Turqia dhe Arabia Saudite me një grup pune të përbashkët për zbardhjen e rastit Khashoggi

Me propozim të Arabisë Saudite, është vendosur të formohet një grup pune i përbashkët për zbardhjen e zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, njoftoi mbrëmjen e së enjtes zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin...

Turqia dhe Arabia Saudite me një grup pune të përbashkët për zbardhjen e rastit Khashoggi

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, bëri sqarime të enjten në mbrëmje për rastin e gazetarit të së përditshmes amerikane “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili u zhduk më 2 tetor pasi hyri në objektin e Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

“Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Turqisë dhe Arabisë Saudite dhe me propozim të Arabisë Saudite, është vendosur që të formohet një grup pune i përbashkët për zbardhjen e gjithanshme të rastit të zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi”, deklaroi zëdhënësi Kalin.

Riadi zyrtar pati lejuar më parë edhe që autoritetet hetuese turke të kontrollonin ndërtesën e Konsullatës.

I konsideruar si një ndër gazetarët më aktivë dhe më të mprehtë të Lindjes së Mesme, kolumnisti i ditores amerikane “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, ka ofruar kontribute me peshë edhe për gazetën “Al-Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë.

Më datë 2 tetor, ai u zhduk pasi hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte shkuar për të kryer procedurat e celebrimit me të fejuarën e tij.

Përmes një postimi më 4 tetor nga llogaria zyrtare në “Twitter”, Konsullata e Përgjithshme e Mbretërisë së Arabisë Saudite pati hedhur pretendimin se Khashoggi ishte zhdukur pasi kishte dalë jashtë objektit të Konsullatës.

Prokuroria e Stambollit kishte nisur menjëherë një hetim të gjithanshëm për zbardhjen e fatit të shtetasit saudit.



Lajme të ngjashme