Paria e shtetit turk publikon mesazhe për Ditën e Gazetarëve Aktivë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Ismail Kahraman dhe Kryeministri Binali Yildirim publikuan nga një mesazh special me rastin e 10 janarit, Dita e Gazetarëve Aktivë të Turqisë...

Paria e shtetit turk publikon mesazhe për Ditën e Gazetarëve Aktivë

Sot është Dita e Gazetarëve Aktivë, një ditë e veçantë që festohet prej datës 10 janar 1961 në Turqi.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Ismail Kahraman dhe Kryeministri Binali Yildirim publikuan nga një mesazh special me rastin e kësaj dite të shënuar.

Kreu i shtetit turk theksoi në mesazh se përgjatë karrierës së tij politike ka luftuar që zëra të ndryshëm, kultura të ndryshme të jenë në gjendje për të shprehur idetë e tyre me lehtësi, pavarësisht se hera-herës është dëmtuar edhe vetë nga media.

“Disa që abuzojnë me ndjeshmërinë tonë rreth lirisë së mendimit, përpiqen të prishin vëllazërinë e kombit dhe integritetin e shtetit tonë duke përhapur dezinformacion me lajme manipuluese”, shkruan ai.

“Unë besoj se kur të diferencohen gazetarët e vërtetë nga ata që instrumentalizojnë gazetarinë, institucionet tona mediatike do të kontribuojnë në rritjen e standardeve të demokracisë, zhvillimin dhe fuqizimin e vendit tonë”, shton Presidenti Erdogan në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Gazetarëve Aktivë të Turqisë.

Një mesazh për 10 janarin ka publikuar edhe Kryeparlamentari Ismail Kahraman.

“Jam i bindur që gazetaria, e cila na mundëson të informohemi rreth zhvillimeve pa paragjykime dhe në kornizën e parimit të asnjanësisë, do të ruajë rëndësinë e saj duke shtuar larminë funksionale përmes risive teknologjike”, nënvizon ai.

Kurse shefi i Ankarasë zyrtare, Binali Yildirim, pasi uroi gazetarët aktivë turq me rastin e kësaj dite të shënuar, përcolli mes të tjerash edhe këtë mesazh: “Shpërdorimi i lirive, propagandimi i terrorizmit dhe organizatave terroriste, si dhe imponimi në vend i agjendës së qendrave tuteluese të caktuara, natyrisht që nuk mund të pranohen si aktivitet gazetaresk.”



Lajme të ngjashme