Erdogan: Mos u besoni manipuluesve, ekonomia turke po bën përpara duke u forcuar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tërhoqi vëmendjen të mërkurën se disa qarqe të caktuara po përpiqen të bëjnë manipulime në ekonomi përmes kursit të dollarit...

Erdogan: Mos u besoni manipuluesve, ekonomia turke po bën përpara duke u forcuar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tërhoqi vëmendjen të mërkurën se disa qarqe të caktuara po përpiqen të bëjnë manipulime në ekonomi përmes kursit të dollarit.

Ai mori pjesë dhe mbajti një fjalim në ceremoninë me rastin e Ditës së Veteranëve, organizuar në Qendrën Popullore të Kulturës dhe Kongreseve në Beshtepe të Ankarasë.

Gjatë fjalës së rastit në këtë ceremoni, kreu i shtetit turk qëndroi kryesisht mbi kapitujt në lidhje me ekonominë.

Pasi theksoi se disa qarqe të caktuara po përpiqen të krijojnë një perceptim të gabuar në ekonomi, Erdogani u këshilloi qytetarëve që mos t’u besojnë këtyre qarqeve dhe siguroi se ekonomia turke po bën përpara duke u forcuar.

Erdogani u ndal më pas mbi urdhrin ekzekutiv presidencial që parandalon shitblerjet dhe qiradhëniet e pasurive të tundshme dhe të patundshme me valutë të huaj.

“Këtej e tutje, në këtë vend s’do të ketë më qiradhënie me dollarë apo euro. Monedha që qarkullon në këtë vend është lira turke. Këtu jemi në Turqi, jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dyqanin do ta lëshoni me qira me lira turke dhe pazarin do ta bëni me lira turke gjithashtu”, tha ai.

Tjetër çështje në agjendën e Presidentit Erdogan ishte gjithashtu marrëveshja për Idlibin, arritur të hënën me Rusinë.

“Në takimin që realizuam me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, nisëm procesin e paqes në lidhje me provincën Idlib të Sirisë. U hodhën firmat mbi atë dokument. Thamë që tani mos të derdhet më gjak në Idlib, tani lotët të ndalen, prandaj të bëjmë atë që duhet bërë. U renditën 12 pika dhe u hodhën firmat. Ky është një hap drejt paqes përtej kufijve tanë. Me lejen e Allahut, kështu do të vazhdojmë”, u shpreh lideri turk.

Më tej, Erdogani foli për heroizmin e popullit turk gjatë tentativës për grusht shteti të 15 Korrikut 2016.

“Populli ynë, i cili ka demonstruar një qëndrim plot dinjitet kundër sulmeve tradhtare të terroristëve, nuk ka lejuar që tradhtarët të arrijnë qëllimet e tyre. Shembullin e fundit të këtij qëndrimi krenar e dëshmuam të gjithë së bashku më 15 Korrik. Bëmë thirrje që të dalin në rrugë dhe milionat vërshuan shesheve. Nuk menduan fare se çfarë do të ndodhte, por mbrojtën atdheun dhe kombin. Qytetarët e mi kishin në duar vetëm flamuj”, tha presidenti turk.

Ai shtoi se çdo hap i bërë për të mbërthyer Turqinë me shpatulla pas murit, ka rezultuar me hapjen e portave të reja.

“Nëse mbyllet një portë, Allahu hap një tjetër gjetkë. Mos harroni, sikurse çdo lindje, edhe ky proces i ri ka dhimbjet e veta. Çdo lindje e bekuar është e dhimbshme, mos harroni”, porositi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme