Koment – Fabrikat ushtarake turke të mirëmbajtjes së mjeteve ajrore

Vlerësimi i ekspertit turk, Tarkan Zengin, në lidhje me rëndësinë që u kushton Turqia fabrikave ushtarake për zhvillimin e industrisë kombëtare të mbrojtjes...

Savunmada Milli Projeler 09 - 01.jpg
Savunmada Milli Projeler 09 - 02.jpg
Savunmada Milli Projeler 09 - 03.jpg

Nga Tarkan ZENGİN*

Mundësitë dhe aftësitë e fabrikave, uzinave dhe kantiereve ushtarake në Turqi kanë një vend shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e vendit. Por mundësitë dhe aftësitë e këtyre fabrikave, uzinave dhe kantiereve ushtarake, të cilat kanë shënuar arritje me peshë madhore, nuk njihen mjaftueshëm nga opinioni publik. Dhe, ndonjëherë, produktet e industrisë së mbrojtjes që prodhohen apo mirëmbahen në këto fabrika/uzina/kantiere tregohen sikur të ishin prodhuar në vende të tjera. Uzinat dhe kantieret ushtarake renditen në krye të institucioneve më frytdhënëse të sektorit publik. Po ashtu punonjësit dhe bizneset me rendimentin më të lartë të vitit rezultojnë ato të sektorit ushtarak. Bizneset ushtarake dhe punonjësit e tyre janë me kuptimin e plotë të fjalës heronj të padukshëm të sektorit në zhvillimin dhe kombëtarizimin e industrisë së mbrojtjes. Në luftën e Turqisë kundër terrorizmit dhe në operacionet e saj brenda vendit e përtej kufijve, sektori ushtarak regjistron suksese të rëndësishme me oficerët, nënoficerët, nëpunësit publikë dhe sidomos punëtorët e tij.

Pas tentativës tradhtare për grusht shteti të 15 Korrikut 2016, rregullimet ligjore të realizuara në sistemin ushtarak sollën me vete edhe disa ndryshime në fabrikat, uzinat dhe kantieret ushtarake. Bizneset ushtarake u mblodhën nën ombrellën e dy institucioneve shtetërore të varura nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare: Drejtoria e Përgjithshme e Fabrikave Ushtarake dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kantiereve. Aktualisht, në Turqi ka shumë biznese ushtarake të rëndësishme dhe të suksesshme që operojnë në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Fabrikave Ushtarake. Në këtë artikull do të flas për Drejtorinë N.1 të Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore, e cila ndodhet në Eskisehir dhe spikat me arritjet e saj në sektorin e aviacionit. Kurse në artikujt e radhës do të vazhdoj promovimin e institucioneve ushtarake të tjera të suksesshme të Turqisë.

Nga Ofiçina e Avionëve tek Fabrika e Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore

Komanda 1. e Furnizimit dhe Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore, e cila u themelua në vitin 1926 si Ofiçina e Avionëve – Eskisehir, sot është një institucion 92-vjeçar. Deri në vitet 1950, në këtë institucion kryheshin mirëmbajtja dhe remonti i avionëve me helikë në inventarin e Forcave Ajrore të Turqisë. Kurse nga viti 1950 e deri më 1970-n, aktivitetet e mirëmbajtjes dhe remontit në këtë ofiçinë u fokusuan kryesisht mbi avionët reaktivë luftarakë, ku vlen të përmenden ata F-84, F-86 dhe F-100. Më 1968-n, ky institucion ushtarak zgjeroi mundësitë dhe aftësitë teknike të tij duke realizuar për herë të parë revizionin e një motori reaktiv. Me anë të reaktivëve F-4 ajo arriti për herë të parë nivelin e fabrikës gjithëpërfshirëse të avionëve në vitin 1979, ndërsa në vitet 1980 i vazhdoi aktivitetet e saj të mirëmbajtjes dhe rinovimit gjithashtu me lloje të tjera avionësh. Ndërsa më 1992-shin aftësive ekzistuese të saj i shtohet për herë të parë edhe revizioni i motorit të avionit F-110. Projektet e modernizimit të avionëve, të cilat filluar në vitin 1997 me modernizimin e avionëve F-4, gjatë viteve pasuese u ndoqën nga projektet e realizuara për avionë të tjerë. Projekti ATILIM i vitit 2006, i cili është njësia e parë turke e testimit të motorëve, u zhvillua në këtë institucion me softuerë dhe pajisje plotësisht kombëtare. Më 2016-n, emri i saj u bë zyrtarisht Drejtoria N.1 e Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore duke hyrë nën ombrellën e Drejtorisë së Përgjithshme të Fabrikave Ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Mirëmbajtje në nivel fabrike për 77 avionë

Institucioni në fjalë, ku janë të punësuar në total 2.300 persona, nga të cilët 260 inxhinierë dhe pjesa tjetër punëtorë të profileve të ndryshme, realizon sot mirëmbajtjen në nivel fabrike të rreth 77 avionëve të llojeve në ndryshme në vit. Krahas punëve në fjalë, këtu bëhet remonti i 200 motorëve, riparimi i 6.000 njësive të avionëve, motorëve dhe pajisjeve mbështetëse tokësore, prodhimi i 14.000 pjesëve të llojllojshme dhe kalibrimi i 4.700 pajisjeve. Mes projekteve të rëndësishme që janë sendërtuar kohët e fundit në Drejtorinë N.1 të Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore janë gjithashtu modernizimet e avionëve F-16 PO-III, T-38M Arı dhe T-38 PC-III. Aktualisht, në kuadër të projekteve inxhinierike për sistemet e armëve që ka në përgjegjësi, si dhe kompetencës për drejtim teknik dhe aktivitete mirëmbajtëse e riparuese, ajo po funksionon edhe si qendër teknologjike e remontit. Për të mbështetur dhe zhvilluar në aspektin logjistik efektivitetin operacional të Komandës së Forcave Ajrore, fabrika ushtarake në Eskisehir përmbush përgjegjësinë e drejtimit teknik; realizon mirëmbajtjen, riparimin, remontin, testimin dhe kalibrimin në nivel fabrike; prodhon pjesët e nevojshme dhe garanton sigurinë e cilësisë së tyre për veprimet e lartpërmendura në lidhje me sistemet e armëve dhe pajisjet ushtarake që ka në përgjegjësi. Kjo fabrikë është ngritur me fonde publike dhe pajisur me makineri, mjete e aparatura të teknologjisë së fundit.

Qendra Evropiane për Mirëmbajtjen dhe Remontin e Avionëve

Në ditët e sotme të ashpërsimit të vazhdueshëm të garës teknologjike ajrore, Drejtoria N.1 e Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore vijon aktivitetet e saj të prodhimit, mirëmbajtjes, riparimit, remontit dhe modernizimit sipas standardeve botërore, falë edhe licencave të saj ndërkombëtare të cilësisë, mjedisit, shëndetit dhe sigurisë në punë. Vizioni dhe motoja e saj është “të jetë një qendër logjistike kontribuuese për të mundësuar që Komanda e Forcave Ajrore të Turqisë të konsolidojë pozicionin e saj si forca rajonale më e fuqishme ajrore dhe hapësinore”. Me burimet njerëzore dhe mundësitë që posedon, Drejtoria N.1 e Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore në Eskisehir nuk u shërben vetëm Forcave Ajrore të Turqisë, por edhe shteteve evropiane si një qendër rajonale për mirëmbajtjen dhe remontin e motorëve F135 të avionëve luftarakë të gjeneratës së pestë, F-35 (JSF).

Falë personelit të kualifikuar, akumulimit të njohurive, konceptit të cilësisë dhe aftësive kritike të saj, ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen të shërbejë si një institucion publiko-ushtarak në sektorin e aviacionit. Kështu, Drejtoria N.1 e Fabrikës së Mirëmbajtjes së Mjeteve Ajrore ofron kontribute të rëndësishme për kombëtarizimin e mëtejshëm të industrisë turke të mbrojtjes.

 

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme