Stamboll – Presidenti Erdogan hedh themelet e Qendrës Kulturore “Ataturk” në Taksim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të dielën se Qendra Kulturore “Ataturk” në Stamboll (AKM) do të jetë një monument triumfi.

erdogan akm temel atma.jpg
erdogan akm temel atma1.jpg

Duke folur në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Qendrës Kulturore “Ataturk” në Stamboll, në sheshin e famshëm “Taksim”, Erdogani theksoi se ky është një hap i rëndësishëm që do të shënojë një epokë të re në jetën artistike dhe kulturore të Turqisë.

Ai tha në fillim të fjalimit se kostoja fillestare e projektit të AKM-së ishte 860 milionë lira turke (rreth 145 milionë euro), të cilën më pas e ulën në 850 milionë lira turke (rreth 143 milionë euro).

Erdogani bëri me dije gjithashtu se afati i përfundimit të Qendrës Kulturore “Ataturk” është shkurtuar në 20 muaj, nga 24 që ishte fillimisht.

Kreu i shtetit turk shpjegoi edhe se AKM-ja në Stamboll do të ketë 5 blloqe të ndara me një sipërfaqe 95.600 m2 hapësirë të mbyllur.

“Kur të përfundojë pas 2 vitesh, Qendra Kulturore ‘Ataturk’ në Stamboll do të vihet në shërbim të artistëve dhe artdashësve”, u shpreh ai.

Sipas tij, Qendra Kulturore “Ataturk” në Stamboll do të jetë një monument triumfi kundër mendësisë jakobine, që grindet me vlerat, besimin e kombit, me historinë dhe kulturën e popullit turk.

Por – vijoi presidenti turk – kjo ndërtesë, themelet e të cilës po i hedhim sot, nuk do të jetë vetëm një qendër kulturore, ajo do të jetë edhe përgjigjja më e bukur dhe më me vend kundër armiqve të atdheut dhe kombit tonë, të cilët kanë në shënjestër vullnetin tonë kombëtar gjatë 5 viteve të fundit.

“Uroj që ajo të jetë e dobishme për Stambollin dhe tërë Turqinë”, shtoi ai.

Në fund, Erdogani njoftoi po ashtu se Kazerma “Rami” do të shndërrohet në bibliotekën më të madhe të Stambollit dhe se tashmë nuk do të ketë më TVSH (tatimi mbi vlerën e shtuar) mbi librat, revistat dhe gazetat.



Lajme të ngjashme