Ekonomia Botërore: Skema e Pensioneve Private në Turqi

Analizë nga prof. dr. Erdal Tanas Karagol i Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara, rreth Skemës së Pensioneve Private në Turqi...

Ekonomia Botërore: Skema e Pensioneve Private në Turqi

Ekonomia Botërore: Skema e Pensioneve Private në Turqi

Rritja e nivelit të kursimeve paraqet rëndësi madhore për krijimin e stokut të kapitalit, gjerësisht i konsideruar një “gur themeltar” i zhvillimit ekonomik. Për këtë qëllim, vendet duhet patjetër të ingranojnë mekanizma për rritjen e kursimeve. Dhe në krye të mekanizmave në fjalë renditet Skema e Pensioneve Private (PPS). Në shumë vende të industrializuara apo në zhvillim të botës, institucionet financiare dhe ato të kapitalit, të cilat menaxhojnë fondet e pensioneve private, bartin rëndësi shumë të madhe për vetë tiparin e tyre si investitor institucional, por edhe sepse garantojnë fonde afatgjata për tregjet.

Skema e Pensioneve Private është një sistem, i cili është ngritur për të nxitur kursime më të larta nga personat e punësuar ose me aktivitet ekonomik, për të rigjeneruar zhvillimin e tregjeve lokale të kapitaleve, për të eliminuar informalitetin në ekonomik duke rritur shumat e kapitalit të formalizuar vendas dhe duke mbështetur ndjeshëm zhvillimet ekonomike të këtyre vendeve, të cilat, së bashku me sistemin bankar, formojnë pjesën kryesore të investuesve në ekonomi. Nëse u hedhim një vështrim shteteve të industrializuara, duket qartë se PPS-ja është një nga faktorët kryesorë të nivelit të lartë të kursimeve. Po ashtu falë Skemës së Pensioneve Private, ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim, të cilat janë të varura nga hyrjet afatshkurtra të kapitalit, sigurojnë jo vetëm rritje të nivelit të mirëqenies së qytetarëve në moshë pensioni, por edhe burime serioze ekonomike përmes fondeve të grumbulluara.

E parë në aspektin e zbatimit, PPS-ja paraqet dallime në varësi të vendit. Në disa shtete ajo është pjesë plotësuese e sistemit të sigurimeve shoqërore, kurse në vende të tjera një alternativë e tij. Kurse pjesëmarrja në sistem është me imponim në disa shtete dhe sipas dëshirës në të tjera. Skema e Pensioneve Private është në origjinë një model anglosakson, i cili aplikohet suksesshëm në shtete si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe Holanda.

Në Kinë, duke qenë se niveli i kursimeve ekonomike është mbi 50 për qind, pjesa më e madhe e investimeve në vend realizohen pikërisht nëpërmjet financimit nga kursimet. Kjo është maksimalisht e rëndësishme për vende si Turqia, entuziaste për të investuar, por njëherësh problematike në aspektin e financimit. Një shtet me ekonomi në zhvillim e sipër, Turqia është përgjithësisht e varur nga jashtë në lidhje me stokun e kapitalit. Përveç kësaj vartësie, vendi ka gjithashtu një nivel të ulët kursimesh në krahasim me mjaft shtete të tjera.

Filluar në vitin 2003 dhe bërë e detyrueshme që prej 1 janarit 2017, Skema e Pensioneve Private në këtë kontekst do të funksionojë si një mekanizëm i rëndësishëm për të rritur nivelin aktualisht të ulët të kursimeve në Turqi. Implementimi i PPS-së, e cila nisi me synimin e rritjes së nivelit të ulët të kursimeve, ndër mangësitë e reformës strukturore dhe një nga problemet më të mëdha të ekonomisë turke, në Turqi është preferuar qëllimisht të jetë i detyrueshëm. Synimi bazë i kësaj praktike është nxitja e rritjes së kursimeve brenda vendit; garantimi duke kursyer rregullisht i të njëjtave standarde të jetesës, të cilat individët kanë gjatë periudhës në marrëdhënie pune, edhe kur dalin në pension; si dhe shfrytëzimi i këtyre kursimeve si instrument investimi në ekonominë e vendit.

Me anë të këtij projekti do të mundësohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në sistem e të gjithë nëpunësve të lindur nga viti 1972 e këtej. Pra, të tërë punëmarrësit nën 45 vjeç do të përfshihen automatikisht përmes institucioneve punëdhënëse. Kështu, në Skemën e Pensioneve Private parashikohet që të përfshihen mbi 14 milionë rrogëtarë. Megjithatë pjesëmarrësit mund të dalin jashtë sistemit sipas dëshirës pa kurrfarë humbjeje jo më herët se 2 muaj nga dita e fillimit. Ndërsa për ata që do të qëndrojnë, krahas prerjeve nga rrogat – më e ulëta 53 lira turke (TL) dhe më e larta 340 TL – planifikohen edhe kontribute shtetërore suplementare plus atij sa 25 për qind e kontributit individual, që shteti ofron prej tashmë disa vitesh. Njëri prej tyre është edhe kontributi shtetëror prej 1.000 TL, i cili do të jepet vetëm një herë për çdo punëmarrës që vendos të mos heqë dorë nga PPS-ja. Gjithnjë sipas detajeve të këtij sistemi, kontributin shtetëror nuk do të mund ta marrë asnjë pjesëmarrës, që e anulon atë brenda 3 viteve të para. Ata që qëndrojnë në sistem 3-6 vjet, do të përfitojnë 15 për qind të kontributit shtetëror; për të pajtuarit nga 6-10 vjet do të jepet 35 për qind e shumës së përgjithshme të kontributit të shtetit; ndërsa pjesëmarrësit që nuk largohen deri në moshën e pensionimit, do të përfitojnë 100 për qind nga kontributi shtetëror ndër vite.

Rritja e nivelit të kursimeve është me peshë madhore nga pikëpamja e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Kursimet brenda vendit do të rriten ndjeshëm përmes Skemës së Pensioneve Private duke luajtur një rol protagonist në realizimin e investimeve madhore në infrastrukturë dhe transport. Me anë të kësaj rruge do të bëhet po ashtu një hap i rëndësishëm drejt vijimësisë së stabilitetit të rritjes ekonomike të vendit. Mbi të gjitha, do të kapërcehet pengesa e nivelit të ulët të kursimeve, parashtruar sidomos nga agjencitë e vlerësimit të kredive, të cilat ulin notën e Turqisë prej vitesh në mënyrë të pamerituar dhe spekulojnë në çdo rast. Kjo është me rëndësi maksimale për ekonominë e Turqisë.

 

Autor: Prof. dr. Erdal Tanas Karagol - Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme