Kiliç për “The Washington Post”: 300.000 kurdë sirianë në Turqi për t’iu shpëtuar krimeve të PYD-YPG

Në një shkrim për gazetën “The Washington Post”, ambasadori turk në Uashington, Serdar Kiliç, deklaroi se trillimi që PYD-YPG përfaqëson kurdët sirianë është ofendim për 300.000 kurdë sirianë, që janë arratisur nga kjo organizatë duke u strehuar në Turqi.

Kiliç për “The Washington Post”: 300.000 kurdë sirianë në Turqi për t’iu shpëtuar krimeve të PYD-YPG

Ambasadori i Turqisë në Uashington, Serdar Kiliç, ka theksuar të hënën vonë se ushtria turke do ta spastrojë zonën Afrin të Sirisë nga terroristët dhe do t’ua dorëzojë atë pronarëve të saj të vërtetë.

Në një shkrim për të përditshmen amerikane me tirazh të lartë “The Washington Post”, Serdar Kiliç ka shpjeguar operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste; por edhe ka kritikuar administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me politikën e saj në Siri.

“Trillimi se PKK/KCK/PYD-YPG përfaqëson kurdët sirianë është ofendim për 300.000 kurdë sirianë, që janë arratisur nga kjo organizatë duke u strehuar në Turqi. PKK/KCK/PYD-YPG nuk është përfaqësuese e kurdëve të Sirisë”, ka shkruar ai.

Pasi ka tërhequr vëmendjen mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe praktikat çnjerëzore të kësaj organizate, të raportuara nga shumë institucione ndërkombëtare të besueshme duke përfshirë këtu Organizatën për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (HRW) dhe Organizatën Ndërkombëtare të Amnistisë (AI), shefi i misionit diplomatik turk në Uashington ka vijuar me këto fjalë: “Shumë më përpara se Turqia të niste operacionin në Afrin, terroristët shtinë në dorë terrenin malor të asaj zone duke organizuar sulme me shënjestër civilët në qytezat kufitare të Turqisë dhe njëherësh duke masakruar civilët në Siri.”

Sipas ambasadorit Kiliç, falë operacionit “Mburoja e Eufratit”, i cili nisi më 24 gusht 2016 dhe vijoi gati 7 muaj, një zonë e Sirisë ka fituar tashmë stabilitet dhe qetësi duke u mundësuar mijëra civilëve sirianë kthimin në atdheun dhe shtëpitë e tyre.

“Qëllimi i operacionit në Afrin është përsëritja e këtij suksesi”, ka shtuar ai.

Duke rikujtuar se Turqia është vendi që ka ndërmarrë operacionin e parë kundër organizatës terroriste DAESH, Kiliç ka nënvizuar se vendi i tij s’do të lejojë kurrsesi që ndonjë copë toke përgjatë vijës kufitare turke të shndërrohet në vatër sulmesh kundër qytetarëve të Republikës së Turqisë.

Në vijim të shkrimit të tij për “The Washington Post”, ambasadori turk ka sqaruar se politikat e administratës amerikane për Sirinë përbëjnë kërcënim për të ardhmen e rajonit duke potencuar se të lejosh një organizatë terroriste që të grabisë territoret siriane do të thotë të mbyllësh sytë ndaj praktikave çnjerëzore e barbare të saj.

“Kjo do të bëhet shkak për vazhdimin e faktorëve, të cilët nxorën në pah DAESH-in”, është shprehur ndër të tjera ambasadori Serdar Kiliç.



Lajme të ngjashme