Çavusoglu për italianen “Eastwest”: BE-ja duhet t’i japë fund politizimit të negociatave

Në një intervistë për revistën italiane “Eastwest”, ministri i Jashtëm turk deklaroi se Bashkimi Evropian duhet t’u japë fund politizimit të negociatave dhe pengesave politike e artificiale në disa kapituj për anëtarësimin e plotë të Turqisë...

Çavusoglu për italianen “Eastwest”: BE-ja duhet t’i japë fund politizimit të negociatave

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të premten se Bashkimi Evropian duhet t’u japë fund politizimit të negociatave dhe pengesave politike e artificiale në disa kapituj për anëtarësimin e plotë të Turqisë dhe se negociatat duhet të zhvillohen vetëm në nivel teknik.

Në një intervistë për revistën italiane “Eastwest”, ministri Çavusoglu bëri të ditur se Turqia i kushton rëndësi strategjike procesit dhe marrëdhënieve me BE-në në politikën e saj të jashtme, ndërsa theksoi se Turqia është ende e vendosur për të plotësuar procesin e anëtarësimit të plotë dhe se në këtë aspekt shpreson që BE-ja të njohë në mënyrë të ndërsjellë përpjekjet në fjalë.

Shefi i diplomacisë turke nënvizoi se në marrëdhëniet Turqi-BE ka një mungesë të besimit reciprok duke shtuar se vështirësitë, me të cilët Turqia u përball në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016, nuk janë kuptuar plotësisht nga Unioni.

“Ne besojmë se BE-ja aplikon standard të dyfishtë në kritikat e saj kundrejt Turqisë, sidomos kur bëhet fjalë për çështjen e luftës kundër terrorizmit”, tha ai.

“BE-ja duhet t’i japë fund politizimit të negociatave dhe pengesave politike e artificiale në disa kapituj për anëtarësimin e plotë, ndërsa negociatat duhet të zhvillohen vetëm në nivel teknik”, vlerësoi Çavusoglu duke nënvizuar se për të rivendosur marrëdhënie të bazuara në besim, Unioni duhet të respektojë angazhimet e tij lidhur me disa çështje themelore, siç janë azhurnimi i unionit doganor, liberalizimi i vizave dhe mbështetja financiare e premtuar për të mbuluar koston e refugjatëve sirianë në Turqi.

Aspirata e Turqisë – shtoi ai – është që marrëdhëniet me BE-në t’i vazhdojmë të normalizuara gjatë periudhës në vijim.

Ministri tërhoqi vëmendjen se vendi i tij është ekonomia e 17-të në botë dhe e 6-ta në Evropë, ndërkohë që pothuajse të gjithë mendojnë se Turqia renditet mes fuqive në rritje të shekullit të 21-të.

Duke nënvizuar se politika e jashtme turke është ndërtuar mbi parimin “paqe në vend, paqe në botë”, Çavusoglu potencoi se luan rol me peshë në zgjidhjen e çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare.

“Turqia do të vijojë të jetë partner i fuqishëm dhe i besueshëm për vendet miqësore dhe aleate, përfshi këtu edhe Italinë”, siguroi ai.

I pyetur në lidhje me marrëdhëniet turko-gjermane, ministri Çavusoglu vuri në pah se Gjermania, përveçse një vend aleat i Turqisë në NATO, është gjithashtu partneri i parë tregtar.

Në vijim, krydiplomati turk tërhoqi vëmendjen se dy vendet kanë interesa të përbashkëta në nivel rajonal dhe ndërkombëtar duke shtuar se komuniteti i madh turk në Gjermani paraqet një urë mes dy vendeve.

“Ne besojmë se mosmarrëveshjet tona duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo me mesazhe negative, të cilat janë dhënë para opinionit publik”, potencoi ai duke shpjeguar se mes dy shteteve ka mosmarrëveshje në çështje të rëndësishme, ku vlen të përmendet veçanërisht lufta kundër terrorizmit.

Mevlut Çavusoglu nënvizoi më tej se janë duke e vazhduar dialogun pozitiv dhe se janë të gatshëm të krijojnë marrëdhënie me qeverinë e re gjermane.

Sa i përket çështjes siriane, kreu i MPJ turke tha se dëshira e Ankarasë është të shohë sa më parë që të jetë e mundur një Siri të qëndrueshme, me prosperitet dhe demokratike.

“Për arritjen e këtij objektivi, Turqia, në vitin 2016, ka bashkëpunuar me Rusinë për vendosjen e armëpushimit në Halep dhe më pas është angazhuar për zgjerimin e këtij armëpushimi, ku si rezultat i përpjekjeve të mëdha ai u shpall në gjithë Sirinë, më datë 30 dhjetor të vitit 2016. Për të forcuar këtë armëpushim, ne gjithashtu kemi vazhduar bisedimet në Astanë me Rusinë dhe Iranin”, u shpreh Çavusoglu.

Kurse për ecurinë e marrëdhënieve Turqi-SHBA pas ardhjes në pushtet të Presidentit Donad Trump, ministri i Jashtëm turk rikujtoi se divergjencat mes dy vendeve për sa i përket Sirisë dhe luftës kundër DAESH-it kanë nisur që në mandatin e pararendësit të tij, Barack Obama.

Çavusoglu theksoi se shqetësimet aktuale të Turqisë janë mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për organizatën terroriste PYD/PKK në Siri dhe çështjet lidhur me organizatën terroriste gylensite (FETO), e cila në korrik të vitit 2016 orkestroi tentativën për grusht shteti në Turqi.

“Duhet të bëjmë më shumë bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e këtyre çështje kritike”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme