Bozdag: Turqia s’mbështet ndonjë vend në Siri, por të drejtën dhe ligjin

“Politika jonë në lidhje me Sirinë nuk ka të bëjë me aprovimin apo kundërshtimin e ndonjë vendi, por me mbështetjen e së drejtës dhe ligjit”, deklaroi zv/kryeministri turk, Bekir Bozdag, në përgjigje të një komenti të presidentit francez...

Bozdag: Turqia s’mbështet ndonjë vend në Siri, por të drejtën dhe ligjin

Ankaraja i është përgjigjur me një gjuhë të ashpër deklaratës së Presidentit francez, Emmanuel Macron, që kishte komentuar se: “Me ofensivën kundër regjimit sirian kemi ndarë Turqinë dhe Rusinë.”

“Politika jonë në lidhje me Sirinë nuk ka të bëjë me aprovimin apo kundërshtimin e ndonjë vendi, por me mbështetjen e së drejtës dhe ligjit”, deklaroi zv/kryeministri dhe zëdhënësi i ekzekutivit turk, Bekir Bozdag.

Në Katar për kontakte zyrtare, zv/kryeministrit turk iu kërkua të vlerësonte deklaratën e presidentit francez se “përmes sulmit me raketa në fundjavë kundër regjimit sirian, vendet perëndimore kanë ndarë Turqinë nga linja e Rusisë për Sirinë”.

“Politika jonë për Sirinë ka të bëjë me pozicionimin në krah të së drejtës dhe ligjit. Jemi kundër mbështetjes së regjimit (sirian) dhe organizatave terroriste. Në këtë politikë, ne qëndrojmë në anë të kundërta gjithashtu me Iranin dhe Rusinë. Turqia është një vend që nuk ka objektiva plotësisht të njëjta as me Rusinë dhe Iranin, as edhe me SHBA-në. Turqia s’ngurron të bashkëpunojë me këdo që mbron parimet e drejta”, u shpreh ai.

Më tej, Bozdag tërhoqi vëmendjen se qëndrimi i Turqisë në lidhje me rajonin nuk ka ndryshuar aspak.

“Ne s’biem dakord me SHBA-në për sa i takon mbështetjes që ajo ofron për organizatat terroriste PKK/PYD/YPG/KCK dhe përsërisim me çdo rast se është gabim që ata të përdorin organizata terroriste të tjera për të luftuar kundër organizatës terroriste DAESH. Në këtë pikë, ne s’kemi një politikë të unifikuar me SHBA-në dhe ndjekim politika të ndryshme. Ky qëndrim i Turqisë nuk ka ndryshuar”, theksoi zëdhënësi i Ankarasë zyrtare.

Bekir Bozdag u ndal gjithashtu mbi zhvillimet në Siri duke thënë se vrasja me armë konvencionale është krim njëlloj sikurse vrasja me armë kimike.

Sepse – vijoi ai – në të dyja rastet ju vrisni njerëz të pafajshëm, të pambrojtur, pa rrugëdalje dhe civilë.

Zv/kryeministri Bozdag nënvizoi në fund të prononcimit të tij se Turqia ka kundërshtuar që prej fillimit të krizës siriane e deri më sot edhe përdorimin e armëve kimike, edhe atë të armëve konvencionale.



Lajme të ngjashme