Gara e 17-të e këtij sezoni në Formula 1 u zhvillua në pistën 5,8 km të gjatë të Suzukas, ku vendin e parë në fund të 53 xhirove e siguroi 33-vjeçari Hamilton, i cili u nis nga "pole position"...

Formula 1 – Hamilton shënon fitoren e katërt radhazi në Çmimin e Madh të Japonisë

Piloti britanik i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka triumfuar mëngjesin e sotëm në garën për Çmimin e Madh të Japonisë, fitorja e katërt radhazi për të në Kampionatin Botëror të Formula 1.

Gara e 17-të e këtij sezoni në Formula 1 u zhvillua në pistën 5,8 km të gjatë të Suzukas, ku vendin e parë në fund të 53 xhirove e siguroi 33-vjeçari Hamilton, i cili u nis nga "pole position".

Në këtë sezon, kjo është fitorja e nëntë në total dhe e katërta radhazi për britanikun.

I dyti e kaloi vijën e finishit shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas, ndërsa i treti doli Max Verstappen i Red Bull-TAG Heuer.

Klasifikimi provizor i pilotëve sheh në krye Hamiltonin me 331 pikë, 67 pikë përpara Sebastian Vettel të Ferrarit, i cili e përfundoi i gjashti garën e sotme. Ata ndiqen respektivisht nga dy shokët e skuadrës, Bottas (Mercedes) me 207 pikë dhe Kimi Raikkonen (Ferrari) me 196 pikë.

Çmimi i Madh i radhës do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më datë 21 tetor.

Renditja e 10 pilotëve më të mirë në Çmimin e Madh të Japonisë është:

  1. Lewis Hamilton (Mercedes)
  2. Valtteri Bottas (Mercedes)
  3. Max Verstappen (Red Bull-TAG Heuer)
  4. Daniel Ricciardo (Red Bull-TAG Heuer)
  5. Kimi Raikkonen (Ferrari)
  6. Sebastian Vettel (Ferrari)
  7. Sergio Perez (Racing Point Force India)
  8. Romain Grosjean (Haas-Ferrari)
  9. Esteban Ocon (Racing Point Force India)
  10. Carlos Sainz (Renault)

Klasifikimi provizor i pilotëve është: 

  1. Lewis Hamilton (Britani e Madhe): 331 pikë
  2. Sebastian Vettel (Gjermani): 264
  3. Valtteri Bottas (Finlandë): 207
  4. Kimi Raikkonen (Finlandë): 196
  5. Max Verstappen (Holandë): 173

Klasifikimi i skuadrave është:

  1. Mercedes: 538 pikë
  2. Ferrari: 460
  3. Red Bull: 319
  4. Renault: 92
  5. Haas: 84


Lajme të ngjashme