Koment - Tensionimi anglosakson-rus dhe përpjekja e Turqisë për baraspeshë

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara...

Koment - Tensionimi anglosakson-rus dhe përpjekja e Turqisë për baraspeshë

Tensioni anglosakson-Rusi dhe përpjekja ekuilibruese e Turqisë

* Can ACUN

Mes bllokut anglo-sakson në veçanti (Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia) dhe vendeve perëndimore në përgjithësi dhe Rusisë po jetohet një tensionim, i cili u shfaq pas marrjes në objektiv të ish-agjentit rus, Sergey Skripal dhe vajzës së tij, Yulia me gaz nervor. Vendet e udhëhequra nga Anglia, pretendojnë se prapa këtij sulmi ndodhet Rusia, ndërsa në reagim ndaj kësaj ngjarjeje ato dëbuan diplomatët rusë. Si reagim ndaj Rusisë nga 25 vende (ShBA, Kanada, Australia, Zelanda e Re dhe vendet e BE-së) dëbuan të paktën 140 diplomatë rusë. Ndërkaq Ministria e Jashtme e Rusisë i përgënjeshtroi  këto pretendime dhe akuzoi forcat speciale dhe shërbimin anglez të inteligjencës në lidhje me ngjarjen Skripal. Ndërkaq nëse shikojmë në këtë ngjarje nga aspekti i institucioneve ndërkombëtare e jo nga ai shtetëror, mund të themi se NATO-ja ka ndjekur një politikë me objektiv Rusinë. Ndërsa Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, dënoi sulmin në fjalë, por as nuk e akuzoi drejtpërdrejtë Rusinë e as nuk dëboi diplomatët rus sikurse vendet tjera.  

Edhe pse tensionimi që po jetohet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore për shkak të rastit Skripal të përkujton periudhën e “Luftës së Ftohtë”, nuk është e mundur që në koniunkturën e re botërore të bëhet fjalë për këtë luftë. Nuk do të jetë racionale nëse mendojmë se Rusia me vendet fqinje do të formojë një bllok të ri kundër bllokut perëndimor. Aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë, marrëdhëniet ruso-perëndimore të tensionuara me krizën e Ukrainës, sanksionet ekonomike, të cilat do të mund të çojnë deri në luftë ekonomike, janë bërë shkak për përshkallëzimin e tensioneve mes palëve. Ndërkaq rasti i fundit i Skripalit mund të vlerësohet si pika e fundit që mbushi gotën. Mirëpo duhen marrë parasysh edhe kontradiktat e brendshme të botës perëndimore dhe politikën më të moderuar ndaj Rusisë të disa vendeve me në krye Gjermaninë.

 

Ndërkohë që vazhdon tensionimi mes Rusisë dhe botës perëndimore, Turqia është duke ndjekur një politikë më të ekuilibruar. Turqia në njërën anë është duke mbajtur një qëndrim pa kompromis duke i marrë parasysh interesat e saj kombëtare. Në rastin Skripal Turqia solidarizohet me aleatët e saj perëndimor në kuadër të NATO-s, por parandaloi një tensionim të mundshëm me Rusinë duke mos i dëbuar diplomatët e saj. Gjithashtu Turqia duke i marrë parasysh interesat e saj kombëtare ceremoninë e hedhjes së themelit të centralit të energjisë bërthamore Akkuyu e realizoi me pjesëmarrjen e Presidentëve Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin. Centrali i energjisë bërthamore Akkuyu përbëhet prej 4 reaktorëve, ndërsa planifikohet që reaktori i parë i centralit të vihet në veprim në vitin 2023. Ky central do të prodhojë 4.800MW energji elektrike gjithsej dhe do të plotësojë 10% të nevojave të Turqisë për energji elektrike. Në të njëjtën kohë Turqia së bashku me Rusinë është duke e vazhduar projektin e tubacionit “Rrjedha Turke” që në etapën e parë do të transportojë gazin natyror nga Rusia në Turqi, ndërsa në etapën e dytë do të shtrihet drejt vendeve të Ballkanit. Projekti i “Rrjedhës Turke” është një hap i rëndësishëm në shndërrimin e Turqisë në qendër energjetike së bashku me projektet tjera të energjisë të realizuara më herët.

Mirëpo Turqia përveç bashkëpunimit me Rusinë dëshiron që në të njëjtën kohë të përforcojë bashkëpunimin edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që Turqia, e cila nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, është duke zhvilluar bisedime edhe me vendet anëtare të NATO-së për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Gjithashtu mes Turqisë, Francës dhe Italisë është nënshkruar një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të një sistemi të tretë të mbrojtjes ajrore. Përveç këtyre Turqia ka marrë përsipër rol aktiv në prodhimin e avionit luftarak të gjeneratës së re të tipit F-35.

Mirëpo tensionimi i Turqisë me aleatët e saj në NATO në lidhje me organizatat terroriste FETO dhe PKK/YPG është duke vazhduar. Në të njëjtën kohë ajo ka probleme edhe me Rusinë në lidhje me çështjet e Krimesë, Ukrainës dhe Gutës Lindore, por përpiqet ti maksimizojë interesat e saj kombëtare duke e ndjekur një politikë të jashtme të ekuilibruar.

*Ekspert i politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), Ankara



Lajme të ngjashme