Turizmi në Turqi – Hatusha

Kryeqyteti Hatusha i hititëve vazhdon të ekzistojë edhe pse perandoria e tyre madhështore ka rënë shumë shekuj më parë. Emri i saj i sotëm është Bogazkoy dhe ndodhet në provincën Çorum, në zonën gjeografike turke të Detit të Zi Qendror.

Hattuşaş_06.jpg
Hattuşa.png
Hattuşaş_15.jpg
Hattuşaş_03.jpg
hattuşa

Turizmi në Turqi – Hatusha

Perandoria Hitite është një prej qytetërimeve që kanë sunduar Anadollin në lashtësi. Kjo perandori ka rënë shumë shekuj më parë, por kryeqyteti Hatusha (Hattusha) i hititëve vazhdon të ekzistojë. Ai u tregon vizitorëve se sa qytet madhështor dhe i rëndësishëm ka qenë në atë kohë.

Themelimi i Perandorisë Hitite shtrihet deri në vitet 1.600 para erës sonë. Me sa kuptohet nga tabletat e argjilës që i përkasin asaj periudhe, Perandoria Hitite ishte shteti i parë në histori që udhëhiqej me një lloj demokracie. Në këtë vend të qeverisur nga mbreti dhe familja mbretërore, kishte edhe një kuvend të quajtur “Pankush”, i cili rezervonte të drejtën për të miratuar vendimet dhe inspektuar mbretin.

Një prej arritjeve të hititëve është edhe nënshkrimi i marrëveshjes së parë të shkruar në histori, mes tyre dhe egjiptianëve, në vitin 1280 para erës sonë, e cila njihet si Marrëveshja e Kadeshit. Ja pra, kryeqyteti Hatusha i këtij qytetërimi të përparuar të asaj periudhe sjell deri në të sotmen gjurmët e antikitetit hitit.

Hatusha pozicionohet në kufijtë administrativë të provincës Çorum, në zonën gjeografike turke të Detit të Zi Qendror.Emri i saj i sotëm është Bogazkoy. E konsideruar si një muze arkeologjik në natyrë, Hatusha formohet nga dy hapësira: Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti i Sipërm.

Në atë që njihet si Qyteti i Poshtëm ndodhen hapësirat civile të banimit dhe Tempulli i Madh, objekti më gjigant i kultit në Hatusha.

Kurse në Qytetin e Sipërm ka shumë tempuj me përmasa më të vogla. Kjo zonë është rrethuar nga një mur me katër porta. Skulpturat e luanëve, të cilat janë të vendosura në të dyja anët e Portës së Luanëve, janë ndër shembujt më të mirë të gurpunuesve hititë.

Rreth 2 km në veriperëndim të Hatushës ngrihet Tempulli Yazilikaya, i cili konsiderohet si tempulli i hapur më madhështor i qytetit. Muret e objektit të kultit në fjalë, i cili formohet nga dy dhoma shkëmbore, janë të zbukuruara me relieve të perëndive dhe perëndeshave hitite.

Nëse shkoni në Çorum për të vizituar Hatushën, ju këshillojmë që të mos ktheheni pa bërë një udhëtim historik në muzetë e Çorumit dhe Bogazkoyit, pa ecur në sokakët e vjetër të Iskilipit, pa bërë një shëtitje në Rrugën Hitite, pa parë bjeshkët e pishave, pa shijuar gatimet tradicionale dhe veçanërisht dollmatë, si dhe pa blerë të paktën një Kargibezi, një lloj rrugice e endur në mënyrë artizanale nga banorët lokalë.

Mos harroni që hititët ishin kundërshtarët më të fortë të faraonëve më të shquar egjiptianë dhe fuqia politiko-ushtarake më e madhe e asaj periudhe. Hatusha ju pret!

Mirupjekshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme