Koment – Nga Vecihi Hürkuş tek avionët “Hürkuş”

“Hürkuş” është avioni i parë turk i certifikuar nga autoriteti evropian i aviacionit civil. Po aq sa suksesi i “Hürkuş”, për Turqinë e rëndësishme është që këta avionë t’i shohim në qiej për të treguar besnikëri dhe mirënjohje ndaj Vexhihi Hyrkushit...

Savunmada Milli Projeler 07 - 01.jpg
Vecihi Hürkuş - Arnavutça.jpg
Savunmada Milli Projeler 07 - 03.jpg
Savunmada Milli Projeler 07 - 04.jpg

Koment – Nga Vecihi Hürkuş tek avionët “Hürkuş”

Nga Tarkan ZENGİN*

Festivali i Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë “Teknofest Istanbul”, organizuar për herë të parë në Turqi nga Bashkia Metropolitane e Stambollit dhe Fondacioni i Skuadrës Teknologjike të Turqisë (T3), u mbajt në datat 20-23 shtator. Presidenti i Bordit Ekzekutiv të Fondacionit T3, Selçuk Bajraktar (Bayraktar), tha gjatë takimit promotor të Festivalit se ky eveniment është shumë i rëndësishëm për manovrën e teknologjisë kombëtare. Këto fjalë u konfirmuan gjithashtu nga shfaqjet, garat, seminaret dhe punimet në atelie që u bënë përgjatë Festivalit.

Avionët “Hürkuş” u ekspozuan në Festival dhe njëherësh bënë një shfaqje ajrore. Teksa po shijoja akrobacitë e aeroplanëve “Hürkuş”, në mendje më erdhi menjëherë historia e jetës së pilotit, inxhinierit dhe sipërmarrësit Vexhihi Hyrkush (Vecihi Hürkuş; Zogu i Lirë – kuptimi i mbiemrit të tij në turqisht), i cili zë një vend me peshë në gjenezën e aviacionit turk. Pamjet e të rinjve tanë që kanë të njëjtat emocione dhe entuziazëm të Vexhihit, i cili pati realizuar projekte shumë të rëndësishme në moshë fare të re, janë më se shpresëdhënëse për të ardhmen e vendit. Mbështetja shtetërore që iu mohua Vexhihi Hyrkushit, sot po u hap rrugën shpikësve dhe sipërmarrësve të rinj. Situatën në fjalë vetë Hyrkushi e shpjegonte kështu: “E di shumë mirë se si e kanë nisur aviacionin dhe se si i kanë hapur atelietë në shtetet e huaja që kam vizituar. Mbi të gjitha, besimi dhe inkurajimi kombëtar ishin mjetet e vetme të suksesit në këtë rrugë. Edhe unë kam nevojë për këtë që t’ia arrij qëllimit. Liria e vetme që s’mund të na rrëmbehet, është liria për të zgjedhur qëndrimin tonë. Unë jam Vexhihi Hyrkushi, e kam merituar deri në fund mbiemrin që do ta bëjë me krahë vendin tim. Liria ime ishte t’ia kushtoja jetën time bindjes sime se rruga e vetme drejt pavarësisë kombëtare kalon nga prodhimi kombëtar. Sepse kush përpiqet të fluturojë me krahët e të tjerëve s’mund të jetë kurrë ‘zog i lirë’.

Sot Turqia ecën plot shpresë dhe vetëbesim drejt së ardhmes për të fluturuar me krahët e saj në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Vexhihi Hyrkushi u lind në Stamboll, më datë 6 janar 1896. Babai i tij u nda nga jeta teksa Vexhihi ishte ende shumë i vogël. Përveçse një prej emrave më të rëndësishëm të historisë së aviacionit turk, ai është edhe heroi i një historie të dhimbshme për ato që ka jetuar. Arritjet që i mundësuan atij të hyjë në historinë e aviacionit janë të shumta. Vexhihi është piloti turk i parë që ka rrëzuar një avion armik në vitin 1917, gjatë misionit të tij në Frontin e Kaukazit. Është projektuesi dhe prodhuesi i parë i avionëve që mbanin emrin e tij. Ai është themeluesi i shkollës së parë të aviacionit ushtarak dhe instruktori i gruas së parë pilote në Turqi. Po ashtu është themeluesi i shkollës së parë të aviacionit civil dhe i kompanisë së parë të linjave ajrore civile në Turqi. Ajo quhej Linjat Ajrore “Zogu i Lirë” (Hürkuş Hava Yolları – Freebird Airlines). Vexhihi është piloti i parë që ka fluturuar me 102 modele të ndryshme avionësh luftarakë dhe civilë. Ai ishte rekordmeni i asaj kohe me 30.000 orë fluturim mes viteve 1916-1967. Pjesëmarrës vullnetar në Luftën Nacionalçlirimtare të Turqisë, ai ka realizuar fluturime zbuluese mjaft të suksesshme, madje ka rrëzuar edhe një avion grek. Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë e ka dekoruar atë me “Urdhrin e Pavarësisë” për “arritjet dhe shërbimet e jashtëzakonshme gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”.

Në vitin 1925, Vexhihi realizoi fluturimin e parë me avionin “Vecihi K VI”, të cilin e kishte prodhuar një vit më herët. Një i ri 29-vjeçar prodhoi me mundësi të kufizuara aeroplanin e parë turk. Por në vend që të shpërblehej për këtë arritje, ai u gjobit duke iu prerë gjysma e rrogës dhe u dënua me 10 ditë burg shtëpiak, me justifikimin se kishte fluturuar pa leje. Ky dënim u bë shkak që Vexhihi të përjashtohej edhe nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Përmes një artikulli të publikuar vetëm disa javë më vonë, ai e proteston këtë situatë me fjalët: “E patëm harruar që ishim ushtarakë, kundërshtuam urdhrin.

Një fat të ngjashëm patën edhe Linjat Ajrore “Zogu i Lirë”, kompania e parë e aviacionit civil turk, e cila është themeluar prej tij në vitin 1954. Ai pati ngritur një flotë duke riparuar avionët e nxjerrë jashtë qarkullimit nga Linjat Ajrore Turke (Türk Hava Yolları - Turkish Airlines). Por fluturimet e tij u anuluan pa asnjë motiv dhe justifikim, avionët u sabotuan dhe rruga drejt suksesit iu bllokua.

Ai ndërtoi brenda 3 muajsh, në një zdrukthëtari të marrë me qira në lagjen “Kadëkoj” (Kadıköy) të Stambollit, aeroplanin e parë civil të Turqisë, “Vecihi XIV”. Fluturimin e parë me këtë avion e realizoi në 1930-n dhe më pas aplikoi menjëherë pranë Ministrisë së Ekonomisë për t’u pajisur me certifikatën e nevojshme që do t’i lejonte fluturimin me avionët që kishte prodhuar. Por përgjigjja e Ministrisë ishte negative: “Certifikata nuk mund të lëshohet për mungesë të ekspertëve që do të përcaktonin veçoritë teknike të aeroplanit.

Në thelb, kjo përgjigje tregon se me çfarë arsyesh është bllokuar rruga e prodhimit kombëtar.

MJETI AJROR KOMBËTAR I PARË: “HÜRKUŞ”

Avioni “Hürkuş”, projektuar dhe prodhuar tërësisht nga Kompania Turke e Industrisë së Aviacionit dhe Hapësirë (TUSAŞ/TAI), është mjeti ajror kombëtar i parë i Turqisë. Projekti i Avionit Stërvitor Bazë të Gjeneratës së Re (Hürkuş) pati filluar me një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2006 ndërmjet Departamentit të Industrisë së Mbrojtjes dhe TAI-t. Ky projekt mori start me synimin për të plotësuar nevojat e Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë dhe për të zhvilluar një avion stërvitor që mund të hynte në tregun botëror.

Prodhimi në seri i avionëve “Hürkuş” nisi me marrëveshjen e firmosur më 26 shtator 2013. Ndërsa plot 3 muaj më vonë, më datë 26 dhjetor, u nënshkrua marrëveshja për prodhimin e aeroplanit “Hürkuş-B”. Avioni “Hürkuş-A” është konfigurimi bazë i certifikuar sipas Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe specifikave “CS-23”. “Hürkuş-B” është konfigurimi i përparuar me avionika të integruara. Ndërsa avioni “Hürkuş-C”, krahas plotësimit të nevojës për stërvitjen e pilotëve, vazhdon të zhvillohet për të realizuar sulme të lehta dhe misione zbulimi të armatosura me kosto të ulëta dhe ndjeshmëri të lartë.

Testet e fluturimit të aeroplanit “Hürkuş” kanë përfunduar me sukses më herët dhe në muajin nëntor 2018 pritet që t’u dorëzohet Forcave Ajrore të Turqisë. Pas dorëzimit të avionit të parë, ai do t’u nënshtrohet vlerësimeve të ndryshme për 3 muaj duke u përdorur nga pilotët e ushtrisë turke. Gjatë këtij procesi do të bëhen edhe përsosjet e avionit, nëse Forcat Ajrore do të paraqesin kërkesa të reja. Synimi është që Forcave Ajrore t’u dorëzohen 15 avionë të këtij lloji deri në gjysmën e parë të vitit 2019.

AVIONI I PARË TURK ME CERTIFIKATË TIPI NGA EASA

Të dhënat e publikuara nga TAI në lidhje me aeroplanët në fjalë janë:

  • Krahas testeve të fluturimit, përmes dy avionëve të ndryshëm janë realizuar me sukses testet e qëndrueshmërisë, të jetëgjatësisë dhe të tolerancës së avionit ndaj dëmeve të mundshme.
  • Në kuadër të projektit, janë hartuar 545 dokumente që do t’u dërgohen EASA-s dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Turqisë (SHGM).
  • Po ashtu janë bërë gati të gjitha dokumentet në lidhje me mirëmbajtjen dhe remontin gjeneral të avionëve.
  • Si rezultat i tërë këtyre përgatitjeve, “Certifikata e Tipit të Avionit TT32” për Avionin Stërvitor Bazë të Gjeneratës së Re, “Hürkuş”, është marrë më datë 11 korrik 2016 nga SHGM-ja.
  • Të njëjtën ditë, certifikata në fjalë e SHGM-së është njohur nga EASA përmes “Certifikatës së Vlefshmërisë së Tipit” duke u bërë e vlefshme për të gjitha vendet evropiane.

Kështu, “Hürkuş” u bë avioni i parë turk i certifikuar nga autoriteti evropian i aviacionit civil. Suksesi i avionëve “Hürkuş” është pa dyshim shumë i rëndësishëm për Turqinë. Por edhe më e rëndësishme është që këta avionë t’i shikojmë në qiej, për të treguar besnikëri dhe mirënjohje ndaj Vexhihi Hyrkushit, i cili ia doli me sukses të prodhonte avionë në kushtet e vitit 1925 dhe në moshën 29-vjeçare pavarësisht pengesave të shumta me të cilat u ballafaqua.

 

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme